Erdhën me shumë bujë te SC Gjilani, kurse u larguan në heshtje. Ergys Kaçe, Martinaga dhe Arbër Mustafa nuk janë më pjesë e SC Gjilanit, megjithëse nga ekipi bardh e kuq nga Gjilani asgjë nuk është zyrtare.
Ergys Kaçe
Me shumë bujë te SC Gjilani kishte ardhur ish-reprezentuesi i Shqipërisë, Ergys Kaçe, i cili në cilësinë e mesfushorit qendror kishte ardhur nga ekipi Kalamata i Greqisë dhe shihej si një përforcim i madh. Për të ishte thënë se kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për një sezonë, me mundësi vazhdimi për një sezonë tjetër. Lojtari që më herët kishte luajtur tek klubet e njohura në Greqi si Paok, Panathinaikos, AE Larisa, Aris Saloniki dhe së fundmi te PS Kalamata, për një sezonë ishte pjesë edhe e klubit të njohur Viktoria Plzen, si dhe te klubi shqiptar Partizani nga Tirana, te SC Gjilani rrallë luajti nga minuta e parë, më tepër qëndroi në stol e së fundi nuk u pa as aty, ngase ishte larguar në heshtje.
Marko Martinaga
Ngjashëm u largua edhe Marko Martinaga, lojtari majtak i mbrojtjes nga Kroacia, i cili te Gjilani kishte ardhur nga ekipi polak Podbeskidzie Bielsko-Biala. Si i ri karrierën e kishte nisur te Slaven Belupo, më pas luajti edhe për Varazhdinin po në Kroaci, në Koprivnica, në Koper e NK Dekani (Slloveni), në Vardar e AP Brera (Maqedoni e Veriut) u kthye në Slaven Belupo dhe nga Podbeskidzie Bielsko-Biala e Polonisë erdhi te SC Gjilani pa lënë ndonjë gjurmë, më shumë qëndroi në stol dhe inkuadrohej vetëm nga fundi i ndeshjes. Edhe ky, pa bërë zë u largua nga Gjilani, pa u bërë me dije arsyet apo se kah po shkon.
Largimi i tretë është ai i Arbër Mustafës, i cili së paku e ka bërë me dije se nuk do të jetë më pjesë e SC Gjilani. Ai ka shkruar shkurt në profilin e tij: „Përshëndetje, nga sot nuk jam më pjesë e SC Gjilanit.” /kryelajmi.com/.
Arbër Mustafa