KULTURA

Manifestimi i Flakës së Janarit si (s’) është

ramadan Shkruan: Ramadan Kurti, aktor — kryetar i Komitetit për kulturë në LVV-qendra në Gjilan –

Flaka e janarit, si një nga manifestimet më serioz dhe masovik në Kosovë dikur, por që pikënisjen e ka në Gjilan, kohëve të fundit ka zënë të zbehet, jo për shkak të mosinteresimit të njerëzve, e as të artistëve të të gjitha profileve e lëmive, por më shumë për shkak të një organizimi më të ngushtë dhe për shkak të ndërhyrjeve edhe në skemën programore. Kjo ka ngjarë edhe në manifestimin e sivjetmë të Flakës së Janarit. Një manifestim i cili ka bërë 27 vjet jetë në skenë, do të duhet ta kishte marrë formën përfundimtare, siç edhe e pat filluar ta marrë, por ndërhyrjet politike, ngjyrimet politike që po i jepen, po bëjnë që qytetarët e mësuar tashmë me këtë, të pyesin çfarë në të vërtetë po ndodh me këtë manifestim multi kulturor të Gjilanit. Pse po ndërhyhet në skemën programore e përmbajtjen të këtij manifestimi? Pse nuk po ruhet përbërja heterogjene e Këshillit organizativ të manifestimit?! Pse dhe kush i dha të drejtë dikujt që të ndryshoj logon e manifestimit e cila tani më ishte bërë e identifikueshme për të gjithë? Pse secila parti politike që vjen në pushtet, ndërhyn duke ngjyrosur politikisht këtë manifestim, qoftë duke futur elemente që e karakterizojnë atë (partinë) posaçërisht, qoftë duke anashkaluar profesionistët që janë angazhuar me vite, të cilët po zëvendësohen me element partiakë, edhe pse profesionalistët do të duhej të ishin ata që vënë në vij, mbajnë realizojnë, begatojnë e përparojnë edhe më shumë këtë manifestim.

Jemi në vitin e 17-të të organizimit ë këtij manifestimi pas periudhës së pas luftës dhe edhe më tutje nuk kemi një rregullore, statut që rregullon një herë mirë si përmbajtjen, ashtu edhe mënyrën e funksionimit e realizimit të tij. Kjo është një neglizhencë e institucioneve komunale e në veçanti e atyre të kulturës e të komunës , por edhe atyre qendrore.

Edhe më tutje për këtë manifestim, financimi bëhet ad hoc, pra nuk ka buxhet të planifikuar, të ndarë me kohë, gjë që bënë të pamundur një përgatitje të mëhershme për të, sepse buxheti i ndarë për këtë manifestim reflektohet edhe në cilësi të tij. Mangësi e veprime që e dëmtojnë këtë manifestim janë mënyra e zgjedhjes së jurive dhe vlerësimet e tyre, që po ashtu nuk bëhen sipas kritereve të caktuara mirë. Pastaj vlerësimet e njëanshme të jurisë shpesh kanë zgjuar reagim e iritim të vet pjesëmarrësve në konkurse, po nganjëherë ato kanë qenë të vërejtshme edhe prej qytetarëve pjesëmarrës. Për këtë arsye gjithnjë e më tepër kohëve të fundit po kemi hezitim të krijuesve serioz të fushave të ndryshme, për të konkurruar në këtë manifestim.

Në cilësinë e këtij manifestimi ndikon edhe mungesa e një reklame në mjetet qendrore të informimit, sidomos në televizione. Sa herë që ka pasur këso reklamime e informime, konkurrenca ka qenë me e madhe dhe pjesëmarrja e cilësia është rritur. Natyrisht kjo është bërë here pas here, por më tepër nga ndikimi i njerëzve që kanë përbërë bordin e Flakës.

Po të plotësoheshin disa nga këto kushte e mangësi që u përmenden më lartë, por edhe po të kishte një trysni më të madhe të institucioneve komunale të kulturës në Ministrinë e Kulturës, ky manifestim dikur me synime mbarëkombëtare, do të duhet të kishte mbështetjen financiare edhe nga kjo ministri e jo të mbetet nën mëshirën e kufizimin e buxheteve të varfra komunale.

Të mos harrojmë se ky manifestim nga Gjilani u përhap në Pejë, Deçan, Tetovë, Gostivar, Tiranë, në shumë shtete në diasporë, sepse atyre që u kushtohet ky manifestim janë heronjtë, të kohëve të ndryshme dhe ata nuk njohin as kufij komunash, as kufij artificial shtetëror, kundër të cilëve ata luftuan duke dhënë jetë e tyre, prandaj edhe përkushtimi ynë për këtë duhet të jetë me përmasa të ngjashme.

Prandaj ata meritojnë që të nderohen me një manifestim që shënon, kultivon vlera kulminante në fusha të ndryshme të artit. Pra ky manifestim si i tillë, që synon përmes kulturës të përkujtojë heronj të shquar kombëtarë të trevave shqiptare e të periudhave të ndryshme, nuk i duron konotacionet e ngushta politike, të cilat veçse lëndojnë sedrën, shpirtin e sakrificës, zemërgjerësinë e vet këtyre atdhetarëve të mëdhenj, që janë veç tjerash në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë edhe heronj kulturorë. Natyrisht, unë nuk u ndala edhe në theksimin e gjërave e zhvillimeve pozitive, në përkushtimin edhe të vet artistëve të fushave të ndryshme të artit, të cilët jo rrallë i kanë dhënë shkëlqim këtij manifestimi, por po bëj një vështrim kritik në organizim e përkushtim me qëllimin më të mirë, që të kemi ruajtje të misionit e qëllimit fillestar të këtij manifestimi kushtuar heronjve, dhe të mos shmangemi as nga përvijimi i krijuar ndër vite, e që është mirëpritur e shijuar në më shumë se një çerek shekulli. Unë që po shpreh këto brenga qëllimmira, kam qenë pjesë e pandashme e këtij manifestimi ndër vite, prandaj i kam parë, jetuar e përjetuar si njeri, si artist, si organizator e tash po i shohë edhe nga jashtë, si artist, si profesionist, si qytetar, ndërsa sot po i shoh kështu edhe në rolin e një kritiku që asnjëherë s’ngurron të flas troç e pa dorëza atë që mendoj se është e drejtë.

You Might Also Like