Libri

THËRRIMET BEHËN EDHE NGA BUKA E SAPOPJEKUR

Shefqet DIBRANI

THËRRIMET BEHËN EDHE NGA BUKA E SAPOPJEKUR

( Sadete Tërnava-Osmani, “THUAJ S’THASHË”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2021, faqe 144. ISBN 978-9951-760-44-7 )

Sadete Tërnava-Osmani, pedagoge dhe studuese, pas librit të parë “Ditët s’janë një”, lexuesit iu prezantua me librin e dytë me poezi “THUAJ S’THASHË”, (2021), dhe si botë poetike është e realizuar mirë:

Fjala jote “Thuaj s’thashë”
Në këtë botë pa definicion
Më ka mbetur kallëzues
I të pakuptueshmes, ireales
Për rëndëmtësinë
Morfinë nga stralli i magjisë tënde
Kur thoshe: më fal të lutem
Secili ka diçka të mirë
Fali Zot…

Poezia: “NË SHPIRTIN TIM ZGJUAR FLE”, faqe 7.

Ky sentimentalizëm poetik rrjedh nga ndjeshmëria e motivit, psherëtimë dhe ndjenjë, kurse si mënyrën e shkrimit poetik me përjetime të thella. Këto karakteristika shfaqën në dy poezitë e para. Poezitë janë të realizuara, qoftë për butësi magjepse dhe përshkrim objektiv të temës së përzgjedhur, për të pasqyruar si e sa duhet ndjenjën e brendshme, si qëllim për të lartësuar mënyrën e shkrimit lirik, tamam ashtu siç është shprehur në poezinë vijuese me titull “Lajtmotiv”. Përpjekja themelore duket të ketë qenë për të realizuar tekstin artistik, përkatësisht për të ndërtuar vargun poetik sa më bukur, sa më të realizuar, për disa nuanca duket se i tërë libri është lajtmotiv i jetës, i sfidave jetësore të kthyera në uverturë poetike!

Thuaj s’thashë se njerëzit janë qenie të liga
Se humania po rrotullohet ortek në zjarr
A dëgjon
Thuaj s’thashë
Dhe atëherë s’kam thënë
Se dritësimit s’i ndriçohet në shtrirjen e pamasë të tij
E kupton dot kur duhet thënë s’thashë
Jo vetëm kur gabohet
Dhe vetëm kur ke të ftohtë
S’thashë thuhet edhe kur s’mendon mbrapsht…

Poezia “LAJTMOTIV JETE”, faqe 9.

Poezia si dhunti krijuese, veçmas kjo e këtij libri karakterizohet nga vargu meditativ dhe impresiv. Motivet janë të ndryshme dhe shprehin ndjenjën poetike në proceset jetësore. Autorja, është zë femëror i kompletuar dhe mjaftë premtues i poezisë së sotme shqipe, veçmas i asaj që krijohet në Kosovë. Vëllimi me poezi “THUAJ S’THASHË”, e kompleton angazhimin e autores në fushën e lirikës poetike.

