ARSIMI

Në UKZ është mbajtur diskutim në lidhje me Klinikat Juridike me raste reale

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, respektivisht Fakulteti Juridik, me mbështetjen e Aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen dhe në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës, kanë organizuar diskutimin në lidhje me “Klinikat Jurdike me raste reale”.

Hapjen e këtij organizimi e ka bërë Dukagjin Leka, prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, i cili u ka dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve.

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, në fjalën e tij ka thënë se qasja në Drejtësi është një parim themelor i sundimit të ligjit. Në këtë drejtim Klinikat Juridike me raste reale luajnë një rol të rëndësishëm për përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë, ka thënë pos tjerash Rektori Kosumi.

Kurse Edona Ahmetaj, Drejtoreshë e aktivitetit të USAID-it Drejtësia Vlen, ka thënë se kjo ditë është e rëndësishme dhe e veçantë pasi që shënon pikënisjen e një projekti madhor për të zgjeruar projektin sikurse në klinikën juridike me raste të vërteta ehe me klinika të tjera.

Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës, të pranishmit i ka përshëndetur Flamur Ahmeti nga OAK në Gjilan, i cili ka thënë se institucioni i tyre është i përkushtuar që të përkrah këtë nismë që është mjaft e rëndësishme për drejtësinë kosovare.

Anita Alaj-Kalanderi, Ushtruese Detyre e Drejtoreshës së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, ka përgëzu të gjithë për jetësimin e praktikave për ndihmë juridike falas, sepse sipas saj, e gjithë kjo ndikon që studentët pas studimeve në Fakultetin Juridik, në të ardhmen të dalin juristë profesional.

Mësimet e marra në Klinikën Juridike me raste reale dhe hapat e mëtejshëm, para pjesëmarrësve i ka paraqitur Valentina Zeka, Zyrtare ligjore në Aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen.

Rreth aplikimit të Klinika Juridike Penale me raste reale në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka folur Profesori Fejzullah Hasani – Koordinator i Klinikës, ndërsa nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka folur Dardan Vuniqi – Koordinator i Klinikës atje.

Në fund është hapur edhe diskutimi për të pranishmit që ka për qëllim që të forcoj bashkëpunimet e akterëve relevant për jetësimin e Klinikave Juridike me raste reale për të hartuar zgjidhje të përshtatshme dhe të qëndrueshme.

Ndryshe, aktiviteti i USAID-it Drejtësia Vlen është një projekt trevjeçar i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për të përmirësuar qasjen në drejtësi për të gjithë, duke përfshirë grupet e pafavorizuara dhe të margjinalizuara përmes forcimit të institucioneve, akterëve dhe proceseve për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike, dhe informacionit.

You Might Also Like