FESTIM SHKODRA , koordinator i OMGJ 2020
Më 25.01.2020 në Gjilan, u mbajt Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2020. Olimpiadën e hapi Nazim Gagica – drejtor i DKA-së në Gjilan. Pas testit u shpallën fituesit – ekipi zyrtar i Komunës së Gjilanit për pjesëmarrje në OMK 2020. Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) i dha një mirënjohje Komunës së Gjilanit, për mbështetjen që po ju bën garave matematike ndër vite në këtë komunë, sukseset e nxënësve gjilanas dhe përkrahjen e mëtejme garuesve të suksesshëm.
Më 25.01.2020 në hapësirat e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, u mbajt Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2020. Në këtë olimpiadë morën pjesë nxënësit e klasave IX, X, XI dhe XII, të përzgjedhur në shkollat ku ata mësojnë. OMGJ 2020 u mbajt në kushte komode të përgatitura nga drejtoria e shkollës mikpritëse – Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti në Gjilan. Pos garuesve në hapje të OMGJ 2020, morën pjesë Nazim Gagica drejtor i DKA-së në Gjilan, Agim Asllani zv. drejtor i shkollës mikpritëse, Jetmir Jerliu zyrtar i lartë në DKA të Gjilanit, prindër, familjarë dhe mësimdhënës të garuesve si dhe mysafirë të tjerë rasti. Olimpiadën sikur edhe viteve tjera e përcolli TV VALI.
OMGJ 2020, u organizua krahas Olimpiadave Matematike Komunale në tërë Kosovën njëkohësisht. Organizimi i këtyre olimpiadave u bë nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) përkatëse. SHMK i përgatiti testet e këtyre olimpiadave komunale dhe garuesit në tërë Kosovën iu nënshtruan testeve të njëjta varësisht nga klasa që vijojnë.
Në fillim garuesve duke iu dëshiruar sukses, iu drejtua me një fjalë rasti Festim Shkodra – koordinator i kësaj olimpiade. Ai tha se këto olimpiada janë udhërrëfime të personave të suksesshëm, sepse këto ishin pikënisje të përparimit të tyre. Ai tha se falë bashkëpunimit nxënës, prindër dhe mësimdhënës si dhe përkrahjes së strukturave komunale, garuesit komuna jonë po arrijnë rezultate të larta. Ai tha se matematika është gjuha e natyrës dhe themel i sigurtë për suksese në shumë lëmi, pra ajo ju mundëson kudo të jeni më të suksesshëm. Ai I këshilloi nxënësit të punojnë pa u dorëzuar asnjëherë sepse vetëm atëherë suksesi nuk do te ju mungojë. Koordinatori njëkohësisht i inkurajoi nxënësit të marrin pjesë edhe në garën “Kangaroo”në muajin mars, ku matematika do të paraqitet në një mënyrë më të afërt dhe më të këndshme për ta. Gjatë fjalës së tij, koordinatori falënderoi edhe shkollën mikpritëse për kushtet tejet të mira të ofruara për vite me radhë për mbajtjen e këtyre olimpiadave matematike si dhe të gjithë ata që kontribuan për organizimin e OMGJ 2020.
.
Pastaj drejtori i DKA-së në Gjilan Nazim Gagica, ju uroi sukses garuesve duke iu drejtua atyre me një fjalë rasti dhe e shpalli olimpiadën të hapur. Ai falënderoi organizatorët, shkollën mikpritëse si dhe kryetarin e komunës për mbështetjen që po ju jep olimpiadave matematike si dhe premtoi përkrahje të vazhdueshme brenda mundësive edhe nga DKA. Ai i inkurajoi garuesit që të duan matematiken sepse edhe vetë jeta është matematikë dhe i quajti këta garues “shkencëtarë të së ardhmes”, sepse në themel të çdo shkence është matematika. Në fund ai i uroi garuesit e pranishëm që të vazhdojnë traditën e sukseseve të matematikanëve të rinj gjilanas nga gjeneratat e kaluara.
