Gjilan

Zbatimi i ligjit për barazi gjinore vazhdon të jetë një sfidë për shoqërinë kosovare

Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ), në bashkëpunim me zyrtaren për barazi gjinore do të organizojnë aktivitete të përbashkëta, për të shënuar “15 ditët e aktivizimit për eliminimin e dhunës ndaj grave”. Kështu është vendosur të mërkurën, në takimin e kësaj trupe komunale, e cila gjatë tërë vitit ka qenë e angazhuar në afirmimin e barazisë gjinore. Gjylshene Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë se në këtë drejtim po ecët ngadalë, por me rëndësi është se jemi në rrugë të mbarë.

Berisha ka thënë se as kuotën e përfaqësimit prej 30 për qind në vendimmarrje, nuk e kanë sjellë të huajt në Kosovë, siç mendojnë disa, por kjo është iniciuar qysh më herët nga organizatat e grave.

Sipas saj, për të siguruar përfaqësim sa më meritor të grave në politikë dhe vendimmarrje, zbatimi i ligjit për barazi gjinore duhet të fillojë nga subjektet politike dhe pastaj të bartet në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.

Linda Salihu, zyrtare për barazi gjinore, ka thënë se qëllimi ynë është që ta avancojmë barazinë, përfshirë edhe buxhetimin gjinor, megjithëse ajo u shpreh e pakënaqur sa i përket interesimit të grave për të marrë pjesë në dëgjimet buxhetore.

Salihu ka prezantuar edhe aktivitetet që do të zhvillohen për nder të “15 ditëve të aktivizimit për eliminimin e dhunës ndaj grave”, duke filluar nga shpalosja e një pllakate të madhe para teatrit të qytetit, shpërndarja e fletëpalosje për qytetarë e deri te marshimi i nxënësve, – të gjitha këto me mesazhe kundër dhunës në familje.

“Është me rëndësi që edhe të rinjtë të kuptojnë se dhuna nuk duhet të përdoret asnjëherë ndaj grave”, ka thënë Salihu.

Sa i përket ligjit për barazi gjinore, disa gjetje nga një hulumtim i ka prezantuar Sadete Trnava (OSBE), e cila ka thënë se Kosova ka ligje të mira e të mjaftueshme, por e keqja është se ato nuk zbatohen sa duhet në praktikë.

Sipas saj, përjashtim nuk bën as Gjilani, ku përfaqësimi gjinor në vendimmarrje është në mesataren e Kosovës, ndërkaq në ekzekutiv, është shumë i dobët.

“Zbatimi i ligjit për barazi gjinore vazhdon të jetë një sfidë për shoqërinë kosovare”, ka thënë Trnava.

Sabri Rexhepi, anëtar i KBGJ, ka thënë se femrat duhet të insistojnë që të përfaqësohen si vlera në politikë bërje dhe vendimmarrje dhe jo si numra.

Përndryshe, kontributet e tyre në këtë temë i kanë dhënë edhe Jonuz Hasani, Renan Imam, Xhyzide Ismajli dhe anëtarë të tjerë të Komitetit për Barazi Gjinore.

You Might Also Like