POEZIA “PERVJETSHËM”…

Ditëlindja, ose përkushtimi poetik për “Ditëlindjen e vet”, haset rrallë, për të mos thënë askund dhe asnjëherë gjerë më tash, prandaj kjo poezi kategorizohet si krijim i rrallë artistik, është uverturë e muzikës poetike, e atij timbrit artistik, që sapo mbaron fillonë të ndjehet kënaqësia e përjetimit, e ndjenjës gjatë leximit, e atij përkushtimit metaforik. Kjo poezi është hyrje, uverturë, është pjesë e pjesëz e Operës Jetësore, dhe vjen e shfaqet në mënyrë të papërsëritshme, pasi edhe jeta e poetës është realitet i përjetuar, përkatësisht motivi i poezisë është pjesë e përjetimeve jetësore, ndodhi të papërsëritshme dhe tejet traumatike. Për saktësim, trauma reale në familjen e poetes lidhet drejtpërdrejt me dhunën politike, të cilën me bollëk ua kanë shkaktuar konionkturat e sistemit kolonialist serb në Kosovë.
Poezia “PËRVJETSHËM”, pa dyshim është prolog, fletëhyrje në biografinë e autorës, është mesazhi më sublim që udhëheq hulumtimin-ndjenjën tonë drejtë të panjohurës në këtë poezi, për të njohur realitetin brenda të panjohurës, ose ta quajmë enigma mbi realitetin, që duket se është alibia kryesore e kësaj metafore, e mbyllur si në guaskë, ndërsa për Poeten, duket se është Zot-im para Zotit për t’i rrëfyer lexuesit të vet, tërë enigmën e kësaj uverture. Njëkohësisht, poezia është përshëndetje poetike, e lexueshme dhe e kuptueshme, jo vetëm brenda kësaj metafore, por nis që nga dy poezitë e para dhe vazhdon me titullin sugjestiv “Thuaj s’thash”, edhe pse tërësia poetike e thotë dhe e shpreh të tërën, një negacion i negacionit, mesazh motivues për gjeneratën e re, se suksesin e arrinë vetëm ai që nuk dorëzohet, nuk dekurajohet dhe që nuk pranë së kërkuari suksesin e vet?!…
Kjo uverturë poetike është kallxues, është kryefjalë, është sonetë e muzikës poetike, timbri i saj është shkruar me përjetim real, ku fshihen edhe enigma të tjera, sigurisht edhe ngadhënjime dhe suksese të shumta. Krijimi poetik dhe libri si realizim teknik, janë arritje, janë suksese që shpijnë te rrëfimi mbi enigmën e pa shpjeguar, që shprehet në poezinë e Sadete Tërnava-Osmanit. Prandaj ne jemi të prirur për të besuar se poezitë e publikuara janë vetëm fillimi i mbarë për vazhdimsi, mbarësi dhe sukses që nuk do t’i mungojë.
Si tematikë meditative, poezia është një përkushtim i rrallë për ditëlindjen e vet, një perlë artistike. Kurse si motiv letrar, unikat, veçmas për metaforën lakonike në përshkrimin e datës, datëlindjes, ditëlindjes, ditëhijes së hijshme që shpërfaqin kalvarin e vuajtjeve të çdoditëshme e përvjetshme që i ka përjetuar poetesha, sidomos atëherë kur ishte e re, përkatësisht nga çasti kur do të kuptonte mënyrën çnjerëzore të vuajtjes dhe të burgosjes politike të të Et’! Kjo poezi mbetet karakteristikë për motivin e saj dhe për ndërtimin figurativ, andaj po e sjellim të tërën, të plotë e të paprekshme, pasi është poezi emblematike dhe njëra nga poezitë antologjike të këtij vëllimi poetik!

PERVJETSHËM

Thotë kam lindur me 1968
Me fat se ishte kohë shirjesh
Nëse hiç asgjë tjetër,
Një mollë i vinte mbështjellë

Kur e pyetën për grup gjaku
Tap, pa hamendje e tha për-vjetshëm
Për pak njerëz
Pamflet i sfilitur në mes të luanit e virgjëreshës

Pafajshëm atëbotë
Si solo e shkëputur e një vargu
Pret çka s’di për botën në lëvizje

Faqe 69.

