Humbja e Vllaznisë ndaj Bashkimit të Koretinit i ka kushtuar me vend pune Agron Selmanit, kryetrajner i deritashëm i Vllaznisë. Ndeshja ndërmjet Vllaznisë dhe Bashkimit të Koretinit e luajtur në Stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, ka përfunduar me rezultat 0:3.
Pas ndeshjes, menjëherë është mbledhur kryesia e klubit të Vllaznisë dhe ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka qenë i pranishëm edhe kryetrajneri Agron Selmani dhe aty është rënë në ujdi që të ndërpritet bashkëpunimi me trajnerin Ferizajas.
“E falënderojmë Agron Selmanin për kontributin e dhënë ne klubin tonë,ndërsa për veprimet e mëtutjeshme ne si klub do t’ju njoftojmë me kohë”, është thënë në komunikatën e Vllaznisë së Pozharanit, të nënshkruar nga kryetari, Ardian Kurteshi.
Agron Selmani kishte marrë udhëheqjen e Vllaznisë që në kohën kur ky ekip ishte në Superligë dhe kur ishte larguar trajneri Bylbyl Sokoli. Vllaznisë është duke i kushtuar shumë një fushë e duhur, ngase në Superligë luajti në Gjilan e në Ligën e Parë e nisi në Viti, por pas mosmarrëveshjeve u largua edhe nga aty, kurse këtë javë ndeshjen si vendas e luajti në Prishtinë.