Te ndryshme

Në Gjilan u zhvilluan Takimet-Garat e XI-ta të Enigmatëve të Kosovës – Kampion u shpall Skender Tullumi nga Gjakova

Në Gjilan u zhvilluan Takimet-Garat e XI-ta të Enigmatëve të Kosovës – Kampion u shpall Skender Tullumi nga Gjakova 

Gjilan, 24 tetor 2026 – Gjilani, i njohur si Qyteti i Gjëzave, të shtunën priti enigmatë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe nga trojet e tjera shqiptare, në kuadër të Takimeve-Garave të XI-ta të Enigmatëve të Kosovës. Ky aktivitet, i organizuar nga Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” e Gjilanit, bashkoi garën, krijimtarinë, shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin për të ardhmen e enigmatikës shqiptare. 

Pjesa garuese e takimit ishte kushtuar sajimit të fjalëkryqit në formën e mburojës magjike 5 × 7, ku enigmatët patën mundësinë të dëshmonin aftësitë krijuese, njohuritë gjuhësore dhe shkathtësitë e tyre në këtë fushë. 

Pas vlerësimit të punimeve nga juria profesionale, kampion i këtij edicioni u shpall enigmati nga Gjakova, Skender Tullumi, me 99 pikë. Vendin e dytë e zuri Ismail Gagica nga Prishtina, ndërsa vendin e tretë Mon Salihu, me vendbanim në Mançester të Anglisë. 

  • Tryezë e rrumbullakët për të ardhmen e enigmatikës shqiptare 

Përveç garës, programi i takimit përfshiu edhe një tryezë të rrumbullakët me temën “Rilindja e enigmatikës shqiptare”, ku enigmatët pjesëmarrës paraqitën kumtesat, mendimet, përvojat dhe propozimet e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie krijuese. 

Tryezën e moderoi Mjeshtri i Enigmatikës, Rexhep Hasani, i cili i njoftoi pjesëmarrësit me temat kryesore të diskutimit: 

  • Gjendja aktuale dhe perspektiva e enigmatikës shqiptare; 
  • Roli i revistave enigmatike dhe i krijuesve në zhvillimin e kësaj fushe; 
  • Format e organizimit të takimeve të ardhshme të enigmatëve shqiptarë; 
  • Mundësitë e themelimit dhe fuqizimit të organizimeve të përbashkëta të enigmatëve. 

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, Shemsedin Kryeziu, u dëshiroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në Gjilan, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj tradite krijuese. 

Ai nënvizoi se enigmatika nuk është vetëm argëtim, por edhe një mënyrë e veçantë për ta dashur gjuhën shqipe, për të zhvilluar mendimin logjik, për të nxitur imagjinatën dhe për ta lidhur dijen me kreativitetin. Kryeziu vlerësoi kontributin e Shoqatës “Ndre Mjeda” dhe të revistës enigmatike “Horizonti”, të cilat, për dekada me radhë, kanë ndihmuar në kultivimin dhe përhapjen e enigmatikës shqiptare. 

Ai shprehu bindjen se takime të tilla duhet të shërbejnë si ura bashkëpunimi ndërmjet enigmatëve, si dhe si nxitje për përfshirjen e krijuesve të rinj në këtë veprimtari. 

Ekrem Krasniqi: Nevojitet zgjerimi i organizimit dhe përfshirja e të rinjve 

Tryezës i pari me kumtesë u paraqit, enigmati nga Mitrovica, Ekrem Krasniqi Kemi, i cili vlerësoi angazhimin e Shoqatës së Enigmatëve të Gjilanit për organizimin e takimeve dhe mbajtjen gjallë të veprimtarisë enigmatike. 

Ai theksoi nevojën që edhe qendrat e tjera të Kosovës të angazhohen më shumë dhe t’i bashkohen përpjekjeve të enigmatëve gjilanas, me synimin e forcimit të kësaj fushe në nivel vendi. 

Krasniqi vuri në pah edhe nevojën e përfshirjes së gjeneratave të reja, duke shprehur shqetësimin se pjesa më e madhe e enigmatëve aktivë janë në moshë të shtyrë. Sipas tij, sigurimi i vazhdimësisë së kësaj veprimtarie kërkon përpjekje të përbashkëta, organizim më të gjerë dhe krijimin e mundësive për zbulimin e talentëve të rinj. 