TRAGJIKA E SUBJEKTIT POETIK

“PRUSHIT TË TALLJES”, është njëra nga poezitë më sentimentale, dhembje që përfaqëson tragjikën e subjektit, pafuqinë për tu përballur me lukuni shpifjesh e talljesh rreth personalitetit të Tij. Në këto raste, gjithmonë ka fituar Kodi i Heshtjes përballë talljes. (Si popull: A nuk e kemi fituar betejn me kodin e heshtjes dhe durimit, gjatë viteve të nëntëdhjeta?!), kurse poetesha këtë kod të durimit dhe të heshtjes e transformon në motiv frymëzimi. Njeriu në vetvete, në brendinë e tij, është qenie e mistershme, sidomos kur kodin e rrëfimit dhe të arsyetimit e zgjedh përmes durimit dhe heshtjes, dhe pa dyshim subjekti i poezisë “talljen e barti si samar”, dhe shkoi gjerë në varrë me Kodin e Heshtjes?! Kishte arye apo jo(?!), për letërsinë fare s’ka rëndësi, e rëndësishme është Heshtja që u shndërrua në subjekt inspirimi, pasi Heshtja e Subjektit e thoshte mjaftueshëm të vërtetën, përballë së cilës u madhështua Fryma e Tij, ndërsa poetesha këtë frymëzim hyjnizues, e zbërthen si motiv të ndjenjës, për durimin e heshtur të subjektit që trajton.
Një veçori dalluese është se: I tërë tipi i poezive të cilat në brendësi bartin trishtim, janë paluar (fshehur e radhitur) ndërmejt poezive të tjera, tamam ashtu siç palohen fletët e librit. Ky sofistikim artistik është i qëllimshëm, dhe tregon se autorja nuk ka yshtur virtytin e hakmarrjes, ajo vetëm shpalos dhembjen artistike, dhe krejt në mënyrë spontane edhe rrëfehet përpara vuajtjes, tamam ashtu siç rrëfehen besimtarët përpara Hyjit, për Heshtjen e Detyrueshme, veçmas “Kur hesht edhe pse të lëndojnë”!…

PRUSHIT TË TALLJES

Kur hesht edhe pse të lëndojnë
E ke arsyen tënde të krehur ndër vite
S’bën zë, e di që gjë s’ndryshon

Përton të flasësh, të arsyetosh
Veç merr frymë e shikon
Tek shumë lëndohesh prushit të talljes

Edhe sot do të heshtësh
Se kështu flet si luledielli në pjekje
Nesër farat i hamë bashkë kodrave

Faqe 72.

VARGU SUGJESTIV

Titulli i librit dhe titulli i këtij shkrimi janë mendime sugjestive, njëkohësisht vargje brenda librit…, por kjo poezi nuk përfundon me kaq sepse kemi edhe vargje të tjera që cytin mendim poezitiv: “Si u bëmë gra pa qenë vajza kurrë”, te poezia “PUSULLË RINGJALLJES”, (faqe 24), ose “Pasha t’lumin Zot askush s’e ka dashur këtë dhe sa unë sot”, (faqe 35), “edhe historitë e luftës dhe ato të dashurisë / Zbehen dhe dikur tregohen si përralla boshe”, (faqe 38), “E djeshmja, thua ti ishte një formalizëm autonom/ Sot ngulet këmbë në përsosmëri – them unë”, (faqe 39), “Më mirë një kokërr me djersë se një thes lëmoshë”, (faqe 55), etj.
Poezi për tu veçuar janë: “DASHURI TRËNDAFILASH “, (faqe 43), “VALLËS SË MENDIMEVE”, (faqe 48), “SIKUR”, me përkushtimin, Një gruaje në strehimore, (faqe, 59-60), “FALMA AGUN E NESËRM”, (aqe 65), “TRIUMF I PERDITSHËM”, (faqe 67), “TË DUASH”, (faqe 82), “STRALL ZEMRE”, (faqe 106), “BËJ BE”, (faqe 109), e ndonjë tjetër.

