Gjilan, 13 mars 2021 – Komuna e Gjilanit ka organizuar, në bashkëpunim me Shoqatën e Pedagogëve të Sportit Shkollor, sot kanë organizuar vrapimin “Shtegu i Lirisë” dhe garuesit ishin nxënësit e shkollave të mesme.
Ky aktivitet është mbajtur në shënim të çlirimit të Gjilanit dhe Kosovës, me qëllim të nderimit dhe respektit për dëshmorët, martirët, invalidët dhe veteranët e luftës për liri.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani, ka thënë se drejtoria këtë vit ka në agjendën e saj një numër të madh të aktiviteteve, për çka I falënderoi të gjithë pjesëmarrësit jo vetëm në këtë garë, porn ë të gjitha aktivitetet tjera të deritanishme.
“Dita e Çlirimit të Gjilanit dhe Kosovës është gëzim I të gjithëve bashkarisht, sepse deri në vitin ’99 shqiptarët e Kosovës ishin të shtypur e të mbyllur, kurse tani është një gjendje krejt ndryshe. Ideali për liri atëherë, është arritur dhe realizuar tashmë falë dëshmorëve, martirëve, të rënëve dhe veteranëve të luftës. Ideali sot duhet që secilin prej nesh ta gjej në punë të mira për zhvillimin, ndërtimin dhe arsimimin në të gjitha fushat, për të qenë meritueshëm përkrah shteteve të zhvilluara”, ka thënë ajo ndër të tjerash.
Në kategorinë e meshkujve vendin e parë e zuri, Art Berisha, nga gjimnazi “Xhavit Ahmeti”, në vendin e dytë Bleon Abazi, nga gjimnazi “Zenel Hajdini” dhe vendi I tretë Genc Zylfiu, gjimnazi “Xhavit Ahmeti”.
Në kategorinë e femrave, vendin e parë e zuri, Tringa Nevzati, gjimnazi “Zenel Hajdini, vendin e dytë Anitë Selmani, gjimnazi “Xhavit Ahmeti” dhe vendin e tretë Viola Syla.