OPINION

ANGAZHIMI I VENDEVE BALLKANIKE PËR ALEANCA USHTARAKE

Enver Sadiku

 

Shtetet e vogla ballkanike, synim të kahershëm e kishin zgjerimin e territoreve të tyre, duke mëtuar që të shtrihen në territoret që administroheshin nga Perandoria Osmane, sidomos ndaj atyre të banuara me shqiptarë. Rezistenca e armatosur e sidomos Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912, e cila e dërmoi Perandorinë Osmane ishin shenjë për shtetet ballkanike se ishte koha për realizimin e projekteve të tyre si: “Naçertanija” (“Projekti”) serbe dhe “Megali Idea” (“Ideja e Madhe”) greke, andaj shtetet ballkanike nisën përpjekjet për arritjen e aleancave ballkanike, duke përjashtuar shqiptarët nga to. Të gjitha këto plane të shteteve ballkanike do t’i hidhte në erë suksesi i plotë i Kryengritjes së Përgjithshme, ngase shtetet ballkanike nuk kishin qenë të bindura në suksesin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 e ato vetëm kur shqiptarët çliruan qytete të tëra, intensifikuan përpjekjet për arritjen e aleancave.

Hyrja triumfale e kryengritësve shqiptarë në Shkup më 12 gusht 1912 dhe përsëritja e kërkesave kombëtare të formuluara në Memorandumin 14 pikësh të Hasan Prishtinës, bënë që ministri i Punëve të Jashtme i Austro-Hungarisë, Leopold Berthold t’u propozojë Fuqive të Mëdha që të bënin një hap të përbashkët pranë qeverisë osmane për t’i kërkuar decentralizimin. Vjena gjithashtu kërkonte nga Stambolli që t’i përmbush kërkesat e shqiptarëve për t’ua njohur autonominë territoriale – administrative e kjo bëri që të shqetësohen shumë shtetet ballkanike.[1] Ato kishin frikë nga  krijimi dhe e konsolidimi i një Shqipërie autonome, ngase kjo ishte në kundërshtim me interesat e tyre. Shtetet ballkanike gjithashtu druanin se bërja e Shqipërisë autonome do të prodhonte edhe efektin tjetër atë të çështjes maqedonase. Duke parë një rrezik të tillë, shtetet ballkanike tejkaluan mospajtimet mes veti dhe pasi arritën aleanca e nisën sulmin ushtarak kundër Perandorisë Osmane me një rrëmbim të tillë, që i zuri në befasi edhe vetë diplomacitë evropiane, pa përjashtuar edhe atë ruse.[2]

Në një letër të ministrit të Francës në Beograd, drejtuar Rajmond Puankares, kryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Francës, thuhej se ishin lëvizjet e Shqipërisë e të Maqedonisë që për shkak të rifillimit të tyre të papritur e ndërprenë qetësinë e serbëve.[3]Mirëpo, duhet thënë se kjo nuk ishte arsyeja e vetme që serbët dhe të tjerët u vunë në veprim, ngase tentimet për lidhjen e një aleance ballkanike kishin nisur kaherë, kurse këto bisedime më serioze u bënë pas shpërthimit të kryengritjes shqiptare në vitin 1910. Pikërisht në këtë vit, mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq së bashku me kryeministrin Nikolla Pashiq dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Millovan Millovanoviq, i bënë një vizitë carit të Rusisë, Nikolla II, ku ndër të tjera folën edhe për krijimin e një marrëveshjeje serbo – bullgare, gjë e cila ishte e vështirë të arrihej, ngase qeveria bullgare nuk hiqte dorë nga programi i Shën Stefanit, andaj u desh që autoritetet ruse të ndërmjetësonin për të hequr dorë nga një program i tillë. Kryengritja shqiptare e vitit 1911, kishte alarmuar qeverinë serbe, e cila ndërmori nismën për marrëveshje me Bullgarinë. Ambasadori rus në Beograd, Nikollaj Hartvigu dhe ai në Sofje, Nedlukovi, në vjeshtë të vitit 1911, ndërmjetësuan që të takohen ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Millovan Millovanoviq dhe kryeministri bullgar Ivan Geshov. Ata e vlerësuan si të domosdoshme krijimin e një marrëveshje serbo-bullgare, ngase në kryengritjet e shqiptarëve shihnin se po u prekeshin interesat, por edhe se një rrezik të tillë nuk do të mund ta përballonin si të vetme, as Serbia e as Bullgaria. Në bisedimet që zgjatën dy ditë, prej 19 deri më 21 shtator 1911, Serbia e Bullgaria u përpoqën të harmonizojnë interesat e tyre për ndarjen e tokave të Maqedonisë së sotme, që bënin pjesë në kuadër të Vilajetit të Kosovës. “Përfaqësuesit serbë dhe ata bullgarë, banorët e këtyre territoreve, shqiptarët dhe maqedonasit nuk i shihnin si bashkëluftëtarë, por si plaçkë tregu, si trofe që do të pasonte pas një suksesi të një lufte të afërt.”[4]

