Zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, priti në takim ansamblet pjesëmarrëse të Festivalit Ndërkombëtar të Këngës Folklorike Tradicionale “NINULLA”, i cili do të mbahet në Viti më 3 dhe 4 tetor.
Ky festival, i cili këtë vit shënon edicionin e dytë, do të mbledhë në Viti ansamble nga Turqia, Republika Çeke, Sllovenia, Sllovakia, Qiproja Veriore, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë dy ditëve të festivalit, qytetarët e Vitisë do të kenë mundësi të ndjekin një program të pasur kulturor dhe artistik, përmes të cilit do të prezantohen këngët, ngjyrat, traditat dhe vlerat folklorike të vendeve pjesëmarrëse. “NINULLA” synon të krijojë një hapësirë të veçantë të bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe të promovojë trashëgiminë tradicionale përmes muzikës dhe artit folklorik.
Gjatë vizitës në Viti, ansamblet pjesëmarrëse u shoqëruan nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti, si dhe drejtori i Festivalit “NINULLA”, Arsim Abazi.
Me këtë rast, përfaqësuesit e ansambleve pjesëmarrëse u nderuan me mirënjohje nga institucionet komunale të Vitisë, në shenjë respekti dhe falënderimi për pjesëmarrjen e tyre në këtë festival dhe për kontributin që po i japin pasurimit të programit dhe madhështisë së Festivalit Ndërkombëtar të Këngës Folklorike Tradicionale “NINULLA”.
Komuna e Vitisë ka vlerësuar se organizime të tilla përbëjnë një mundësi të mirë për promovimin e vlerave kulturore vendore dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit me vende dhe komunitete të ndryshme përmes kulturës dhe traditës. Aziz Zua