FJALË OSE SHPREHJE NË PËRDORIM TË RRALLË

Poetesha ka futur në përdorim mjaftë fjalë e shprehje të karakterit lokal të cilat janë në përdorim të rrallë, psh.: Ashkla e drurit, eshkë, spirrë-spirrë, frymë-hukatje, të tredhin me dyshime, mbërtheckë, me pas mujtë (krahinarizem), shajak, sedef, shkëndizore, bëj be, angushi, davanë, shurupi, sytreti – syri i tretë, shtorrën, çurg-ujt, “Angështuar si plak pa ëndrra – Që e ka pushtuar angështia, që ndien një peshë në zemër; i ndrydhur, etj). Po ashtu janë edhe disa vargje të cilat mund të përdoren si citate, fjalë të urta ose përosi të vyera: “Thërrimet behën edhe nga buka e sapopjekur”, (faqe 9), “Armiqtë nuk janë aq të fortë nëse plagën s’ua tregon”, (faqe 73), “zjarri që shpesh përsëritet nuk e ngroh as akullin”, (faqe 74), “Sharjet dhe fyerjet nga mërzia / Janë poemat më të mira”, (faqe 76), “Kurrë mos praj së besuari / Se qershitë çelin edhe në janar”, (faqe 118), etj.

LIRIKAT E REALIZUARA

Ta zëmë poezitë: “Edhe po të ndizen detërat”, “Mos”, “Miti heraik”, “Ëndrrat ikin”, “Dashuritë s’presin datë”, dhe disa poezi të tjera janë lirika të realizuar. Ndërsa për motivin e saj vlenë për ta cituar poezinë, “A DO TË KEM JETË”, me përkushtim Nënës Ferdonie, (faqe 94). Ndërsa poezia “MOS MERR EMRA”, edhe pse në pamje duket motiv me karakter të feministes, dhe siç shihet poetesha është frymëzuar në “Ditën e Grave, më 8 Mars”, poezia në përmbajtje përfaqëson tërë mozaikun e mendimit edukues, së këndejmi duhet pranuar, si krijim poetik është realizim i suksesshëm dhe radhitet si poezi artistike.

MOS MERR EMRA

Të jesh grua e kësaj toke të vogël
Është trimëri e madhe sa dashuria
Zgjedhje të mos flasësh
Se ashtu gjen shpëtimin deri në qiell
Kur flet të dëgjon veç heshtja
Vetvetja
Mbi këtë dhe ende je furtunë fati
Vërtitëse llogarish
Me emrin e dytë
Shtyllë a themel
Ke mundësi të zgjedhësh
Edhe ca të tjerë
Në shënim datash bëhesh
Fisnike
Heroinë
Trimëreshë
Burrneshë
Lavdi marrëzisë do të thoshte njëra
Agnus Dei
Se nesër kur jeta vazhdon
S’je veçse një
Dinake
Zemërake
Heshturake
Je grua që dashurinë veç e ke ëndërruar
Emrin s’ia ke përmendur
Se ajo merr kuptim veç kur je
E fisme
E pagojë
E strukur në kujtime
Në lojë

(E shkruar më 8 Mars 2020)

Faqe 128-129.

Ky motiv dhe kjo dukuri tematike, zgjerohet dhe shtjellohet në një dimension tjetër edhe te pozia “FJALË”, (faqe 132), si dhe në ndonjë poezi tjetër.

SINONIMET DHE HOMONIMET LEKSIKORE

Një libër që nuk krijon mundësi interpretimi ose nuk hap debat trajtimi, është më mirë të mos botohej fare. Sadete Tërnava-Osmani, me përmbledhjen e saj poetike ka hapur debat të pashmangshëm, për mënyrën e interpretimit të fjalëve në fjali, sidomos për sinonimet dhe homonimet e shumta leksikore, duke nisur nga titulli i librit, që do ta sfidoj lexuesin e kujdesshëm, pastaj edhe një mori shprehjesh, nuancë e fjalës së shkruar që bëhen pasuri letrare e gjuhësore.
“Thuaj”, është trajtë e foljes kalimtare them. Në librin me poezi “Thuaj s’thashë”, kjo folje është përdorur në disa trajta dhe variante gjuhësore duke krijuar një mozaik të tërë shprehjesh gjuhësore e fraza leksikore: Thua (7), Ç’thua (1), Thuaj (10), Thuaje (1), Pothuajse (1), Thuaju (1), Thuash (2), ndërsa trajta: Them (20), Themi (1), Thënë (4), Pathënë (2), Pathënën (1), Thanë (3), S’thamë (1), po ashtu sinonime: Thonë (5), Thoni (1), T’thonë (1), Tregoj (1), Tregojmë (1), Rrethanor (2). Të gjitha këto sinonime e homonime përveçse janë pasurim stilistik, përbëjnë mozaikun poetik, duke ndërtuar metaforën e kësaj poezie e cila është mjaftë karakteristike. Për të saktësuar këtë mendim kritik, po shkojmë radhazi duke i potencuar të gjitha variantet e cituara më lartë, për t’i afruar trajtat e mënyrat shprehëse të kësaj poezie, e mirë, e veçantë dhe e kompletuar:

