OPINION

PERSONALITETI ATDHETAR I MULLA IDRIS GJILANIT

Nexhmedin Sejdiu

Në të gjitha periudhat historike, populli shqiptarë e krahas tij edhe kleri fetar ( qoftë ai mysliman apo katolik), asnjëherë nuk i ndali përpjekjet e veta për të arritur çlirimin nga zgjedha e huaj, duke luftuar për të ruajtur të pandryshuar identitetin e vet kombëtar e fetar, gjatë rrjedhës së shekujve në histori. Padyshim se një rol vendimtar luajtën personalitetet historike, ku vepra e tyre mund të shihet në përmasat reale vetëm në kontekstin e dhënë historik brenda të cilit ata jetuan dhe vepruan. Një personalitet i dalluar i cili ka lënë gjurmë në fusha të caktuara të veprimtarisë politike, shoqërore, kulturore dhe ushtarake është Mulla Idris Gjilani, flamurtar i bashkimit të Shqipërisë etnike. I lindur me emrin Idris Hajrullahu, mirëpo për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, fetare e kombëtare në Gjilan e rrethinë do të bëhej i mirënjohur gjithandej ndër shqiptarë e më gjerë me emrin e tij, fetar, prindëror dhe etnik si Mulla Idris Gjilani. Vitet e fëmijërisë së Idrisit, ishin jashtëzakonisht të vështira sepse shqiptarëve u mohohej çfarëdolloj e drejte njerëzore, kombëtare e demokratike. Në këto rrethana shqiptarëve u mohohej e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në shkolla, në administratë, në veprimtaritë publike dhe në organizime të ndryshme me karakter kombëtar, po ashtu nuk u lejohej përdorimi i flamurit kombëtar. Pra, shqiptarët trajtoheshin në një formë ose tjetër si qytetar të dorës së dytë. Në çdo qytet të Kosovës vërehej një prapambetje e madhe kulturore dhe arsimore, si pasoj e sundimit të huaj shekullor dhe e diskriminit shovinist serbo-jugosllavë. Nga këto vështirësi, përqindja e analfabetizmit ndër shqiptarë do ta kalonte 90 përqindëshin.

Kjo gjendje e Kosovës në shekullin e njëzetë karakterizohej me probleme nga më të ndryshmet, ku populli do të ballafaqohej me vuajtje, përndjekje, dëbime e maltretime të ndryshme, që do të mbeteshin gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Jeta dhe vepra e Mulla Idris Gjilanit është dëshmi e këtyre viteve tejet të vështira për popullsinë e këtyre trevave. Ai si luftëtar i lirisë dhe prijës i bashkimit të shqiptarëve në një Shqipëri, është dëshmia më e mirë e një njeriu vizionar, trim dhe të vendosur në shërbim të kauzës fetare dhe kombëtare.

Për formësimin e karakterit të çdo personalitetit, rol vendimtar luan shkollimi. Në mungesë të shkollave shqipe në Gjilan, mësimet e para të fillores dhe një lloj shkolle të mesme për aftësime për punë administrative, Mulla Idris Gjilani do t’i kryente në gjuhë të huaj, përkatësisht në atë turke. Pavarësisht vështirësive dhe ndërprerjeve të shkollimit për shkak të luftërave dhe gjendjes së trazuar në Gjilan dhe Kosovë, Mulla Idrisi asnjëherë nuk do të dorëzohej dhe do të vazhdonte

shkollimin e tij. Personaliteti i tij i dalluar dhe sukseset të cilat i kishte treguar gjatë shkollimit e bëri atë të marrë titullin hoxhë-imam që në moshën 25 vjeçare duke marrë edhe një diplomë për kryerjen e shkencave teologjike, ku do të arrinte të merrte titullin Mulla.

Si personalitet i dalluar që ishte dhe respekti që gëzonte në rrethe ku jetonte dhe vepronte ndikoj që Mulla Idrisi u caktua të kryej punën e hoxhës fillimisht në fshatin Pidiq të Karadakut, e më pas do të vazhdonte në Hogosht. Ku pos punës si imam do të kryente në të njëjtën kohë edhe detyrën e nëpunësit të gjendjes civile ( ofiqarit) dhe punë të tjera në të mirë të banorëve të këtyre zonave. Karakteri i tij i vendosur, përkushtimi në punë, respekti që gëzonte ngado që shkonte, bëri që të ngritej në pozitën e anëtarit të Kuvendit të Këshillit të Kryeimamit (Bash-veizit) të Vakëfit në Shkup në vitin 1938.

