Futbolli nuk ka kuptim pa tifozërinë, të cilët në shkallët e stadiumit përcjellin me mijëra idhujt e tyre të klubit. Njëri ndër emrat e papërsëritshëm në këtë mes është Taulant Byqmeti, i cili për plot 20 vite, që nga mosha 13-vjeçare, u bë “dirigjent” i tifozëve të FC Dritës, “Intelektualët”.
Kontributi i Byqmetit në organizimin e tifozëve është i pakontestueshëm. Nën udhëheqjen e tij, në shkallët e stadiumit mblidheshin deri në 10 mijë tifozë, duke krijuar spektakle që vështirë se do të përsëriten. Për 90 minuta, ai mbante në “trans” mijëra zëra në përkrahje të klubit të zemrës, FC Drita.
“Që nga mosha 13-vjeçare jam pjesë e FC Dritës, jam rritur me të dhe në shumë raste kam qenë larg familjes. Ato kohëra vështirë se do të rikthehen më, ose më mirë të them munden të rikthehen, por duhet që shumë gjëra të kthehen në vendin e duhur. Për FC Dritën kam sakrifikuar jetën me qindra herë dhe asnjëherë nuk jam bërë pishman. Atmosferat që kemi organizuar janë historike dhe asnjë tifozëri në Kosovë deri më tani nuk ka arritur t’i krijojë,” kujton Byqmeti.
I pyetur nëse do t’i rikthehet shkallëve të stadiumit pas kërkesave të mëdha të “Intelektualëve” që e duan sërish si udhëheqës të tyre, ai shprehet me nostalgji por me fokus drejt së ardhmes. “Kam shumë respekt për të gjithë Intelektualët, ata janë vëllezërit e mi. Ne dimë dhe mundemi të jemi të pakrahasueshëm, por për momentin kam disa projekte që dua t’i realizoj. Gjithsesi, zemra ime është gjithmonë tek shkallët e stadiumit me të gjithë Intelektualët.”

Sot, Taulant Byqmeti është një afarist i suksesshëm. Ai ka mbaruar Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit dhe, prej një viti, drejton me sukses Shkollën e Futbollit “Miami”, së bashku me bashkëshorten e tij, Melisa Osmani, e cila po ashtu ka të përfunduar Licencat C dhe B për trajnere.
“Së bashku me bashkëshorten, tani e një vit kemi Shkollën e Futbollit ‘Miami’, ku po punojmë me të madhe për të nxjerrë talentë të futbollit. Këtë vit kemi startuar me grupmoshat e Kinder Ligës dhe jemi shumë të kënaqur me ecurinë e deritanishme,” shpjegon ai rreth këtij projekti.
Krahas punës në fushë, ish-dirigjenti i Intelektualëve nuk ka ndalur edukimin e tij profesional. Këto ditë ai ka përfunduar Licencën B të trajnerëve dhe shumë shpejt pritet të certifikohet nga kursi që Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar për trajnerë.
“Futbolli është pjesë e jetës sime. Deri tani kam përfunduar Licencat C dhe B, e shumë shpejt do të kandidoj për Licencën A dhe më pastaj për atë PRO. Dua që dijen time t’ua jap rinisë, që të frymëzohen në frymën e sportit,” shton Byqmeti.
Megjithatë, Taulant Byqmeti, i cili rininë e tij ia fali FC Dritës dhe Intelektualëve, sot si profesor i diplomuar i Edukimit Fizik mbetet i papunë – një fakt që ai e sheh si një mëkat të madh për vetë sportin.
“Edhe pse kam konkuruar në disa vende për të qenë profesor i Edukatës Fizike, nuk më kanë pranuar. Dua që tërë potencialin tim t’ua fal fëmijëve për një emancipim më të mirë e të shëndetshëm. Shpresoj se Komuna e Gjilanit do të gjejë një vend për mua, sepse mendoj se e meritoj. Këtij qyteti i kam dhënë shumë dashuri e emocione dhe jam i gatshëm ta bëj një gjë të tillë edhe në sferën e edukimit,” bën të ditur ai.
Pavarësisht sfidave, Taulant Byqmeti mbetet një ikonë e tifozërisë jo vetëm e FC Dritës, por edhe e “Dardanëve”, si dhe e mbarë futbollit e sportit në Kosovë.





