Futboll

Drita e gatshme për fitoren e tretë radhazi

Fundi i pjesës vjeshtore të kampionatit të Kosovës në Futboll, për Klubin e Futbollit Drita nga Gjilani ka qenë i mbarë. Në dy ndeshjet e fundit, ndaj Lirisë dhe Hajvalisë, njërën si vendase e tjetrën si mysafire, FC Drita ka arkëtuar gjashtë pikë të vlefshme, kurse kjo e enjte është një rast i mirë që të arkëtohen edhe tri pikë të reja, kësaj radhe ndaj Besës nga Peja, ekip ky që në xhiron e kaluar ka befasuar për të keq, ngase u mposht në terren të vet nga Trepça, e cila është në pjesën e poshtme të tabelës.

Ekipi i Ismet Munishit ka gjetur ritmin dhe ka kthyer vetëbesimin, derisa Besa, që prej se largoi disa lojtarë me përvojë, nga një ekip mëtues për titull, është shndërruar në një ekip të mesit të tabelës. Besa në radhët e saj ka individë që janë të paparashikueshëm, por për ekipin gjilanas tre pikë janë shumë jetike, andaj edhe motivimi tek gjilanasit është më i madh.

Drita do t’a ketë edhe përkrahjen e adhuruesve të saj të flaktë “Intelektualët”, të cilët pritet të jenë më në numër, ngase kjo do të jetë ndeshja e fundit e të adhuruarve të tyre.

Për momentin, Drita radhitet e dhjeta me 13 pikë të tubuara, derisa Besa është në pozitën e gjashtë me 24 pikë të tubuara.

Ndeshje nis këtë të enjte me fillim në ora 13.

You Might Also Like