Epitetin e një personaliteti të dalluar, e justifikonte me angazhimet e tij në shumë fusha jetësore, krahas angazhimeve të tjera ai u mor edhe me shkrime teorike për fenë dhe filozofinë kryesisht islame në revistat e kohës të cilat publikoheshin në Sarajevë. Ka mendime nga disa bashkëkohës të Mulla Idrisit që thonë se ai bashkëpunoi me disa revista e gazeta laike e fetare edhe në Shqipëri, ku shkrimet i shkruante jo me emër të tij por me pseudonim. Si poliglot që ishte, krahas gjuhës amtare shqipe, dinte po ashtu serbokroatisht, turqisht, arabisht e deri diku edhe persisht.

Si veprimtar dhe personalitet i ndritur i lëvizjes kombëtare për përhapjen e dijes në mesin e shqiptarëve, Mulla Idris Gjilani, mori mbi supet e tij barrën për dhënien e mësimit, edhe pse një gjë e tillë e shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe ishte një akt i dënueshëm nga shteti jugosllav. Ai në forma të ndryshme do ta gjente mundësinë që në mesin e disa nxënësve të zgjedhur mundohej për të përhapur dhe ngulitur mësimin e gjuhës kombëtare duke vu theksin në qëllimin e promovimit të islamit etnik e kombëtar ndër shqiptarë. Në të njëjtën kohë jepte mësim në shumë mejtepe të ndryshme në Gjilan, e gjetiu. Ku pos djemve ai jepte mësim edhe për vajza.

Ngado që shkonte kishte autoritet dhe gëzonte një respekt të madh nga njerëzit e këtyre vendeve, kishte disa veçori të dallueshme të cilat e bënin të pranueshëm kudo ku jetonte dhe vepronte. Me një shtat të shkurtër, i matur, i vendosur, tipare të cilat do ta vendosin krahas personaliteteve të dalluara shqiptare të kohës. U angazhua jashtëzakonisht shumë për ndërprerjen e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Ai me autoritetin e vet ndikoi tek nëpunësit tjerë

islam të cilët i urdhëroi organet fetare të rretheve, që të viheshin në aksion në ndalimin e shpërnguljes së shqiptarëve, veprim cili rrezikonte qenien tonë.

Si personalitet fetar dhe patriot i dalluar Mulla Idris Gjilani gjatë Luftës së Dytë Botërore iu përkushtua mbrojtjes së kufirit të Shqipërisë etnike duke mos kursyer asgjë nga vetja e tij. Si udhëheqës me ndikim të madh politik, fetar e ushtarak, do t’ia parashtronte vetes detyrën më fisnike, atë të mbrojtjes së atdheut. Mulla Idris Gjilani, me tiparet e tij të dalluara të një luftëtari të paepur do të mbetej i përkushtuar për bashkimin e trojeve shqiptare.

Ishte i pranishëm ku do që e kërkonte nevoja; në shërbesa fetare si imam; si mësues përhapte dije dhe fjala e tij kishte peshë të madhe; si komandantët dhe strateg ushtarak gëzonte respekt dhe admirim të madh nga ushtarët e tij. Ai u gjend në ballë të luftës kundër forcave komuniste serbe e bullgare që ishin drejtuar për të kryer masakra mbi popullin shqiptarë. Me karizmin e tij, ndikoj jashtëzakonisht shumë për të forcuar lidhjen e bashkimit të shqiptarëve mes veti.

Mulla Idris Gjilani, aktivitetin e tij si udhëheqës fetar e kombëtar nuk do ta ndalonte deri në fund të jetës së tij, edhe pse pas vitit 1944 deri më 1949 nuk pati shumë mundësi të organizonte ndonjë aksion me rëndësi, sepse në këtë periudhë jetonte në ilegalitet. Viti 1949 do të rezultonte fatal për jetën e Mulla Idris Gjilanit, pushteti i atëhershëm do ta zbulonte dhe më vonë në burgun e Gjilanit do ta vrisnin me mjete më makabre që për njerëzimin nuk ishin dëgjuar që nga mesjeta e largët.

Me vrasjen e tij nuk do të shuhej përpjekja e bashkëluftëtarëve të tij për të cilën ata luftuan, ajo do të shërbente frymëzim për gjeneratat e ardhshme deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës e viseve të tjera shqiptare nga pushtuesit sllav. Tanimë nami e tij si figurë kombëtare e fetare i ka kaluar kufijtë e shqiptarisë, duke u renditur krahas njëqind liderëve më të mëdhenj mysliman të shekullit njëzetë, duke u përmendur ndër libra e enciklopedi të ndryshme botërore.

Disa personalitete kanë lindur për të mos vdekur kurrë, bëmat e tyre kanë mbetur të skalitura në kujtesën e popullit shqiptarë, për të mos u shuar kurrë deri në përjetësi. I tillë ishte edhe Mulla Idris Gjilani, i cili luftoi për të mbajtur të gjallë ndjenjën kombëtare e fetare ndër shqiptarë brez pas brezi deri në ditët e sotme.

You Might Also Like