Libri

HIMN POETIK PËR DASHURINË

Vështrim letrar
Ajete ZOGAJ
HIMN POETIK PËR DASHURINË
(Sabit Rrustemi, “Shprushje nëpër dej”. Botoi “Rozafa” – Prishtinë 2025)
Emri i poetit Sabit Rrustemi tashmë është i njohur në letërsinë shqipe, veçmas për krijimin e poezisë së da-shurisë. Duke e lexuar poezinë e tij të dashurisë mund të themi se ai është liriku më prodhimtar dhe më i shquar i këtij lloji të poezisë ndër ne.
Libri “Shprushje nëpër dej” është ndarë në katër pjesë: Për shpirtin tënd (In Tima 2021), I tëri brenda teje ndizem (In Tima 2022), Pritjet s’kanë ku prehen (In Tima 2023) dhe Në atë pjesë të fshehur të zemrës (In Tima 2024).
Kur i lexon me vëmendje këto poezi të duket sikur po e lexon një ditar lirik të përftuar me një gjuhë të pasur me figura, metafora e simbole, të cilat i japin vargut vlerë të dukshme.
Motivi i dashurisë në poezinë e Rrustemit është pasqyruar herë si pasion e herë si mall, herë si dhimbje e ndjenjë. Ajo nuk idealizohet, por është e natyrshme me të gjitha kontrastet që sjell jeta e përditshme, duke e shpër-faqur dashurinë si romancë e bukur, po edhe si dashuri për jetën dhe për njeriun. Këtë e dëshmojnë dhe vargjet:
Nëpër pika të imta shiu
rigon syve të shkruar dita jonë
me etjen tonë të pashuar
(Secila stinë është e etur për ty)
Në këtë poezi dashuria është lidhur figurativisht me ciklin e stinëve, duke përdorur figura të shumta si: antiteza: “të ngrirë e të shkrirë stinëve” , që shpreh luha-tjen emocionale midis ftohtësisë dhe ngrohtësisë së da-shurisë, apo metafora “Trungje të zhveshura mbetëm “ që shpreh zbrazëtirën shpirtërore pas humbjes.
Mjaft kuptimplote janë edhe vargjet e tjera të kësaj poezie, ku autori veçon: “Secila stinë është e etur për ty”, duke personifikuar stinët dhe dashurinë si diçka uni-versale, si pjesë të çdo dite e të çdo stine të vitit, duke e lidhur edhe me hyjnoren e me kozmosin. Këtë lidhje autori e shpreh përmes simbolikës së lotit dhe pastrimin ndjenjësor, në vargun:
Nëpër pika të imta shiu
rigon syve të shkruar dita jonë
Vargu tjetër paraqet dashurinë si rikthim të jetës; ajo i ringjall gacat e një zjarri të fjetur, ku natyra bëhet pasqyrë e botës së brendshme, e shprehur me figura të zgjedhura si: “rigon”, shprush” “mbledh” duke krijuar një varg të veçantë: “Secila stinë është e etur për ty…dhe unë” e zhvendos theksin nga universi te individi, ku vargu bëhet më intim dhe i drejtpërdrejtë.
Në poezinë e këtij libri dashuria nuk është vetëm marrëdhënie mes dy individëve, por një forcë ontologjike që i jep kuptim jetës, ndërsa lirizmi shpreh gjallërinë shpirtërore dhe “ëndrrën e munguar”:
Qiellit të kësaj nate
Shfaqesh ashtu si je
E zjarrtë e zemërmjaltë
(Ëndrra e munguar)
Në këtë poezi dashuria paraqitet edhe si hapësirë e imagjinuar (në formë të ëndrrës) dhe si kërkim i vazh-dueshëm i tjetrit.
Autori përdor një sistem metaforash e simbolesh të pasura. Kështu, qielli i natës simbolizon hapësirën dhe vetminë, ndërsa figura e të dashurës shfaqet “e zjarrtë e zemërmjaltë”. Janë dy epitete me të cilat personifikohet e dashura, ndërsa shprehja e zjarrtë simbolizon pasionin dhe zemërmjaltë butësinë.