THUA (7), “Kur pa dashur thua atillshmëri”, (faqe 9), “Mos po thua durim kam se përmbajtja gjakftohtë, (faqe 26), “<A po i vëren> më thua, (faqe 30), “Satira e humori thua janë shoqe”, (faqe 38). “E djeshmja, thua ti ishte një formalizëm autonomy”, (faqe 39), “Sipër rrugëve a thua veç hap do të jem”, (faqe 65), “A thua jetë do të kem”, (faqe 93).
Ç’THUA (1), S’është me rëndësi ҫ’thua ti a unë, (faqe 39).
THUAJ (10), “Thuaj s’thashë”, (në titull), “Fjala jote “Thuaj s’thashë”, (faqe 7), “Fjalës së përshpirtshme: thuaj s’thashë”, (faqe 7), “Thuaj s’thashë se njerëzit janë qenie të liga”, (faqe 9), “A dëgjon / Thuaj s’thashë”, (faqe 9), “Fletë tërfili më thuaj…”, (titull poezie, faqe 25), “Fletë tërfil me thuaj të lutem”, (faqe 25), “Më thuaj pse çdo ag e pluhurosim pa e lënë të zbardhë”, (faqe 34), “Thuaj diçka të mençur, (faqe 85), “Fletë tërfili më thuaj”, (në përmbajtje, faqe 139).
THUAJE (1), “Thuaje, nxirre lakuriq dhembjen dhe dalldinë”, (faqe 58).
THUAJI (1), “Nëse mund ta takosh tajfunin thuaji se e ke shok”, (faqe 73).
THUAJSE (1), “Në ditën tënde thuajese je e lirë prometheniane”, (faqe 53).
POTHUAJSE (1), “Shumëçka di, pothuajse të gjitha”, (faqe 125).
THUAJU (1), “Thuaju si çdoherë”, (faqe 68).
THUASH (2), “E nëse dje ka qenë dashur të thuash se s’ke thënë”, (faqe 10). “Më nuk di ç’të thuash”, (faqe 58).

