Kanë përfunduar garat shkollore në volejboll për shkollat fillore të komunës së Gjilanit, në të cilat kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i ekipeve përfaqësuese të shkollave të komunës së Gjilanit. Ndeshjet janë luajtur në Sallën e Sporteve të Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan dhe ato janë përcjellë nga një numër i konsiderueshëm i shikuesve të të gjitha moshave.
Pas disa lojërave interesante në konkurrencën e femrave kanë ngadhënjyer vashat e Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” të Gjilanit, të cilat patën paraqitjen më të mirë dhe ku është vërejtur edhe puna e trajnerit që është bërë me këto vasha.
Gara tejet interesante janë zhvilluar edhe në konkurrencën e meshkujve, ku më të mirët dolën nxënësit e Shkollës Fillore “Agim Ramadani” të Zhegrës, të cilët ishin më të mirë se bashkëmoshtarët e tyre.
Ndeshjet me plot autoritet i ka drejtuar Arben Bislimi, mësimdhënës i Kulturës Fizike, kurse sipas Blerim Sylejmanit, kryetar i Sporteve Shkollore në Gjilan, garat do të zhvillohen edhe në sporte të tjera.
Më të mirët u nderuan me mirënjohje e kupa.