Futboll

Nuhiu: Shënuam fitore me meritë

Ardian Nuhiu, kryetrajner i FC Dritës është ndarë i kënaqur me fitoren e realizuar nga futbollistët e tij në ndeshjen derbi të javës së katërt përballë Feroniktli (1-0).

Tekniku shkupjan e analizoi ndeshjen si shumë të luftuar, teksa beson se ekipi i tij e meritoi fitoren.

“Një ndeshje shumë e luftuar nga futbollistët tanë të cilët me meritë edhe e fituan ndeshjen. Dominuam totalisht në pjesën e parë përballë kundërshtarit i cili kishte ardhur për tu mbrojtur. Kemi mbyllur të gjitha hapsirat dhe realizuam një gol. Më pas në pjesën e dytë në mënyrë instikte lojtarët u tërhoqën prapa për ta mbrojtur rezultatin. Megjithëse patëm rastet tona edhe në pjesën e dytë, por në fund mbetëm me një gol dhe duhet të jemi të kënaqur, sepse ishte një ndeshje derbi dhe me rëndësi ishte vetëm fitorja”, deklaroi Ardian Nuhiu për “Super Sport Kosova”.

Nuhiu më pas u ndal për të analizuar repartin defensiv të Dritës, i cili sipas tij është më i miri në kampionat.

“Vetë numri i golave të pranuar tregon se kemi mbrojtjen më të mirë në kampionat. Por, edhe sikur të pranonim më shumë gola unë prap do isha i mendimit që kemi mbrojtjen më të mirë në kampionat”, shtoi ndër të tjerash ai.

Në fund trajneri i ‘bardhekaltërve’ falenderoi edhe grupin e tifozëve “Intelektualët” të cilët ishin në numër të madh dhe mbështetën futbollistët e Dritës pa rreshtuar për 90 minuta.

“Një meritë e veçantë në këtë suksesin tonin është edhe mbështetja që vjen nga tifozët “Intelektualët” të cilët mbajtën lartë motivin për futbollistët gjatë 90 minutave”, mbylli Nuhiu.

You Might Also Like