Si një fllad pranvere
Më shprush nëpër dej
Më grish ata qiej
(Ëndrra ime e munguar)
Në këtë poezi e dashura krahasohet me flladin e pranverës, simbol i ringjalljes, po dhe me përmasën fizike dhe shpirtërore njëkohësisht.
Tek ajo Yllnajë ëndrre
e virgjër më pret
vetminë time në heshtje e vret
(Ëndrra ime e munguar)
Yllnajë ëndrre është metaforë kozmike që su-gjeron dëshira të shumta dhe idealizim të figurës të së dashurës.
Poeti përdor një gjuhë të pasur e të pastër; çdo varg cilësohet me një të shprehur poetik të zgjedhur. Shprehjet stilistike si: “shprush”, “grish”, “vret”, “kërkoje” krijojnë një lëvizje të vazhdueshme midis pranisë dhe mungesës.
Figura e të dashurës në këtë poezi është sa reale po aq edhe imagjinare. Kjo dëshmohet në poezinë “Ëndrra ime e munguar”, ku mungesa bëhet frymëzim për poetin. Përmes gjuhës poetike ndërtohet një univers, brenda të cilit ndjenja jeton më fuqishëm si ëndërr se sa si realitet.
Njomësia ime e dëshiruar
mëngjes jete m’u bëre
e mjaltë zemre…
Ditënetët e kësaj jete
të dashura m’u bënë
dhe Stina e Dashurisë
(Shpirtërim fryme)
Në poezinë “Mbij i paftuar” dashuria paraqitet si forcë krijuese; nuk është vetëm ndjenjë personale, por dhe energji që krijon rend dhe kuptim, forcë morale që e shndërron realitetin njerëzor. Poezia është ndërtuar mbi një varg metaforash: “dashuria lëshon rrënjë / dheun përpush”, pra dashuria si proces natyror i mbjelljes dhe i rritjes, lidhje e fortë me tokën dhe jetën, “e mbij i pa-ftuar”.
Aty ku dashuria lëshon rrënjë
dheun përpush
sythoj e dal
e mbij i paftuar
(Mbij i paftuar)
Ideja e “mbirjes së paftuar” shënjon se dashuria është forcë hyjnore, thelbësore për ekzistencën, e cila e transformon botën. Kjo e afron poezinë me një vizion hu-manist dhe filozofik, ku dashuria është themel i har-monisë universale.
Tek poezia “Shpendshkruara ime e dashur” poeti përdor metafora dhe krahasime me shpendët për të shprehur ndjenjat: mëngjesi, drita, qielli i kaltër, lëvizjet delikate të shpendit, duke krijuar një atmosferë të qetë, të mbushur me ëndrra dhe ndjeshmëri. Titulli i poezisë “Shpendshkruara ime e dashur” është kuptimplotë; shprehet përmes një lidhje të brendshme, që simbolizon dashurinë, dhe në vetvete ka mallin, largësinë, fluturi-min, dridhjen, mallëngjimin. Çepuri në shumë poezi të poetit ka simbolikë të veçantë.
Mjaft kuptimplote është edhe figura e mëllenjës, që në kuptimin figurativ është simbol i bukurisë dhe i artit, ndërsa në poezinë e këtij poeti ajo shpreh ndjenja dhe gjendje shpirtërore, ‘një fluturim mëllenje në ikje” – një metaforë e rrallë që shpreh kalueshmërinë e çasteve të bukura. Figura e mëllenjës në ikje, krijon një ndjenjë melankolie dhe malli.
Marr një pjesë mëngjesi në Çepur
Një fluturim mëllenje në ikje
—————————————-
Shpendshkruara ime e dashur
që t’i jap falas përditë shikimet e mia
si t’i bashkëngjitem fluturimit tënd
e ta nxë hapin Tënd në ardhje
…atë hap që i la në pritje udhët
(Shpendshkruara ime e dashur)
Sabit Rrustemi me këto poezi dëshmohet mjeshtër i krijimit të lirikave të bukura:
Copërat e rrënuara
ato fjalë që u dogjën pa klithma
përditë më hanë e të qetë s’më lënë
Një Urë Shpirti mes meje e Teje
ende luhatet prej erës […]
Nëse Ti je zemra ime
Vetëm mos më le
Portën pa çelës e ke
(Portën pa çelës e ke)
Figurat stilistike si: porta pa çelës, e cila simbolizon mundësinë e hapjes emocionale dhe dashurisë së sin-qertë e pa kushte; ose figura Urë shpirti e cila e përfaqëson lidhjen mes dy qenieve, lidhje kjo e brishtë dhe në lëvizje, e ndikuar edhe nga “era” e rrethanave dhe ndjenjave. Figura si “copëra të rrënuara / fjalët që u dogjën” sim-bolizojnë plagët emocionale, gabimet ose fjalët e thëna që nuk mund të kthehen mbrapa e që të mundojnë në thellësinë e qenies.
