Gjilan

VV: Arsimi gjilanas në gjendje jo të mirë, atë duhet nxjerrë nga kjo situatë

Lëvizja Vetëvendosje , dega në Gjilan, gjegjësisht nënkomiteti i saj për arsim, ka mbajtur një tryezë të titulluar “Arsimi në komunën e Gjilanit gjatë vitit 2018” në të cilën kryesisht është folur për ngecjet në arsim.

Ismajl Kurteshi, deputet në Kuvendin e Kosovës,  ka thënë se arsimi në Gjilan nuk ka shumë dallime nga ai në Kosovë dhe ai ka dhënë disa fakte për ngecjet në arsim siç janë ato se me gjithë se arsimi u shpall me prioritet kombëtar, në arsim nuk ndodhi asnjë ndryshim. Sipas Kurteshit, 78 përqind e qytetarëve të Kosovës janë analfabetë funksional, ka shkolla që punojnë në tre ndërrime e me orë 35 minuta, pastaj mungojnë laboratorët e kabinetet dhe se në Kosovë për laboratorë e kabinete janë ndarë vetëm 1 milion euro, pastaj ka koordinatorë për cilësi që ende nuk kanë hyrë në listat e pagave, shkollat vazhdojnë të funksionojnë pa pedagogë, psikologë, ka kurrikulë të re, por me tekste të vjetra e ka shumë skandale në Ministrinë e Arsimit.

Sipas Kurteshit, gjendja është e keqe, cilësia e ultë, andaj duhet nxjerrë arsimin nga kjo gjendje.

Nevzat Isufi, kryetar i Qendrës së VV-së në Gjilan, ka thënë se edhe në arsimin e Gjilanit ka shumë ngecje e vështirësi. Sipas tij, munguan parapërgatitjet për fillim të mbarë të vitit shkollor, nuk u përfundua faza e tretë në kampus të shkollave të mesme, nuk u ndërtua asnjë objekt i ri, drejtorët u zhveshën nga kompetencat dhe nuk kanë duar të lira për të treguar kreativitet dhe se ata bëjnë vetëm gjëra formale, por të pa peshë.

Isufi tha se arsimi në Gjilan ka nevoja të shumta, pajisje me literaturë e çka jo tjetër. Fehmi Sylejmani, nga Komiteti për Arsim, ka folur për zhvillimet ne këtë komitet, që sipas tij ka patur pesë mbledhje në të cilat janë shqyrtar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin në Gjilan.

Arjeta Rexhepi, asambliste e VV-së, ka folur për “Problemet e Arsimit në Komuna” dhe ajo ka thënë se ka shumë fëmijë që mbetën jashtë institucioneve parashkollore. Sipas saj, në katër çerdhe publike ka fëmijë por numri i atyre që mbetën jashtë është shumë më i madh. Ajo tha se edhe kushtet aty nuk janë shumë të volitshme, kurse ka edhe shkolla që janë në gjendje të rëndë, pa objekte sportive, pa kabinete e laboratorë. Si anomali ajo e sheh hapjen e dy paraleleve në Shkollën e Mjekësisë, që u hapën në tetor, në kohën që në Shkollën e Bujqësisë ka shumë pak nxënës e edhe kushtet higjienike e sanitare nëpër shkolla nuk janë të mira, andaj duhet ndërmarrë hapa për përmirësim.

Nebi Latifi, profesor i Kimisë, ka folur për “Mësimin praktik në shkollat e Gjilanit, ai është ndalë në disa analiza që i ka bërë me nxënës, duke thënë se në Gjilan ajri është i ndotur, ka gjithashtu puse që ujin e pijes nuk e kanë nivel, sikurse që edhe toka, uji e ajri janë të ndotura nga mjetet motorike dhe faktorë të tjerë e që kanë bërë që pas luftës numri i sëmundjeve të rritet.

Në këtë tryezë kanë folur edhe Muharrem Bajrami, Asllan Gërbovci, Maksut Maksuti, Nexhemdin Ymeri, Ilmi Ibrahimi e veteranë të tjerë të arsimit, pastaj Shemsi Syla, deputet, Murat Morina, profesor e debatues të tjerë, që kanë dhënë kontributet e tyre me qëllim që arsimi gjilanas të rritet më shumë, të ketë cilësi në arsim dhe të arritura të  tjera.

You Might Also Like