Garuesit varësisht nga klasa, iu nënshtruan një testi, të përbërë nga dhjetë detyra, në kohëzgjatje prej dy orësh. Pas testit, DKA për garuesit dhe stafet punuese të olimpiadës shtroi një drekë në Konviktin e Nxënësve dhe Studentëve në Gjilan. Pastaj komisionet kontrolluese pas kontrollimit të testeve shpallen emrat e nxënësve fitues që do të përfaqësojnë Komunën e Gjilanit në Olimpiadën Matematike të Kosovës – OMK 2020 :
KLASA IX
- I) OLT IMERI /shpërblimi 1 / SHFMU “Abaz Ajeti” në Gjilan
- II) DION ALIU /shpërblimi 2 / Shkolla “Don Bosko” në Gjilan
III) LUM JERLIU / shpërblimi 3 / SHFMU “Abaz Ajeti” në Gjilan
III) JON KRYEZIU /shpërblimi 4 / SHFMU “Selami Hallaçi” në Gjilan
KLASA X
- I) GERT ZYLFIU /shpërblimi 1 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
- II) ENIAN HASANI /shpërblimi 2 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
III) ART KRASNIQI / shpërblimi 3 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
KLASA XI
- I) RINESË MORINA /shpërblimi 1 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
- II) ENIS LIMANI /shpërblimi 2 / Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan
- II) KLEDIA MEHMETI / shpërblimi 3 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
III) AIOLA BISLIMI / shpërblimi 4 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
KLASA XII
- I) ALBIN URUQI /shpërblimi 1 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
- II) SAIMIR BUNJAKU /shpërblimi 2 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
III) GRANIT MUSTAFA / shpërblimi 3 / Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Këta nxënës u shpërblyen me medalje, mirënjohje, libra dhe dhurata të tjera modeste të siguruara nga DKA dhe donatorë të tjerë rasti.
Këta përfaqësues të Gjilanit, më 01 shkurt 2020 në Prishtinë do të marrin pjesë në Olimpiadën e XII Matematike të Kosovës – OMK 2020. Testet e OMK-së do të bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, drejtimi natyror, të klasës përkatëse si dhe në testet e ngjashme të Olimpiadave Ndërkombëtare të Matematikës. Fituesit e OMK 2020, pastaj më 08.02.2020 në Prishtinë, do t’i nënshtrohen Testit për Përzgjedhjen e Ekipit (TST) të Kosovës. Këtu do të përzgjidhet ekipi prej 6 nxënësve që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në Olimpiadën e 60-të Matematike Ndërkombëtare – IMO 2020, e cila sivjet do të mbahet në St. Petersburg, në Rusi, më 08 -18.07. 2020, ku Kosova merr pjesë për herë të dhjetë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.
Po ashtu, nga këto gara përzgjidhet ekipi prej katër vajzave që do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Garat Evropiane të Matematikës për Vajza (angl. European Girls Mathematical Competition – EGMO), e cila do të mbahet në qytetin Egmond aan Zee, në Holandë, më 15-21.04.2020, ku Kosova merr pjesë për herë të parë.
Mbajtjen dhe organizimin me sukses të OMGJ 2020 pos SHMK-së, DKA-së dhe drejtorisë së Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, në forma të ndryshme e ndihmuan edhe Xhevat Krasniqi – profesor i Fakultetit të Edukimit në Prishtinë si dhe kompanitë gjilanase: “GANDIZAJN”, “ADEA”, “EFEKOS”, “LINDA”, “SYRI-MOBILE”, “TINGON”, “BITI” dhe TV VALI. Koordinatori i falënderoi të gjithë këta e posaçërisht Gani Kastratin nga “GANDIZAJN” për dhurimin e medaljeve për fituesit, për 12 vite me radhë, pra që nga fillimi i këtyre olimpiadave. Organizatorët e OMGJ 2020 iu dhanë nga një mirënjohje mësimdhënësve të matematikës të nxënësve fitues dhe shkollave të tyre si dhe të gjithë atyre që kontribuuan për mbarëvajtjen e kësaj olimpiade. Ndërsa drejtori i DKA-së, i dha mirënjohje koordinatorit Festim Shkodra për organizimin me sukses të OMGJ 2020.
Në solemnitetin e shpalljes së rezultateve morën pjesë edhe Kryetari i SHMK-së, profesori Armend Shabani me përfaqësues tjerë të SHMK-së: profesorët Kajtaz Bllaca dhe Valmir Krasniqi. Poashtu morën pjesë edhe profesori Mustafë Kadriu – ish zyrtar i lartë i MASHT-it.
