Kanë kaluar 27 vite nga 15 Qershori i vitit 1999, dita kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës e Zonës Operative të Karadakut, me njësitet e saj të rregullta ushtarake të luftëtarëve të lirisë, hyri triumfalisht në qytetin e Gjilanit, ngjarje e cila edhe de jure shënoi largimin nga Gjilani të Serbisë pushtuese dhe çlirimin përgjithmonë të Kosovës nga regjimi gjenocidal serb!
Për të ardhur deri te çlirimi jo vetëm i Qytetit dhe Komunës së Gjilanit e i të gjithë Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është bërë një rrugë e gjatë me plot veprimtari, aktivitete, greva, protesta, demonstrata, burgje e heroizma masive, sikur ajo e Çelikut të qendresës Heroit të Kombit Rexhep Malaj e të tjerë të mëdhenj të pavdekshëm, sakrifica kombëtare të gjithanshme dhe është luftuar e është derdhur gjak nga Heronjtë e Dëshmorët e Kombit dhe nga i gjithë populli shqiptar në Kosovë e Vise në ish-Jugosllavi!
Vëllezër dhe motra,
Për ta larguar me forcë Serbinë pushtuese nga Qyteti i Gjilanit dhe nga e tërë Kosova, na është dashur ndihma nga jashtë, sepse nuk kishim armatim të mjaftueshëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe atë ndihmë e atë përkrahje na e ka dhënë aleati ynë i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës edhe në Zonën Operative të Karadakut, e ka kryer me përgjegjësi detyrën e saj të luftës për çlirim nga Serbia pushtuese, mision me të cilin e kishte ngarkuar historia, por nga kthetrat serbe dhe nga rruga e shfarosjes, popullin shqiptar të Kosovës e ka nxjerrë dhe e ka shpëtuar përgjithmonë Fuqia Planetare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me aleancën e NATO-s!
Zonja dhe zotrinjë,
Njëri nga ish-komandantët e misionit të KFOR-it në Kosovë, oficeri i lartë i ushtrisë italiane, Gjeneral Fabio Mini, ka deklaruar gjatë një interviste të tij historike, se për ta bombarduar Serbinë në Beograd e kudo në tërë hapsirën territoriale të saj, si dhe mbi forcat e saj përgjatë vijës luftarake nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, Amerika nuk e ka pyetur askënd, vetë ka vendosur, e ka ndezur flakë Serbinë dhe e ka shkatërruar tërë aparatin ushtarak e policor të Serbisë pushtuese!
Ashtu sikur e dimë edhe duhet ta themi me forcë kudo, kurdo e gjithmonë, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me Aleancën veri-atlantike NATO, janë çlirimtarët e vërtetë të Kosovës në përgjithësi e të Gjilanit në veçanti!
Të nderuar të pranishëm,
Unë isha në detyrën e lartë të Shefit për Informim të Komandës së Shtabit, e në funksion të Zëdhënësit dhe të reporterit kryesor të luftës në Zonën Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj ishte fati im madh jetsor e historik, kur në mediat kombëtare e ndërkombëtare e kam deklaruar dhe shpallur botërisht Gjilanin të lirë e të çliruar përfundimisht nga Serbia pushtuese!
Atë lajm të madh që ishte amanet i brezave të tërë Heronjësh e Dëshmorësh, gjyshrish e baballarësh, pra i tërë gjeneratave të popullit shqiptar, e kam lexuar me fuqi e me emocione të jashtëzakonshme, publikisht e nëpërmjet Radio Televizionit Shqiptar, Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë së Lajmeve Kosova Press dhe e kam informuar opinionin kombëtar e atë ndërkombëtar se Gjilani, më 15 Qershor 1999, është i çliruar definitivisht nga forcat ushtarako-policore dhe nga administrata antishqiptare pushtuese serbe!
Të nderuar të pranishëm,
Të gjitha Informatat, dokumente lufte të Shërbimit për Informim Publik të Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që e kam udhëhequr, drejtuar e komanduar gjatë luftës kundër Serbisë pushtuese, e dëshmojnë me saktësi e besnikëri, tërë këtë që e deklarova sot solemnisht përpara jush!
Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Faleminderit Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Gëzuar dita e çlirimit të Gjilanit
Ismet Sylejmani,
Gjilan, 15 Qershor 2026!