***
THEM si trajtë e foljes kalimtare THUAJ:

THEM (20), “Besoj e di pse them s’thashë”, (faqe 9), “I falem veç atij viti dhe të paktëve që mund t’ju them”, (faqe 13), “S’di pse po e them por shpirti s’po më del”, (faqe 27), “Më mirë po rri them buzësh”, (faqe 31), “Tatjeta të them dhe tek ndahemi pa pajtim”, (faqe 31), “Dhe, edhe pse me vonesë po them”, (faqe 31), “Sot ngulet këmbë në përsosmëri – them unë”, (faqe 39), “Me dëgjo kur të them”, (faqe 40), “Por këtij viti theqafje i them”, (faqe 44), “E them se më mahnit”, (faqe 51), “Tregoni çfarë fjalë t’ju them”, (faqe 54), “Edhe lapsit që shkruan për ty bardhosh i them”, (faqe 87), “Tash më lër të ta them”, (faqe 94), “Kujt t’i them se s’ka më varg të lirë”, (faqe 100), “Është fuqia e prekjes them”, (faqe 109), “Te gjithëve u them diçka”, (faqe 119), “Vetëm ty s’di çka të të them”, (faqe 119), “Të duket se po them diçka, (faqe 119), “Dashurisë që ende më pret t’i them, (faqe 123), “T’i them se unë s’kam ndryshuar”, (faqe 123).
THEMI (1), “S’ka dert pse themi se s’më bëhet vonë”, (faqe 83).
THËNË (4), “Dhe atëherë s’kam thënë”, (faqe 9), “E kupton dot kur duhet thënë s’thashë”, (faqe 9), “E nëse dje ka qenë dashur të thuash se s’ke thënë”, (faqe 10), “Lutu, s’thashë, s’kam thënë”, (faqe 10).
PATHËNË (2), “E në mes gjithnjë diçka e pathënë”, (faqe 87), “Si dashuria e saj / E pathënë”, (faqe 115).
PATHËNËN (1), “Të pathënën vetëm ti e di”, (faqe 87).
THANË (3), “Jo kot na thanë lumi na mori”, (faqe 24), “Acari si eshkë po të thane”, (faqe 62), “Me i thanë e me i tregue se sa keq”, (faqe 84).
S’THAMË (1), “Thoni s’thamë ne të gjithë”, (faqe 10).
THONË (5), “Thonë mësohesh ngadalë”, (faqe 82), “Kur të thonë bëhu kreative”, (faqe 85), “Sytë e babëzitur ta thonë, (faqe 102), “Se thonë, me sy lojë s’ka”, (faqe 121), “Vaj i thonë kësaj, dhembje e moçme”, (faqe 127).
THONI (1), “Thoni s’thamë ne të gjithë”, (faqe 10).
T’THONË (1), “T‘thonë bëhu modern”, (faqe 17).
TREGOJ (1), “Hëpërhë druaj të ta tregoj”, (faqe 86).
TREGOJMË (1), “Udhën e shtëpisë po ta tregojmë”, (faqe 61).
RRETHANOR (2), “Kameleon rrethanor në pritje të fishkëllimës”, (faqe 70), “S’ka kuptim modelimi rrethanor”, (faqe 75).

Ashtu siç e theksuam më lartë, “Thuaj”, është trajtë e foljes kalimtare them. Edhe përkthimet e fjalës, përkatësisht foljës “Thuaj”, e dëshmojnë këtë, por këto përkthime japin edhe sinonime me kuptim të përafërt: Latinisht “Dico”, gjermanisht “Erzälen”, anglisht “Tell, serbisht “Реци”, po ashtu edhe kroatisht “Reći”. Të gjitha këto kuptime në këto gjuhë, nëse i përkthejm në gjuhën shqipe, e japin të njetin kuptimin “trego”, gjë që edhe për gjuhën shqipe është sinonim i foljes kalimtare “thuaj”.
Për ilustrim dhe lehtësim, sidomos të atyre që flasin anglishten ne po sjellim këtë table për të pare sinonimet e shumta që prodhon kuptimi real i trajtës së foljes “thuaj”. Nëse nga shqipja në anglisht THUAJ, përkthehet “Tell”, nga anglishtja në shqip folja “TELL” i jep këto sinonime: them, tregoj njoftoj, shpjegoj, dhe bashkë me to edhe një varg sqarimesh të tjera që duket të jenë sinonime për foljen në anglisht “TELL”: THEM; say, tell, speak, know, talk, call. TREGOJ; show, tell, indicate, point out, prove, infer. NJOFTOJ; notify, inform, tell, announce, report, advise. SHPJEGOJ; explain, straighten, expound, tell, elucidate, straighten out.
Fjalët SINONIME, janë fjalë, shprehje ose ndërtim i vargut poetik me kuptim të njëjtë ose me kuptimin të përafërt, të fjalës ose të një shprehjeje a të një ndërtimi tjetër (p.sh. thanë-tharë-tharje, thanë-thënë), kurse në poezinë e Sadetes shpesh i hasim si sinonime stilistike. Kjo ngjashmëri e fjalëve, shprehjeve, motiveve e bëjnë më specifik vargun e këtij libri.
Homonimet leksikore janë fjalët që tingëllojnë njësoj, por kanë kuptim të ndryshëm, p.sh.:
1. Thanë – tharje / Thanë – Treguan
2. Thua, themi, folja thua (thënë) / Thua – thoi, thonjët)
3. Sedef, mëndafsh / Sedef – material zbukurimi nga guaskat, (rruza sedefi),
4. Çapitje – ecje / Çapitje – përtypje.