Ismail Gagica solli në vëmendje historikun e enigmatikës në revistat shqipe 

Enigmati Ismail Gagica foli gjerësisht për historikun e enigmatikës në revistat shqipe, veçanërisht nga vitet ’70 e këtej me temën:”Enigmatika shqiptare në vitet ’90 – botimet, krijuesit dhe sfidat e mbijetesës” 

Gagica ne kumtesën e gjatë të tij potencoi se: “Vitet ’90 përbëjnë një periudhë të veçantë në historinë e enigmatikës shqiptare”. Ai në vazhdim tha se ishte një dekadë e zgjerimit të botimeve, e krijimtarisë dhe e përkushtimit të shumë enigmatëve, por edhe një periudhë e vështirë, e shoqëruar me probleme ekonomike, politike dhe me pengesa në botimin e shpërndarjen e shtypit. 

“Për ta kuptuar këtë zhvillim, duhet të kujtojmë rolin e gazetës “Rilindja”, e cila ishte ndër nismëtaret e botimit të fjalëkryqeve në gjuhën shqipe në Kosovë. Për shumë vite, ajo dhe botimet e tjera të ndërmarrjes “Rilindja” krijuan hapësirë për punime enigmatike, duke nxitur interesimin e lexuesve dhe duke u dhënë mundësi autorëve të rinj të dëshmonin aftësitë e tyre”. 

Pas ndërprerjes së botimit të “Rilindjes” nga pushteti serb më 1990, veprimtaria vazhdoi përmes gazetës “Bujku”, e cila ruajti edhe rubrikën e fjalëkryqit. Punime enigmatike botoheshin gjithashtu në “Zërin e Rinisë”, “Kosovaren”, “Shëndetin”, “Shkëndijën”, revistat për fëmijë “BAT”, “Pionieri” e “GEP”, si dhe më vonë në gazetën studentore “Bota e re”, e cila një kohë, kishte shtojcën për enigmatikë, me titull “Studenti”, e që redaktor i saj ishte Abdyl Brestovci) 

Megjithëse këto botime nuk ishin të specializuara për enigmatikë, rubrikat e tyre kontribuuan në zhvillimin e kësaj fushe. Përmes redaktimit profesional, respektimit të normave gjuhësore dhe kujdesit ndaj rregullave enigmatike, fjalëkryqi fitoi gradualisht vend të rëndësishëm në shtypin e kohës. 

“Horizonti” dhe lindja e revistave të specializuara 

Kërkesat për më shumë hapësirë për enigmatikën çuan në krijimin e revistave të specializuara. Një rol themelor pati revista “Horizonti”, numri i parë i së cilës doli më 15 janar 1981, me seli në Gjilan. Ajo u bë një pikë referimi për enigmatikën shqiptare, duke bashkuar krijues dhe lexues nga vende të ndryshme. 

Deri më 1990 u botuan 36 numra. Gjatë viteve ’90, revista vazhdoi me numrat 37 deri në 103, ku numri 103 doli në mars të vitit 1999. Pas luftës, në tetor 1999, u botua numri 104, ndërsa në mars 2000 doli numri 105. Sipas evidencës së mbledhur, botimi vazhdoi deri te numri 145. 

Krahas “Horizontit”, vitet ’90 sollën një numër të konsiderueshëm revistash enigmatike. “Filizat”, e nisur më 1988 nga SH.E. “Labirinti” në Rahovec, vazhdoi nga korriku 1994 nën redaktimin e Sh.E. “Drita” në Gjakovë, me kryeredaktor Xhelal Abrashin. Më 1994 doli edhe revista “Stili”, me kryeredaktor Xhevat Ruhani. Në vitet pasuese u botuan “ABC” e Gëzim Gjinit, “Fjalëkryqi” e Rasim Miskut, “Fokusi Enigmatik” i Arbënor Pozhegut, “Koktej Enigmatik” i Ymer Shabanit dhe “Thesari”, fillimisht nën drejtimin e Riza Bërbatovcit e më vonë të Ismail Gagicës. 

Në këtë panoramë përfshihen edhe ”Gjëza”, “Enigmatika Plus”, “EuroHorizonti”, “EuroKuizi”, “Alba”, “Albanian Skandi” dhe “Mileniumi Enigmatik”. Jo të gjitha patën jetëgjatësi të njëjtë, por secila dëshmon për energjinë krijuese dhe dëshirën për ta zhvilluar enigmatikën në gjuhën shqipe. 

