Gjilan, 18 nëntor 2026
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan përmes Njësisë Sektoriale dhe Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për vetëdijesimin dhe edukimin e gjeneratave të reja për sigurinë në komunikacionin rrugor, sot me datën 18.11.2026 ka realizuar ligjërata edukative me fëmijët e ciklit parashkollor në dy institucione arsimore të Komunës së Gjilanit; shkollën “Abaz Ajeti” në Gjilan dhe institucionin parashkollor “Ardhëria II” të lagjes Dardania në Gjilan.
Gjatë ligjëratave fëmijët janë informuar dhe këshilluar lidhur me rregullat bazë të sigurisë në trafikun rrugor, rëndësinë e respektimit të shenjave të komunikacionit dhe sjelljet e duhura gjatë lëvizjes në rrugë.
Përveç pjesës teorike aktiviteti është shoqëruar edhe me demonstrime praktike në terren ku fëmijët nën përcjelljen e zyrtarëve policorë dhe stafit arsimor janë njoftuar nga afër me mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës, përdorimin e vendkalimeve për këmbësorë dhe kujdesin që duhet treguar gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte edukimi i fëmijëve që në moshë të hershme për rregullat e sigurisë rrugore, parandalimi i rreziqeve në trafik si dhe ngritja e vetëdijes së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për kujdesin dhe përgjegjësinë e shtuar ndaj fëmijëve si një ndër kategoritë më të ndjeshme të pjesëmarrësve në trafik.