Siç shihet, në poezinë e Sadetës kemi disa fjalë që shkruhen njësoj, por që kanë më shumë se sa dy kuptime, sinonime edhe më shumë, dhe kjo është begati gjuhësore që prezanton kjo poezi, me vlera letrare e gjuhësore. Këto homonime, bashkë me sinonimet janë të plota, disa sish janë përdorur nëpër vargje si njësi leksikore (sidomos kur është futur në përdorim shprehjet nga gegrishtja që i jep këto mundësi). Pra disa vargje, dhe disa trajta shprehëse, edhe pse janë shkruar njëjtë, kanë kuptime të ndryshme. E për ta ballafaquar këtë mendim po prezantoj disa shembuj për ilustrim, që kryesisht ka të bëjë me shëmbëllimin artistik të fjalës së shkruar shqipe.
Fjala “Sedef”, më shumë intrigon për butësinë që posedon ky lloj pambuku se sa qëllimin për të ndërtuar tipin e vet të simbolit në poezi: Sedef/ Krejt mëndafsh, (faqe 7). E vera sedef do të varet në vjeshtën e vonë, (faqe 74). Nga dritshpresa sedef, (faqe 92). Në taketuken e sedeftë, (faqe 133).
ÇAPITJE, ecje e ngadaltë ose e rëndë, hap i ngadaltë ose i rëndë, ose si çapitje e pa uri, përtypje: “Ҫapitje harrese / Çapitur hedhim shikime”, (faqe 21), “Çapitje / Çapis ngadalë / Si çapitje pa uri”, (faqe103).

SIMBOLI NË POEZI

DAVARISË: “I kam davaritur verbër”, (faqe 81), “Lëre të mugullojë / Të rritet / Davaritet”, (faqe 111), “Në sytë e uritur/ Për davaritje”, (faqe 111), “Aty ku askush s’do të m’i davariste”, (faqe 113). ZHDAVARIT: “E më zhdavarit”, (faqe 103), “Zhdavaritur tej largësisë”, (faqe 117). SYTH; “Dhe mbrëmjeve tek fëmijët nxjerrin sytha pranvere”, (faqe 68), “Në sythin e lulëkuqes”, (faqe 89), “Sythin e zambakut”, (faqe 96), “Sythat ua ka nxirë”, (faqe 126).

EPILOGU

Duhet pranuar se prof. dr. Sadete Tërnava-Osmani, për poezinë shqipe që krijohet në Kosovë ka sjellë poezi meditative të tipit frymëzuese, me aspekte gjuhësore që hap debat dhe me një sentimentalzëme të përpunuar. Motivet dhe tematika e poezisë, sidomos e kësaj në librin “Thuaj s’thash”, është vjelë nga jeta, përjetimet dhe nga dukurit e përditshmërisë së traumatizuar, përplot ngjarje, padrejtësi dhe çrregullime të cilat manifestohen në shoqëritë e dala nga lufta, nga diktaturat, kurse koha e tranzicionit edhe më tej i ka traumatizuar. Por dashuria për njeriun është magjepse, emocionale dhe përjetuese!… Imagjinata krijuese kap momente artistike, shpreh imazhe të shumta, dhe me to ndërton mendimin poetik si botë komplekse, kurse poezia shquhet për vargun karateristikë e meditativ.
Në përgjithësi poezia e Sadete Tërnava-Osmanit, është topografi e veçantë letrare, autentike dhe tejet origjinale!

Prishtinë, janar 2022.

You Might Also Like