Qëndrimet e këtyre vendeve nuk përputheshin në shumëçka, andaj bisedimet mes Beogradit e Sofjes qenë të gjata dhe të vështira.[5] Qeveria bullgare donte që çdo marrëveshje që do të arrihej të drejtohej kundër Perandorisë Osmane. Ajo kishte si qëllim kryesor krijimin e një Maqedonie autonome, e cila më vonë do t’i bashkohej ose do të aneksohej prej Bullgarisë. Serbia rrezikun e saj e shihte te Austro-Hungaria dhe duke ditur pretendimet bullgare e kundërshtonte krijimin e një Maqedonie autonome. Ajo kërkonte një marrëveshje ndarëse dhe duke e konsideruar vetën së pari të rrezikuar nga qeveria austro-hungareze, donte që çdo pakt të mbulonte gjithashtu një sulm në territoret e saj nga veriu.[6]

Të dy vendet, Serbia dhe Bullgaria kishin objektivat dhe synimet e tyre. Kështu Serbia përpos Vilajetit të Kosovës dhe Shqipërisë Veriore, objektiv të sajin kishte edhe ndarjen e Maqedonisë, kurse Bullgaria që kërkonte një provincë autonome maqedonase dhe bazohej në një model të ngjashëm me atë që kishte bërë Austro – Hungaria në Bosnjë dhe Hercegovinë.[7]

Të dy shtetet fillimisht kishin arritur një marrëveshje në vija të përgjithshme, e më pas, në nëntorin e vitit 1911, në Sofje të Bullgarisë nisën negociatat e mirëfillta. Ato udhëhiqeshin në mes të Ivan Geshovit dhe të dërguarit të posaçëm serb, Mirosllav Spalajkoviç. Ministri serb, nga Beogradi bashkë me vete po bartte një program për ndarjen e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane, të cilin e kishte përgatitur në mirëkuptim me ambasadorin rus Hartvig. Bullgarët vazhdonin të insistonin në një Maqedoni autonome, duke përjashtuar idenë për ndarjen e rajonit nëpërmjet një arbitrazhi rus. Serbët paraqitën një propozim të dytë, që Maqedonia të ndahej në një pjesë bullgare, një pjesë serbe dhe një pjesë, në mes e ashtuquajtur “zonë e diskutueshme”. Geshovi ishte kundër një zgjidhje të tillë, por vendimtar ishte ndërmjetësia e dy ambasadorëve rusë.[8]

