Libri

Intervistë me shkrimtarin Arsim Halili

Arsim Halili është shkrimtar nga Kosova Lindore, nga Bujanovci. Deri më sot ka shtatë libra të botuar me poezi, ese, intervista si dhe me novela. Ka mbaruar studimet bachelor dhe master për letërsi. Punon si mësimdhënës në fshatin Dobrosin. Shkrimtari Arsim Halili merret me studime të kritikës letrare dhe si hobi ka vështrimet kritike të formave narrative.

Kryelajmi: “A mund të na tregoni për pasionin tuaj?”

Arsim Halili: Pasioni im është libri. Përderisa shkruaj patjetër që duhet të lexoj. Çdo libër që del risi më gëzon pasi për mua është e rëndësishme se nga ajo që lexojmë fitojmë njohuri të reja të formave të ndryshme, qoftë letërsi, shkencë apo arteve të tjera!

Kryelajmi: “Cilat tema i’u pëlqejnë t’i trajtoni më shumë?”

Arsim Halili: Kryesisht në poezi mbizotëron lirika e dashurisë por edhe çështje të tjera filozofike. Në prozë te novelat janë çështjet e luftës ndërsa në fushën e studimeve me që edhe kam magjistruar në letërsi në çështje narrative trajtoj format narrative të shkrimtarëve të ndryshëm!

Kryelajmi: “Cila ka qenë një prej vështirësive më të mëdha si shkrimtar?”

Arsim Halili: Vështirësitë janë të natyrshme, sidomos ardhja deri te botimi. Kemi anën materiale mirëpo çka është edhe më specifike do të thoja se nuk përkrahet as pas botimit e për shkrimtarin çka është shqetësuese është se libri duhet të blerë e lexuar. Për mua shqetësimi më i madh është ndoshta që tashmë leximi po bie si shkak i aktiviteteve tjera të formave të ndryshme të leximit elektronik, nuk është i keq por për mua libri është i pazëvendësueshëm.

Kryelajmi: “A keni ndonjë botim edhe në formë fizike edhe elektronike?”

Arsim Halili: Jo, për fat të keq. Ende vazhdoj të pëlqej librin fizik kështu që shpresoj që në të ardhmen do të vazhdoj forma fizike të cilën do t’a cilësoja ndoshta më adekuate për lexuesin pavarësisht se edhe libri elektronik i ofron lexuesit bashkëkohor koncept të qartë. Janë forma paralele, ajo çfarë është e rëndësishme është që të lexojmë në formë teknike, qoftë shtypin fizik qoftë atë elektronik.

Kryelajmi: “A keni më shumë mbështetje në pjesën e luginës apo në Kosovë?”

Arsim Halili: Jam pjesë aktive e Ars Klubit “Beqir Musliu” në Gjilan dhe anëtarë i shoqatës së shkrimtarëve në Preshevë e cila ka bashkëpunim reciprok mes shoqatës së Kosovës. Mirëpo në luginë ka shumë pak mbështetje pos asaj materiale edhe në lexim. Për fat të mirë unë me miqtë e mi krijues të Ars Klubit letrar “Beqir Musliu” kam arritur të kem një bashkëpunim në botime dhe më motivojnë për t’i botuar sa më mirë me një cilësi të lartë pasi është e natyrshme se çdo botim ka nevojë për një mbështetje profesionale. Jam i kënaqur me bashkëpunimin shumë serioz të miqve të mi krijues këtu në Gjilan. Kryelajmi.com

Intervistën e realizoi: Kledia Mehmeti

You Might Also Like