Në shpatijet e Stanishorit në Gjilan është mbajtur gara e motoçiklizmit, ngjarje e rrallë sportive në vendin tonë në të cilën kanë marrë pjesë motoçiklistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë saj. Kjo garë është futur edhe në kalendarin e FMK-së, kurse kjo garë ishte e shtata me radhë që mbahet në këtë shteg.
Gara është përcjell nga një numër rekord i shkuesve kurse gara është zhvilluar në katër kategori. Organizator i kësaj gare ishte Klubi i Motoçiklizmit “MC 06” nga Gjilani.
Në kategorinë e Juniorëve Class, fitues ishte Lorin Salihu, ndërsa pozita e dytë i ka takuar Amar Mehmetit.
Në kategorinë “E1-125cc2t -2t 250cc4t”, më i miri ishte Lirim Rexhaj, në pozitë të dytë ishte Drilon Emini, ndërsa i treti ishte Shpëtim Berisha.
Në kategorinë “E2 250cc 2t – 450cc 4t”, gara më interesante më i miri ishte Blerim Aliu nga Gjilani, pozita e dytë i ka takuar Halit Rexhajt, ndërsa në të tretën është plasuar Valon Zeqiraj.
Në kategorinë E3, morën pjesë garuesit nën moshën 18 vjeçare dhe mbi 40 vjeçare.
Epiteti i më të mirit i ka takuar Arbenit Beqirajt, në pozitë të dytë u radhit Bashkim Aliu, ndërsa në të tretën është radhitur veterani nga Gjilani, Njazi Starabaja.
Organizatori dhe drejtori i FMK-së, Alban Beqiri, pas garës ka theksuar:
“Jam i lumtur së pari që gjithçka ka shkuar në rregull, u dëshmua se motoçiklistët e Kosovës nuk janë larg atyre nga Evropa, u dëshmua rivalitet i lartë sportiv, jam shumë i lumtur dhe i nderuar që një numër i madh i shikuesve sot ishte i pranishëm në këtë garë. i falënderoj të gjithë ata që na mundësuan ta mbajmë këtë garë prestigjioze, në veçanti i falënderoj garuesit për kulturën e tyre të garimit po dëshmojmë se FMK-së po rritet çdo ditë e më shumë dhe urojë që shumë shpejt edhe garuesit tanë do të jenë në arenën ndërkombëtare.”