LAJME

Në Gjilan do të ekspozohet makineria ushtarake e KFOR-it amerikan në Kosovë

Gjilan, 27 shtator 2018 – Në Komunën e Gjilanit me datën 29 shtator 2018 (e shtunë) në parkun e lagjes “Dardania”, do të ekspozohet makineria ushtarake e KFOR-it amerikan dhe të gjithë qytetarët e interesuar, mund t’a përcjellin këtë ekspozim dhe njëkohësisht do të informohen për punën dhe angazhimin që bënë ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe KFOR-i në përgjithësi.

Gjatë ditës së sotme lidhur me organizimin përfundimtar, njoftimin e qytetarëve dhe përgatitjeve që Komuna e Gjilanit duhet të ndërmarrë sa i përket hapësirës, qarkullimit të veturave në komunikacion dhe aspekteve të tjera, kanë qëndruar përfaqësuesit e KFOR-it të cilët kanë diskutuar detajet përfundimtare të planit me shefi e kabinetit në Komunën e Gjilanit, Faton Bislimi, i cili është duke koordinuar këtë aktivitet, me autorizimin e kryetarit, Lutfi Haziri.

Lidhur me këtë aktivitet që është i përbashkët në organizim, Komuna e Gjilanit tashmë ka marrë të gjitha masat për mbarvajtje më të mirë të mundshme dhe njëkohësisht fton qytetarët që të përcjellin këtë ngjarje të përbashkët, ku do të jetë edhe përfaqësues të lartë politik, institucional dhe ushtarak.

Këtë ditë me ekspozimin e makinerisë së tyre do të paraqiten edhe Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës, në kënde të caktuara.

You Might Also Like