Pas një muaji, në misionin e dytë, duke parë se bullgarët nuk po bindeshin, serbët pranuan kërkesat fillestare bullgare, duke ripropozuar një Maqedoni autonome, por me një ndarje në tre sektorët e përvijuar, në të cilat “zona e diskutueshme” do të zgjerohej në dëm të territoreve të caktuara për Bullgarinë. Më pas, në janar 1912, u bë seria e tretë e bisedimeve, ku u fol vetëm për “zonën e diskutueshme”, që përfshinte qytetet e Shkupit, Kumanovës, Ohrit, Dibrës, Kërçovës dhe Tetovës. Serbët e bullgarët ranë në ujdi për kufijtë lindorë të zonës, por kurrsesi nuk po mund të pajtoheshin për kufijtë veriperëndimor, në sektorin e Liqenit të Ohrit, në veçanti përreth qytetit të Strugës, tek i cili synonin si bullgarët, ashtu edhe serbët. Misioni i katërt i Spalajkoviçit në Sofje, në shkurt 1912, qe një ftesë për ta shtyrë çështjen më vonë, por qeveria bullgare, me insistimin e rusëve më në fund pranoi ta përfshinte Strugën në “zonën e diskutueshme”, në shkëmbim të premtimit që qyteti, në kohën e arbitrazhit, do t’i jepej Bullgarisë.[9]

Pasi arritën marrëveshje, më 13 mars 1912, Serbia dhe Bullgaria nënshkruan një aleancë mbi mbrojtjen e përbashkët dhe përpos kësaj ata u zotuan se do të ndërmerrnin veprime të përbashkëta kundër cilitdo shtet që cenonte të merrte tokat osmane në Ballkan. Serbia dhe Bullgaria kishin arritur edhe një marrëveshje të fshehtë, ku ato kishin paraparë se si do të ndajnë territoret në Maqedoni.[10]

Serbia e Bullgaria, popullata e të cilëve kishin pasur fatin sikurse çdo popull tjetër i Ballkanit, duke qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, mbi çdo interes tjetër kishin vënë aspiratat e tyre, duke u munduar që ato aspirata t’i sendërtojnë mbi tragjedinë e popujve të tjerë. Fakt për t’u theksuar është se gjatë bisedimeve serbo-bullgare ishte përmendur edhe roli e pozita e shqiptarëve, por pala serbe u shpreh kundër formimit të një shteti shqiptar, duke i cilësuar shqiptarët pa aftësi shtetformuese,[11] e për shkak të aspiratave që kishin në zonë, asnjë shtet ballkanik nuk dëshironte që Shqipëria të zhvillonte identitetin e saj kombëtar dhe të bashkohej nën mbrojtjen e sovranitetit otoman.[12]

Aleanca Ballkanike u krijua në kundërshtim me interesat e Austro-Hungarisë dhe të Lidhjes Trepalëshe. Perandoria Austro-Hungareze bëri përpjekje të mëdha për ta shpërbërë aleancën duke nxitur mosmarrëveshje midis Serbisë dhe Bullgarisë, por nuk ia arriti qëllimit[13], kurse pikërisht kjo aleancë kishte edhe një qëllim tjetër, atë të ndaljes së ndikimit të Austro-Hungarisë në Ballkan[14], e Rusia ishte sponsor i kësaj aleance, sepse synonte ta përdorte kundër planeve austro-hungareze në Ballkan.

Shtetet Ballkanike ishin të vendosura për dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, por ato nuk mund të pranonin që Shqipëria dhe Maqedonia të dilnin si shtete më vete, sepse aspironin të zgjeroheshin përmes copëtimit e ndarjes midis tyre të territoreve shqiptare dhe maqedonase.[15] Vendet aleate po e ndjenin fitoren shqiptare dhe se ajo do të bëhej një vend autonom i përbërë nga katër vilajetet e Shkodrës, Janinës, Manastirit e Kosovës. Ato vlerësonin se nëse problemi shqiptar do të zgjidhej përfundimisht, atëherë vendet aleate do t’i gjenin dyert e mbyllura në perëndim.[16]