Enigmatika përtej Kosovës 

Zhvillimi i enigmatikës shqiptare nuk u kufizua vetëm në Kosovë. Gjatë viteve ’90, revista kulturore dhe gazeta të ndryshme përfshinin rubrika enigmatike. Ndër to veçohen “Aurora”, e lidhur me Xhemail Veselin, “Universi”, me Enver dhe Nexhat Hajrullahun, si dhe shtojca “Intuita” në revistën “Kosovarja”, ku kontribuuan Gazmend Kajtazi, Riza Bërbatovci, Ekrem Krasniqi dhe të tjerë. Punime enigmatike botoheshin edhe në gazetat “Koha”, “Bota Sot” dhe “Kosova Sot”, si dhe në “Kohën Javore”, ku faqja enigmatike lidhej me autorin Nazim Lleshi. 

Një kapitull i rëndësishëm përbën edhe veprimtaria e enigmatëve shqiptarë në Shkup dhe Tetovë. Krahas rubrikës së përditshme të fjalëkryqit në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, u botuan revista që i kushtonin hapësirë të veçantë kësaj fushe. Ndër to ishin “BIS”, “Super argëtuesi”,  me kryeredaktor Sadri Husmani, “Rebusi” i Mensur Mamutit dhe “Intuita” e Remzi Emshiut. 

Për shkak të vështirësive të lëvizjes dhe qarkullimit të shtypit, komunikimi ndërmjet enigmatëve të Kosovës dhe atyre të Shkupit e Tetovës ishte shpesh i kufizuar. Megjithatë,  revistat qarkullonin herë pas here ndërmjet këtyre qendrave, duke mbajtur gjallë lidhjet ndërmjet krijuesve shqiptarë. 

Viti 1999 – lufta dhe vështirësitë e botimit 

Viti 1999 ishte veçanërisht i vështirë për shtypin në Kosovë. Lufta, kushtet e rënda ekonomike, pengesat në shpërndarje dhe kontrolli politik i botimeve ndikuan edhe në revistat enigmatike. 

Sipas dëshmive të mbledhura, një numër i “Horizontit” i marsit 1999 u konfiskua nga kioskat për shkak se në ballinë paraqiteshin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Çfarë na tregojnë letrat e lexuesve? 

Një burim me vlerë për historinë e enigmatikës janë letrat e botuara në shtyp. Ato dëshmojnë për interesimin e lexuesve dhe për marrëdhënien e tyre me revistat e preferuara. 

Nefail Maliqi, Preshevë — “Ku mbeti ‘Horizonti’?” 

Në këtë letër, autori shpreh shqetësimin për ndërprerjen e botimit të “Horizontit” dhe kërkon që revista të vazhdojë të dalë. Ai përmend edhe interesimin e enigmatëve të Gjilanit. 

Letra dëshmon se “Horizonti” kishte krijuar një rreth lexuesish përtej qytetit ku botohej dhe se mungesa e tij perceptohej si humbje e një hapësire të përbashkët enigmatike. 

Vedat Lila, Mitrovicë — bashkëpunimi me redaksinë 

Në letrën e tij, Vedat Lila shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin dhe vlerëson krijimin e fjalëkryqeve. Ai thekson se koha e kushtuar kësaj veprimtarie nuk e pengon suksesin në gjimnaz apo fakultet. 

Kjo dëshmi e paraqet enigmatikën si një veprimtari krijuese që mund të bashkëjetojë me shkollimin dhe zhvillimin intelektual. 

Një tjetër shkrim i kohës, me titull “Çfarë fjalëkryqi na sjell ‘Rilindja’?”, trajton çështje që lidhen me cilësinë e punimeve, përzgjedhjen e fjalëve dhe respektimin e normave gjuhësore. Këto dëshmi tregojnë se enigmatika nuk ishte vetëm argëtim, por edhe fushë ku vlerësoheshin profesionalizmi, saktësia dhe përgjegjësia ndaj lexuesit. 

Përfundim: drejt një arkivi të përbashkët të enigmatikës shqiptare. 

Historia e enigmatikës shqiptare është ndërtuar nga shumë njerëz dhe nga botime që, pavarësisht vështirësive, arritën të krijojnë një traditë të qëndrueshme. Për ta dokumentuar këtë histori, nevojitet bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet enigmatëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. 

