Sot në Britani të Madhe do të varroset mbretëresha Elizabeth. Vajza e saj, princesha Anne, më 5 shkurt të vitit 2009 e kishte vizituar Gjilanin.
Lartmadhëria e saj, princesha Anne, gjatë vizitës së saj, kishte qëndruar edhe në Gjilan. Ajo, e përcjellë nga suita e saj, për më tepër se një orë ka qëndruar në Kopshtin e Fëmijëve “Integj”, ku ishte duke u realizuar projekti i Organizatës “Save the Children”, i mbështetur nga donacionet britanike.
Siç kishte thënë Sanije Elezi, drejtoreshë e Çerdhes së Fëmijëve “Integj”, princesha ishte interesuar rreth implementimit të projektit dhe përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin e edukimit parashkollor.
Gjatë kësaj vizite, princesha Anne, ishte shoqëruar edhe nga ministri i atëhershëm i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili kishte thënë se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në përkrahje te fuqishme shtetit të Kosovë në lëmi të ndryshme, veçanërisht në ato arsimore.
“Mbështetja britanike do të vazhdojë në projekte të përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në mësime me të gjithë fëmijët e tjerë. Nuk do të ketë me klase me nxënës të izoluar, nga nxënësit e tjerë”, kishte thënë ministri Hoxhaj, duke shtuar se shkollat e reja po ndërtohen me standarde evropiane për krijimin e kushteve të mësimit inkluziv. Vizitën e Princeshe Anne, historike e kishte cilësuar edhe Qemajl Mustafa, kryetar i atëhershëm Gjilanit, i cili kishte thënë se ishte kjo një nga vizitat më të rëndësishme që i janë bërë Gjilanit.
Enver Sadiku/kryelajmi.com/