Edhe shqiptarët që po luftonin për lirinë e tyre kundër Perandorisë Osmane, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre bënë përpjekje që të lidhen me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por fqinjët që ishin marrë vesh për ndarjen e territoreve të banuara me shqiptarë nuk i donin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në aleancë. Ata e dëshironin luftën e shqiptarëve kundër Perandorisë, me qëllim që më pas më lehtë të realizojnë interesat e tyre, e krerët shqiptarë e kishin kuptuar se do të ishte e barasvlershme me vetëvrasje pjesëmarrja në aleancë pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre.[17]

Më vonë, për ekzistimin e një aleance serbo-bullgare, fliste edhe shtypi evropian. Gazeta franceze e kohës, “Le Temps”, shkruante se korrespondenti i tyre nga Vjena, ka vënë në dukje se në qarqet politike vjeneze po qarkullonin komente për përfundimin e një aleancë të ngushtë serbo-bullgare e ku thuhej se ky traktat ishte lidhur në muajin prill dhe sipas tij parashihej veprim i përbashkët i këtyre dy fuqive në raste të caktuara nëse ndodhin të papriturat.[18]

Sukseset e kryengritësve shqiptarë dhe frika e krijimit të një shteti të mëvetësishëm shqiptar ka shtyrë aleatët ballkanikë, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë e Greqinë që të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve e në të gjitha këto zhvillime një rol shtytës ka luajtur Rusia cariste, e cila ka ndërmjetësuar në tejkalimin e ndarjeve e papajtueshmërive që ekzistonin kryesisht në mes të Serbisë e Bullgarisë edhe atë për ndarjen e territoreve që kryesisht ishin shqiptare. Asnjëra nga mbretëritë e vogla ballkanike, shkaku i aspiratave të tyre pushtuese, jo që nuk i shihnin shqiptarët si partnerë të barabartë në luftën për çlirim, por ishin kundër formimit të shtetit shqiptar.

 

Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike” i autorit Enver Sadiku

[1] Cana, Z., 1986. Socialdemokracia Serbe dhe çështja shqiptare 1903 – 1914. Prishtinë: Rilindja, f. 112.

[2] Puto, A., vep. e përm., f. 87.

[3] MAE AD, Turquie, Guerres Balkaniques, III, Vol. 231, Juin – Juillet 1912, AIH, seria f. 205; Shatri, M., vep. e përm., f. 191.

[4] Shala, Xh., vep. e përm., f. 29 – 30.

[5] Castellan, G. 1991. Histori e Ballkanit (shek XIV – XX). Tiranë: Çabej, f. 392.

[6] Jelavich, Ch. and B. 2004. Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit 1804 – 1820. Tiranë: Dituria, f. 200.

[7] Ivetic, E., vep. e përm., f. 42

[8] Po aty, f. 44.

[9] Po aty., f. 45.

[10] Jelavich, Ch. and B., vep. e përm., f. 201.

[11] Verli, M., vep. e përm., faqe 50.

[12] Gawrych, G. 2007., Gjysmëhëna dhe shqiponja – sundimi otoman, islamizmi dhe shqiptarët 1874 – 1913, Tiranë: Bota Shqiptare, f. 301.

[13] Ramadani, F., Kontributi…, f. 258 – 259.

[14]Enciklopedija Jugoslavije. 1955. Zagreb: Jugoslovenski Leksikografski     Zavod, s. 316; Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 501.

[15] Mullai, A., 2008. Histori e Ballkanit shek. XIX – 1918, Tiranë: SHBLU, f. 231.

[16] Schewill, F., 2002. Ballkani – historia dhe qytetërimi, Tiranë: Eugen, f. 382.

[17] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 503.

[18]Le Temps nr. 18603. 08.06. 1912. Autriche- Hongrie – L’alliance serbo-bullgare (raport i korrespondentit, i dërguar me telegraf nga Vjena). Paris, f. 2.

You Might Also Like