Gagica shprehu një dëshirë për të falënderuar të gjithë kolegët që kanë ndihmuar me materiale nga arkivat e tyre personale, veçanërisht, Rexhep Hasanin, Sadri Husmanin, Mensur Mamutin, Skender Tullumin, Arbënor Pozhegun dhe Nevahi Rexhepin. Falënderim të veçantë u takon Xhevat Ruhanit dhe Arsim Krasniqit për kontributin me kujtime, rrëfime dhe dëshmi personale. 

Ai propozoi që të punojmë së bashku për krijimin e Arkivit të Përbashkët të Enigmatikës Shqiptare, ku do të ruhen revistat, gazetat, fotografitë, letrat e lexuesve dhe dëshmitë e krijuesve e redaktorëve ndër vite. 

“Vetëm duke i bashkuar këto burime mund ta shkruajmë një histori sa më të plotë e të saktë të enigmatikës shqiptare”, than ë fund të kumtesës së tij, Ismail Gagica. 

Dr. Aziz Zubaku solli dëshmi nga fjalëkryqet e viteve 1973–1974 

Diskutimi për historikun u pasurua edhe nga ndërhyrja e Dr. Aziz Zubakut, i cili solli dëshmi interesante nga përvoja e tij si një ndër krijuesit e hershëm të fjalëkryqeve nga treva e Gjilanit. 

Vëmendje të veçantë tërhoqi inkuadrimi i Dr. Aziz Zubakut, i cili u prezantua me dëshmi nga arkivat e revistave të kohës, përfshirë “Zëri i Rinisë”, ku ishin botuar fjalëkryqet e tija gjatë viteve 1973–1974. 

Zubaku tregoi se fjalëkryqet e para i kishte përpiluar kur ishte student i vitit të dytë të mjekësisë në Prishtinë. Punimet e tij të asaj kohe dëshmuan se krijimtaria enigmatike në Gjilan kishte nisur të zhvillohej shumë përpara konsolidimit të organizimit të sotëm. 

Ai vlerësoi punën e enigmatëve gjilanas, veçanërisht të Shoqatës “Ndre Mjeda”, e cila vazhdon ta mbajë gjallë këtë veprimtari përmes botimit të revistës “Horizonti”, organizimit të garave dhe takimeve mbarëkombëtare. 

Këto dëshmi historike i dhanë tryezës një dimension të veçantë, duke lidhur përvojën e brezave të mëparshëm me sfidat dhe mundësitë e së ardhmes. 

 

 

Muhamet Halili: Enigmatika duhet të kalojë nga pasioni individual në veprimtari të organizuar 

Një nga kumtesat qendrore të tryezës ishte ajo e poetit, prozatorit dhe enigmatit Muhamet Halili, me titull “Enigmatika – nga pasioni individual te veprimtaria e organizuar”. 

Në kumtesën e tij, Halili theksoi se enigmatika është shumë më tepër se një argëtim i çastit. Ajo zhvillon mendimin logjik, përqendrimin, kreativitetin dhe aftësinë për të kërkuar zgjidhje. Për këtë arsye, sipas tij, enigmatika duhet të vlerësohet si veprimtari kulturore, gjuhësore dhe edukative, që ndihmon në mbajtjen aktive të mendjes. 

Duke folur për traditën e Gjilanit, ai vlerësoi historinë dhe organizimin e enigmatikës në këtë qytet, duke veçuar rolin e Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda” dhe të revistës “Horizonti”, e cila, me historinë e saj 45-vjeçare, ka shërbyer si një shkollë e mendimit logjik dhe si një nxitëse e zhvillimit të enigmatikës në hapësirën shqiptare. 

Megjithatë, Halili theksoi se tradita e pasur nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete për të ardhmen. Zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet në mënyrën e komunikimit kërkojnë forma të reja të organizimit dhe promovimit të kësaj veprimtarie. 

Sipas tij, shoqatat e enigmatëve duhet të jenë të hapura, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Ato nuk duhet të mbështeten vetëm te një grup i vogël njerëzish, por të krijojnë hapësirë për të gjithë të interesuarit, të zgjerojnë anëtarësinë dhe të nxisin formimin e një brezi të ri krijuesish. 

