Të kesh një karrierë të suksesshme sportive kërkon përkushtim, por ta kombinosh atë me shërbimin ndaj atdheut kërkon një disiplinë të hekurt. Paradite, Shabi Behluli vesh me krenari uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të kryer detyrat e tij ushtarake në Gjilan, ndërsa në fundjavë zbret në fushën e blertë për t’u shndërruar në makthin e çdo mbrojtjeje kundërshtare.
Ky është realiteti i përditshëm i Shabi Behlulit, sulmuesit të krahut të majtë, i cili me paraqitjet e tij fenomenale me KF Studentin e Dobërqanit po bën jehonë të madhe në Ligën e Tretë të Kosovës.
Historia e tij e dashurisë me topin nuk është e rastësishme. I lindur dhe i rritur në fshatin Petrovc, hapat e parë në këtë sport i nisi fare i vogël. Si 9-vjeçar, ai filloi të formohej si lojtar, duke rënë shpejt në sy për talentin e tij.
Edukimi i tij sportiv kaloi nëpër disa nga shkollat më prestigjioze të futbollit në vend. Në kategoritë e fatosave dhe pionierëve, ai fitoi përvojë si pjesë e FC Beslidhja. Më pas, zhvillimi i tij e ktheu në rajonin e Anamoravës, ku fitoi një eksperiencë të rrallë duke luajtur për të dyja taborët e rivalëve të qytetit: si kadet mbrojti ngjyrat e GS Gjilanit, ndërsa si junior vazhdoi karrierën tek FC Drita. Kjo prapavijë i ka dhënë atij një pjekuri taktike që po reflektohet fuqishëm sot.
Nëse kërkoni një përkufizim për formën jetësore në futboll, mjafton të shikoni shifrat e Behlulit me KF Studentin. Që nga sezoni i kaluar, sulmuesi i majtë ka treguar se e njeh rrugën e rrjetës si pakkush tjetër, duke e mbyllur kampionatin me plot 34 gola.
Por, ky vit ka qenë një nivel krejtësisht tjetër. Në vetëm 22 ndeshje të zhvilluara deri më tani në këtë kampionat, 23-vjeçari ka arritur një kuotë të pabesueshme prej 42 golave dhe 8 asistimeve. Një mesatare prej gati dy golash për ndeshje e bën atë jo vetëm lojtarin kyç të ekipit nga Dobërqani, por edhe një nga sulmuesit me statistikat më të frikshme në të gjitha nivelet e futbollit kosovar.
Pavarësisht shifrave që do të dehnin çdo lojtar tjetër, djaloshi nga Petriti flet me një modesti që duket se buron nga disiplina e tij ushtarake. Ai e pranon se futbolli nuk është vetëm një lojë, por një pasion i thellë.
“E dua jashtëzakonisht shumë lojën e futbollit. Kisha ëndrra të mëdha të arrija maja të larta në këtë sport, por nganjëherë gjërat nuk realizohen saktësisht ashtu siç i kemi planifikuar,” shprehet Behluli. “Megjithatë, ndihem jashtëzakonisht mirë tek klubi i Studentit. Këtu kam gjetur ambientin e duhur dhe po jap kontributin tim maksimal për të mirën dhe suksesin e këtij klubi.”

Një formë e tillë shpërthyese nuk mund të mbetej e fshehur për gjatë. Ofertat kanë filluar të vërshojnë, dhe telefonatat nga klubet e tjera janë shpeshtuar. “Kam pasur oferta të ndryshme, dhe tani, sidomos kur kanë mbetur edhe pak javë deri në përfundim të kampionatit, interesimi është rritur. Janë disa skuadra që kanë shprehur dëshirën të jem pjesë e tyre,” pranon ai. Megjithatë, fokusi i tij mbetet tek e tashmja: “Njëherë dua ta përfundoj këtë kampionat me suksesin më të madh të mundshëm me ekipin tim, e pastaj të ulem dhe të shoh se ku mundem të vazhdoj rrugëtimin tim si futbollist.”

Shabi Behluli është sot shumë më tepër se thjesht një lojtar. Për bashkëlojtarët te KF Studenti, ai është lideri i sulmit. Për fshatin e tij Petrovc, është një djalë që po e lartëson emrin e vendlindjes. Ndërsa për Forcën e Sigurisë së Kosovës, është shembulli i përkryer i një ushtari që shkëlqen si në shërbim ashtu edhe në pasionet e jetës.
Me talentin e tij të padiskutueshëm dhe disiplinën që e karakterizon, një gjë është e sigurt: emri i Shabi Behlulit do të vazhdojë të dëgjohet edhe më shumë në fushat e blerta të Kosovës.




