Futboll

Koha shtesë ishte fatlume për Dritën

Dhjetë sekonda e kanë ndarë Dritën nga humbja e papritur në ballafaqim me Trepçën ’89, por kësaj radhe koha shtesë ishte fatlume për ekipin gjilanas.

Vendasit, që kishin një ecuri të mirë të rezultateve positive, pritej që të shënonin një fitore me mitrovicasit që patën luhatje në formë, por loja tregoi një pasqyrë krejt ndryshe.

Të parët erdhën në epërsi mysafirët, edhe kësaj radhe pas një gabimi të portierit vendas Tofiloski, i cili një gjuajtje nga largësia nuk ia doli që t’a kap, por vetëm dëboi topin e në të u hodh Arb Manaj, që mbi duart e portierit futi topin në rrjetë.

Drita me ngulm kërkoi golin e barazimit, por pa raste konkrete, kurse mysafirët me zhagitje ulën ritmin e lojës e në kundërsulme ishin shumë të rrezikshëm. Nuk kryen punë as zëvendësimet, por pesë minutat shtesë që i dha gjyqtari Nuza dolën të jenë fatlume.

Pak para se gjyqtari t’i bije bilbilit për herë të fundit, Gilberto Fortunat shpërtheu nga e djathta dhe edhe pse ishte në pozitë anash gjuajti bukur dhe futi topin pranë duarve të Hysenit, që në këtë ndeshje ishte individi më i mirë i ndeshjes. Në fund Drita – Trepça ’89 u mbyll me rezultat 1:1.

You Might Also Like