Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u ka dhënë medaljet dhe diplomat fituesve, prodhues të verërave të Republikës së Kosovës , të cilët janë shpërblyer me dy çmime ndërkombëtare për cilësi në verë të bardhë dhe të kuqe në garën e dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Mariborit në Slloveni.
Rektori Bajram Kosumi tha se, ky rast ka qenë një kënaqësi e veçantë sepse sipas tij çmime të tilla e nderojnë Universitetin “Kadri Zeka”, prodhuesit e verërave si dhe vendin – Republikën e Kosovës.
Rektori Kosumi ka shtuar se në një pjesëmarrje të 30 prodhuesve të verërave nga 13 shtete të ndryshme të Evropës, prodhuesit e verarisë në Kosovë janë vlerësuar më të mirët dhe atë, vendi i parë i është ndarë verarisë RAHVERA ndërsa vendi i tretë verarisë DAKA dhe verarisë SEFA WINE.
Nga ana e tij Hamëz Rama nga Shoqata e Verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, ka falënderuar Universitetin “Kadri Zeka” që po krijon mundësi për bizneset kosovare, që tregun e punës ta zgjerojnë në nivel ndërkombëtar. Ai ka thënë se mbrojtja e interesave të prodhuesve të verërave karshi institucioneve lokale dhe qendrore dhe zhvillimet në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, janë misioni dhe vizioni i shoqatës që ai drejton.
Edhe përfaqësuesit e verarive që janë shpërblyer me çmime, kanë falënderuar drejtuesit e Universitetit “Kadri Zeka” për përkrahje dhe mbështetje, duke thënë se falë mundësisë që iu është dhënë nga UKZ, tani ata janë të barabartë në tregun e punës karshi vendeve të Bashkimit Evropian.
Ndryshe, në muajin shator të këtij viti, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan u ka mundësuar dhjetë prodhuesve të verërave të Kosovës që të garojnë në garën e dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Mariborit në Slloveni.
Ky organizim është vlerësuar mjaft i rëndësishëm, duke i dhënë kështu mundësinë verëtarëve të Kosovës të plasojnë verërat e tyre në tregun e Unionit Evropian.
E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit që Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka me Universitetin e Mariborit në Slloveni dhe me Shoqatën e verëtarëve të Kosovës “Enologjia”.
Në garat e 10-ta ndërkombëtare të verërave organizuar nga Universiteti i Mariborit dhe Universiteti “Kadri Zeka”, kanë marrë pjesë 30 prodhues të verërave nga 13 shtete të Unionit Evropian.