Në këtë drejtim, Halili propozoi vendosjen e kontakteve me shkollat, nga arsimi fillor deri në universitet, organizimin e garave shkollore, krijimin e platformave elektronike për publikimin e krijimeve, si dhe botimin e broshurave edukative e librave teorikë për enigmatikën. 

Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e sigurimit të qëndrueshmërisë financiare përmes projekteve, sponsorizimeve dhe bashkëpunimit me institucionet publike, donatorët dhe mediat. 

Në përfundim, Halili theksoi se suksesi i një shoqate duhet të matet me atë që arrin të krijojë, të organizojë dhe t’i ofrojë shoqërisë, duke e shndërruar pasionin individual në veprimtari të vazhdueshme dhe duke u hapur rrugë brezave të rinj. 

Kontribut të veçantë në tryezë dhanë edhe Nevahi Rexhepi, Skënder Sadiku, Xhelal Abrashi, Sadri Husmani dhe pjesëmarrës të tjerë. 

  • Skënder Tullumi shpallet Kampion i garës së Mburojës mgjike të Takimeve të XI-ta 

Pas përfundimit të tryezës së rrumbullakët, u zhvillua ceremonia e shpalljes së rezultateve të garës në sajimin e mburojës magjike. 

Komisioni vlerësues, në përbërje nga Dr. Zijadin Hasani, inxhinier Xhelal Selmani dhe inxhinier Shemsedin Kryeziu, fituesit i shpalli kryeredaktori i revistës enigmatike “Horizonti”, Dr. Zijadin Hasani. 

Renditja përfundimtare ishte: 

  1. Skënder Tullumi – Gjakovë,  
  1. Ismail Gagica – Prishtinë; 
  1. Mon Salihu – Mançester, Angli. 

Fituesve iu ndanë mirënjohje dhe shpërblime monetare të ndara nga Mediana Bislimi, Kryetare e Bordit të Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”. 

Rezultatet dëshmuan nivelin e krijimtarisë së pjesëmarrësve dhe rëndësinë e vazhdimit të garave si një mënyrë për të nxitur cilësinë, për të shkëmbyer përvoja dhe për të vlerësuar punën e enigmatëve. 

Muhamet Halili fiton garën e fjalës më të gjatë 

Aktivitetet vazhduan në ambientet e restorantit “Te Skena”, ku, krahas drekës së përbashkët, u organizua edhe një garë atraktive për enigmatët. 

Detyra e pjesëmarrësve ishte të formonin fjalën më të gjatë të mundshme nga 20 shkronja të përzgjedhura nga komisioni, në përbërje të të cilit ishin Skënder Tullumi, Ismail Gagica dhe Rexhep Hasani. 

Pas përpjekjeve të garuesve, më i shkathti në këtë sfidë doli të ishte Muhamet Halili, i cili u shpërblye nga organizatori. 

Kjo garë solli momente argëtuese dhe dëshmoi edhe një herë se enigmatika bashkon dijen, shkathtësinë gjuhësore, kreativitetin dhe miqësinë. 

Takimet e ardhshme, një zotim për vazhdimësinë e enigmatikës shqiptare 

Në përfundim të Takimeve të XI-ta të Enigmatëve të Kosovës, organizatorët dhe pjesëmarrësit u zotuan se aktivitete të tilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke e zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet enigmatëve nga të gjitha trojet shqiptare. 

Një mundësi e radhës për këtë bashkëpunim pritet të jetë manifestimi shumëkulturor “Flaka e Janarit 2027”, në programin e të cilit tashmë është përfshirë edhe veprimtaria e Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”. 

Takimet e këtij viti dëshmuan se enigmatika shqiptare ka traditë, krijues dhe potencial për zhvillim të mëtejshëm. Megjithatë, ruajtja e kësaj trashëgimie kërkon organizim të qëndrueshëm, bashkëpunim ndërmjet qendrave, mbështetje institucionale dhe, mbi të gjitha, përfshirjen e brezave të rinj. 

Gjilani edhe kësaj radhe dëshmoi se mbetet një nga qendrat e rëndësishme të enigmatikës shqiptare, ndërsa Takimet e XI-ta përçuan mesazhin se fjala shqipe, mendimi logjik dhe pasioni për enigmatikën vazhdojnë t’i bashkojnë njerëzit përtej qyteteve dhe kufijve. 

Organizator: Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” – Gjilan. 

 

You Might Also Like