Poezitë e Sabit Rrustemit janë të mbushura me melankoli: “Përditë më hanë e të qetë s’më lënë” tregon se dhimbja nuk largohet, ajo është e vazhdueshme, apo vargjet ku shprehet shpresa dhe përkushtimi: “Nëse Ti je zemra ime vetëm mos më le” shpreh një dëshirë për ruaj-tjen e një lidhjeje shpirtërore.
Dashuria është ‘urë shpirti që ende luhatet prej erës’. Në poezinë “Për dashurinë tënde të gjakuar” autori e trajton dashurinë si një ndjenjë të fuqishme, intime dhe të dhembshme, e shtrirë mbi një sfond natyror të egër dhe të ftohtë. Motivi i dimrit dhe borës, shërben si pasqyrë për izolimin dhe gjendjen shpirtërore. Bora, era e veriut, mali, dritarja, dimri paraqesin emocione, kurse sitna në ardhje, simbolizon shpresë dhe ringjallje. Dashuria shfa-qet si një forcë që e ngrohë dhe e zgjon poetin:
Një grishë e hershme Çepuri
kah dritarja sillej
për t’i çukitur e zgjuar qelizat e mia të fjetura
e të mërdhita nga bora që ra
fundit të kësaj stine në ikje
(Për dashurinë tënde të gjakuar)
Te poezia “Gjurmë që s’fshihen” autori trajton për-jetësinë e gjurmëve shpirtërore në krahasim me gjurmët fizike: “Dallgët e detit i fshijnë vetëm gjurmët e çastit”), ato të shpirtit dhe ndikimi i individit mbi jetën dhe kujtimet mbetet, duke vënë në spikamë përjetësinë, kuj-tesën, ndikimin e brendshëm dhe reflektimin mbi kohën. Deti dhe dallgët simbolizojnë kalimin e kohës dhe zhdu-kjen e gjurmëve materiale, kurse metafora “gjurmët e shpirtit” simbolizon metaforën për veprat, ndjenjat dhe ndikimin e individit, të cilat nuk zhduken lehtë.
Antiteza: Zhdukja e gjurmëve të çastit përballë përjetësisë së gjurmëve shpirtërore, ndërsa data 2 korrik 2010 – 2 korrik 2021 tregon dy elemente të rëndësishme: një periudhë e gjatë reflektimi, por edhe përkushtimin e autorit që t’i kthehet disa herë tekstit të poezisë dhe ta përpunojë mirë vargun.
Poezia edhe pse e shkurtër cilësohet me një stil meditativ, i cili e fton lexuesin ta lexojë me kujdes atë. Njëherësh ajo shpreh ndikimin shpirtëror që bën kjo poezi; përçon idenë se gjurmët e jetës sonë nuk maten vetëm me atë që shihet nga jashtë, por edhe me ndikimin shpirtëror që lëmë tek të tjerët dhe tek vetja:
Dallgët e detit
I fshijnë vetëm gjurmët e çastit
Gjurmët e shpirtit
nuk i fshijnë as dhe oqeanet
Lum kush mbetet brenda kësaj gjurme
(Gjurmët që s’fshihen)
Kontrasti midis ‘gjurmëve të çastit” dhe “gjurmëve të shpirtit” krijon një ndarje të qartë mes të përkohshmes dhe të përjetshmes.
Në poezinë “Shiu i ëndrrave të pathëna” dashuria merr një formë më ëndërrimtare dhe simbolike. Figura e shiut përdoret si metaforë për ndjenjat e pashprehura, me mallin dhe dëshirën e paplotësuar. Poeti ndërton një atmosferë të veçantë ku ndërthuren realiteti me ëndrrën.