Kryetari i SHMK-së Armend Shabani tha:
”Gjilani për më gjatë se një dekadë organizon në mënyrën më të mirë të mundshme Garat Komunale të Matematikës, kurse nxënësit e Gjilanit po i japin madhështinë si Olimpiadës Matematike të Kosovës, ashtu edhe Gjimnazit të Specializuar Matematikor e edhe Departmentit të Matematikës. Ne si komunitet i matematikanëve i gëzohemi sukseseve të tyre, qoftë ato brenda apo jashtë vendit. Gjithsesi, ky rezultat, veç tjerash, është edhe për shkak të angazhimit të madh që japin mësimdhënësit e Gjilanit dhe përkrahjes që ata gjejnë nga komuna e tyre, me çka Gjilani është bërë shembull i mirë edhe për komunat tjera.”
Me këtë rast ai tha se Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, me kënaqësi, e nderon Komunën e Gjilanit me Mirënjohje dhe e ceku se kjo është hera e parë që SHMK i dhuron një mirënjohje të këtillë një komune. Këtë mirënjohje në emër të komunës e pranoi Nazim Gagica drejtor i DKA-së në Gjilan. Kryetari i SHMK-së Armend Shabani, përgëzoi edhe koordinatorin Festim Shkodra për organizimin në nivel të lartë të këtyre olimpiadave për tërë këto vite. Pastaj, ai në emër të SHMK-së, iu dhuroi edhe nga një libër – përmbledhje detyrash nga OMK, fituesve të vendeve të para në OMGJ 2020 si dhe ju uroi suksese në vijim të gjithë fituesve.
Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë rasti edhe profesori Valmir Krasniqi – koordinator i SHMK-së për mbajtën e garave matematike, njëkohësisht kryetar i Shoqatës “Kangaroo Kosova”, i cili iu dhuroi të gjithë fituesve të OMGJ 2020 nga një libër – përmbledhje detyrash nga “Kangaroo 2018”. Ai ju uroi sukses fituesve dhe tregoi se shumë ish garues të suksesshëm të këtyre olimpiadave matematike sot studiojnë apo kanë mbaruar studimet në universitete prestigjioze në botë. Ai njëkohësisht foli për rëndësinë e garës “Kangaroo” në nxitjen, mbajtjen dhe avancimin e interesit të nxënësve për matematikë. Ai tha se pjesëmarrja e nxënësve në gara të matematikës sjellë avancimin e tyre në lëndën e matematikës dhe nxitë si nxënësit edhe mësimdhënësit e matematikës të punojnë për arritshmëri edhe më të lartë.
Pastaj fituesit i uroi edhe profesori Mustafë Kadriu – ish zyrtar i lartë i MASHT-it, duke e vlerësuar lartë punën e mësimdhënësve të matematikës në Komunën e Gjilanit si dhe sukseset e arritura nga nxënësit e Komunës së Gjilanit në gara të ndryshme të matematikës përgjatë tërë kësaj kohe.
Të pranishmëve iu drejtua edhe profesori Sabri Tahiri – meritor për kontributin shumëvjeçar në përgatitjen e kuadrit matematik të Anamoravës bashkë me profesorin e ndjerë Sadri Shkodra. Profesori Sabri Tahiri pasi i uroi fituesit, shprehu kënaqësinë e veçantë për sukseset që po arrijnë nxënësit e komunës së Gjilanit në nivel vendi, kombëtar e më lartë. Këto suksese ai tha se po na bëjnë krenarë të gjithëve, neve që merremi me matematikë, nxënësit, prindërit, shkollat dhe komunën tonë. Për të vazhduar këto suksese, ai kërkoi që komuna t’i mbështesë edhe më tepër garat e matematikës. Ai përgëzoi edhe organizimin me standarde të larta të garave matematike në komunën e Gjilanit dhe bëri thirrje për masivizimin e mëtejmë të garës “Kangaroo”, duke e çmuar atë garë si tejet të dobishme.
Në fund koordinatori Festim Shkodra e mbylli olimpiadën duke i falënderuar për pjesëmarrje të pranishmit dhe duke i uruar sukses ekipit të Gjilanit në OMK 2020 ndërsa garuesve të tjerë ju uroi suksese në garat tjera dhe mirëseardhje në garën më të madhe botërore për Matematikë “Kangaroo” më 21.03.2020 duke ftuar njëkohësisht edhe nxënësit tjerë të marrin pjesë në “Kangaroo 2020” dhe të bëhen pjesë e sfidës së pranuar nga bashkëmoshatarët e tyre nga mbarë bota në këtë garë.