Gjilan

Një delegacion i të rinjve gjilanas priten nga përfaqësues të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian


18 prill 2019 – Një grup i të rinjve nga shoqëria civile e Gjilanit të kryesuar nga Djellza Selishta, së bashku me koordinatorin për Rini, Genc Mustafa, po vizitojnë institucione të rëndësishme në Salsburg të Francës.

Pas takimeve të ditëve më parë me përfaqësues të Këshillit të Europës, të mërkurën delegacionin e të rinjve gjilanas e ka pritur Thomas Waits, raportues për Kosovën në Parlamentin Europian.

Koordinatori për Rini në Komunën e Gjilanit, Genc Mustafa, ka shfaqur entuziazmin pas këtij takimi atje, duke thënë se Ambasadorët e Kosovës janë të rinjtë.

“Në emër të kryetarit Haziri, patëm kënaqësinë ta takojmë z. Thomas Waits, raportues për Kosovën në Parlamentin Europian së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku u diskutuan për format e bashkëpunimit që si rini të japim kontributin për ndërtimin, integrimin e Kosovës dhe mbështetjen nga institucionet europiane për programet rinore. Faleminderit për mbështetjen e plotë edhe kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri”, ka thënë Mustafa.

Ky delegacion ka zhvilluar një takim Stefano Valenti nga Këshilli i Europës, përderisa  temë diskutimi ishte partneriteti i shoqërisë civile nga Gjilani dhe Këshilli Europian.

“Me këtë rast dua ta falënderoj organizatën franceze MAN e cila po jep mbështetje të plotë që ky partneritet të arrihet dhe Gjilani të përfitojë një mbështetje të madhe për aktivitetet rinore. Po ashtu, dëshiroj ta përmend kumbarën e integrimit të komunave të Kosovës në Këshillin e Europës, veprimtarin e ndjerë i cili është Qytetar Nderi i Gjilanit, Ilir Mustafa, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lidhje të partneriteteve”, ka thënë nga ana e saj kryesuesja e të rinjve nga shoqëria civile, Djellza Selishta.

Gjatë ditëve në vazhdim, delegacioni i të rinjve, të mbështetur edhe nga organizata MAN, pritet të zhvillojnë takime edhe me organizata rinore e konsullatën e Kosovës në Francë për t’i bashkërenduar aktivitetet lobuese për projektet rinore.

You Might Also Like