Gjilan

Për Ditën e Flamurit, një ekspozitë e veçantë hapet në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”

Holli i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ka marrë pamje festive. Në të dominojnë ngjyrat kuq e zi, që simbolizojnë Flamurin Kombëtar. Në të katër anët e këtij holli e hapur qëndron ekspozita e artit pamor, që është vepër e nxënësve, të cilët me duart e tyre të arta kanë realizuar punime nga më të ndryshmet nën përkujdesjen, sugjerimet dhe këshillat e profesoreshës Magbule Xhemaili, që tashmë është një artiste e dëshmuar.

“Dita e Flamurit, 28 nëntori është festa më e madhe e popullit shqiptar, andaj ne, disa nga nxënësit e klasave të dhjeta së bashku me profesoreshën tonë të artit, Magbule Xhemaili iu rrekëm punës për më shumë se dy javë duke pikturuar në telajo, me ngjyra temper dhe akrilik”, thekson nxënësja Doruntina Elezi, nga paralelja e X-6, e cila nuk lë pa falënderuar edhe drejtorin Bekim Mustafa dhe zëvendësdrejtorin Agim Asllani, që kishin siguruar materialet shpenzuese.

“Me piktura vëmë në pah kreativitetin dhe krenarinë ndaj popullit shqiptar. Në këto telajo të formateve të ndryshme ne nxënësit u munduam të sjellim një risi për nga idetë, për shkak se disa nga pikturat morën për inspirim veshjet kombëtare dhe qilimat që ishin punuar dikur në vegje në artin popullor shqiptar”, thotë Doruntina.

Në realizimin e kësaj ekspozite u angazhuan edhe nxënës të tjerë, të cilët kanë radhitur në pano kartolinat të cilat u sollën nga nxënësit, gjithmonë me ngjyrat kuq e zi, bazuar në flamurin tonë kombëtar.

Për këtë ekspozitë u realizuan tetë piktura në telajo / pëlhurë nga nxënës të talentuar me tematikë që paraqesin historinë e kombit tonë. Nxënësja Greta Canaj, pikturoi veprën sipas pikturës “Ismail Qemali dhe Isa Boletini”, e cila shquhet si një paraqitje e dy figurave kyçe të përfshira në luftën e vendit për pavarësi, ndërsa nxënësja Lina Rexhepi realizoi pikturën “Shqiponja bart flamurin kombëtar”. Edhe krijimet e Alinës dhe Adeas ishin me karakter kombëtar,  Alina Shehu realizoi pikturën “Skënderbeu“ dhe Adea Mustafa pikturoi “Vajza me plis”.

Nxënësit Jona Krasniqi, Olti Bislimi, Dhurata Sadiku, dhe Poema Fejzullahu shfaqën talentin duke paraqitur në pikturat e tyre detaje me shumë precizitet nga dizajnët e çilimeve nga libri “Arti popullor shqiptar – punime leshi në vegje”.

Kjo ekspozitë karakterizohet edhe me një numër të madh të  kartolinave të dizajnuara nga nxënësit e klasave të dhjeta, ato kryesisht paraqesin flamurin tonë kombëtar,  pastaj Marigona duke qëndisur flamurin, veshje kombëtare etj.

Përmes këtyre punimeve nxënësit  kapën bukur thelbin e udhëtimit të Shqipërisë drejt lirisë dhe festuan sakrificat e bëra nga heronjtë e saj.

I gjithë ky projekt ishte nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mësimdhënëses Magbule Xhemaili dhe gjithësesi pa e harruar edhe përkrahjen e  drejtorisë së shkollës me sigurimin e mjeteve të punës, por edhe  të gjithë nxënësit të cilët paraqitën punën e tyre dhe ndihmuar teknikisht realizimin e kësaj ekspozite.

Gëzuar!

Shkroi: Greta Canaj

You Might Also Like