Sportet me dorë

KV Drita angazhon dy lojtaret më të mira në Kosovë

Dy volejbollistet nga Drenica, Rukije Muja dhe Elvira Bajraktari  tashmë janë pjesë e klubit të volejbollit Drita.
Muja e Bajraktari kanë nënshkruar kontrata profesionale me klubin bardhekaltër, ku kanë konfirmuar që do të jenë pjesë e ekipit që udhëhiqet nga përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Lorik Ilazi.
Në prani të drejtorit të klubit Florent Haziri, Rukije Muja dhe Elvira Bajraktari, kanë arritur akordin me klubin gjilanas, i cili me përforcimet e bëra së fundi, ka shpërfaqur ambicien e vetme që e ka, kthimin e titullit në Gjilan.
22 vjeçarja Muja luan si pranuese dhe ka gjatësi prej 185 cm, ndërsa 21 vjeçarja Bajraktari me 188 cm është lojtarja më shtatlartë vendore në Superligë dhe luan në pozitën e qendrës.
Të dy volejbollistet, i kanë zyrtarizuar kontratat te noteri, duke e bërë KV Drita shembull te funksionimit profesional dhe respektimit të obligimeve që dalin nga kontratat.
Kjo është mundësuar falë kontributit të madh që po jep presidenti i klubit Kupi Shabani, i cili është vënë në shërbim të klubit me të gjitha forcat, duke mbështetur trajnerin Lorik Ilazi, në kërkesat për përforcim të ekipit.
Me ardhjen e Rukije Mujës dhe Elvira Bajraktarit te KV Drita, tashmë kjo skuadër e ka në rradhët e veta formacionin më të mirë të vitit të kaluar, të votuar nga trajnerët, meqë më herët në këtë klub kanë nënshkruar edhe dyshja Valmira Ramadani e Dhuratë Sylejmani nga Ferizaj.
Ardhjet e reja dhe kompaktësia e tyre me pjesën tjetër të ekipit falë përvojës së përbashkët në kombëtare, do t’i lehtësojnë punët trajnerit Ilazi për të komponuar skuadrën në afat sa më të shkurtër, me theks të veçantë në prezantimin dinjitoz në CEV Cup.

You Might Also Like