Tek poezia “Bimë që nuk thahet është dashuria”, metafora qendrore e bimës që nuk thahet përçon idenë e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së ndjenjës. Poeti e çliron dashurinë nga çdo kufizim racional duke e vendosur atë në sferën e përjetësisë.
Bimë që nuk thahet kurrë është dashuria
edhe kur bëhemi një me tokën
apo kur shpirtrash tresim qiejve
Mjaft domethënëse dhe e realizuar është edhe poe-zia “Për atë fjalë”. Është krijuar rreth një fjale, e cila nuk thuhet, por ndihet. Në poezi janë paraqitur imazhe të gjalla si: flladitja e shpirtrave, mëngjeset me ujë kroi, flokët e pashprishura, bjeshkët, etj. Autori kërkon një fjalë të munguar, që mund të nënkuptohet si dashuri. Ai e zgjeron përvojën individuale në përmasë universale në vargun vijues: ‘Male zemrash janë djegur për atë fjalë’, ndërkaq, uji i kroit dhe bjeshkët përfaqësojnë pastërtinë, largësinë dhe përjetësinë. Poezia është ndërtuar në var-gun e lirë, pa një skemë të rregullt metrike apo rimë:
Male zemrash janë djegur për atë fjalë
e buzët tona ende s’janë të gatshme ta shqiptojnë
(Për atë fjalë)
Poezi mjaft artistike është edhe “Harta e zemrës sime”, e cila që në titull përdor një metaforë të rrallë dhe domethënëse: zemra si hartë emocionale dhe jetësore. Hapësira poetike nuk është fizike, por shpirtërore. Mbizotëron një ligjërim i qetë, meditativ, me ritëm dhe vargje të lira. Figuracioni është i ndërtuar mbi simbole: lule, dritë, lutje, falje, duke e afruar dashurinë me një përmasë pothuajse etike dhe shpirtërore.
Hapësirë e përditshme
Hapësirë e përhershme je
Thirrje lutje falje e mirësi
Paqe shpirti
dhe e kësaj bote je……
(Harta e zemrës)
“Çast i gurëzuar” është një tjetër poezi shumë do-methënëse dhe e realizuar. Imazhi i gurëzimit të çastit, shënjon ndaljn e kohës dhe përvojën emocionale që fik-sohen në një gjendje të pandryshueshme.
Autori përdorë metaforën e stalaktiteve dhe stala-gmiteve të lotëve të Shpellës së Gadimes, duke krijuar një ndërthurje të bukur mes natyrës reale dhe gjendjes shpir-tërore. Kjo i jep kësaj poezie përmasën mitike. Lotët nuk janë më fluidë, por transformohen në materie të ngurtë dhimbjeje dhe pritjeje. Motivi i pritjes pa fund dhe i “çastit që nuk u kthye më” e vendos poezinë në një kohë subjektive, ku e shkuara mbetet, ngurtësohet. Kjo krijon ndjesinë e një fati të pandryshueshëm, ku përvoja dashu-rore shndërrohet në kujtim të ngrirë.
Dhe u krijuan pastaj
ato stalaktite e stalagmite lotësh
në Shpellën e Gadimes
Miliona vjet pritjesh na hynë në mes
Për hiç gjë
Ç’fat i gurtë
atë çast që s’u kthye më
e gurëzoi
(Çast i gurëzuar)
Derisa në poezinë “Harta e zemrës” dashuria është e gjallë, kuptimdhënëse dhe e përhershme, në poezinë “Çasti i gurëzuar”, ajo është e humbur në kohë, e ngurtësuar. Në këtë mënyrë, Sabit Rrustemi krijon një dysi poetik mes dashurisë si prehje dhe dashurisë si kujtim i ngrirë, duke e vendosur përvojën njerëzore në kufirin mes jetës ndjenjësore dhe kohës së pakthyeshme.
Me këtë përmbledhje poetike autori ka dëshmuar përsëri vlera të larta poetike, çka mundëson dhe ndiki-min estetik në lexuesin, i cili i mirëpret veprat e tilla.
Prishtinë, prill 2026

You Might Also Like