Gjilan, 31 janar 2023 – Me Gala mbrëmjen e organizuar në përmbyllje të “Flakës së Janarit 2023” janë përzgjedhur më të dalluarit në të gjitha shtyllat e këtij
Manifestimi Shumëkulturor, i cili mblodhi artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në këtë ceremoni, Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit, në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka theksuar se familjet Zeka, Mala, Berisha dhe familjet e dëshmorëve të tjerë meritojnë mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e dhënë për liri.
Ajo tha se gjatë këtij muaji, Gjilani ishte identiteti i artit, kulturës, muzikës, dramës dhe i të gjitha shtyllave për të cilat kontribuuan të gjithë e ajo i ka falënderuar të gjithë organizatorët e pjesëmarrësit, ngase Gjilanit i dhanë hapësirë të madhe që të bashkojë të gjitha trevat shqiptare.
Ajo tha se për më shumë se tri dekada, Gjilani identifikohet me “Flakën e Janarit”, andaj në këtë Gala Mbrëmje ajo paraprakisht ka përgëzuar të gjithë ata që do të shpërblehen. Ajo ka uruar që “Flaka e Janarit” të shndrit e të flakojë edhe me vite të tëra e më së shumti merita për këtë kanë ata që dhanë më të shtrenjtën për liri.
Në shtyllën e artit dramatik “Talia e Flakës” më të mirët që u shpalën ishin:
Jeton Neziraj për tekstin më të mirë në shfaqjen “Babai dhe babai”.
Erson Zymberi, regjia më e mirë në shfaqjen “Burrneshat”.
Adem Karaga, aktori më i mirë, që luajti në shfaqjen “Nyjat”
Shfaqja më inovative teatrore “Fausti” dhe
Shfaqja më e mirë e Festivalit të Dramës Shqipe u shpall shfaqja “Babai dhe babai”.
Në këtë mbrëmje janë përzgjedhur edhe më të mirët e Festivalit të Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”.
Vendin e parë e zuri solistja Olza Rashani me këngën “Heroi”, vendin e dytë e zuri Erta Hasani, që i ka kënduar Kosovës, kurse i treti doli Demush Sejdiu, që ka kënduar këngën “Heroit Agim Ramadani”.
Në Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka” më të mirët u shpallën: Vendi i parë, Greta Azizi, që ka këndur këngën “Rrisim jetën tonë”. Vendin e dytë e zunë Anesa Bunjaku – “Kroi i fshatit tonë” dhe Mesut Bajrami – “Vajzë me kaçurrela”, kurse vendin e tretë e zunë Rina Kurteshi – “Albulena” dhe Arbër Maliqi – “Këngë bashkimi”.
U shpallën edhe enigmatët më të mirë të “Flakës së Janarit”, të cilët kanë konkurruar në dy kategori. Në zgjidhjen e enigmave i pari ishte Ekrem Krasniqi, i dyti – Agim Ajvazi, kurse i treti ishte NIjazi Ismajli. Në përpilimin e enigmave i pari doli Rexhep Hasani, i dyti – Fazli Berisha dhe i treti – Ekrem Krasniqi.
Çmimet i ka ndarë edhe juria vlerësuese për “Penelin e Flakës”, ku Çmimi blerës i Galerisë iu dha Xhevdet Dulajt për pikturën e tij “Kreshniku i Maleve”. Për “Penelin e Flakës 2023”, çmime morën edhe Merita Myderrizi – Maloku – “Peizazh” dhe Lirika Kastrati – “Njollë mbi njollë”.
Poezia më e mirë e orës letrare u zgjodh ajo e Ramë Oracës – “Rapsodi për tri dhembje”, derisa në konkursin letrar në poezi u ndanë këto çmime: Vendi i parë: “Për ty”, shifra: Safo, Vendi i dytë: “Na t’atëhershmit”, shifra: 0803, Vendi i tretë: “Nëse më kishe dashtë”, shifra: Unë Hamleti
Në prozë: Vendi i parë nuk është dhënë, Vendi i dytë: “Zbardhëllimë” – shifra: Udhërrëfyesi dhe Vendi i tretë: “Bineqtë” – shifra: L’keni i Hasit. Emrat e fituesve në konkursin anonim do të bëhen të ditur pasi që të deshifrohen me sjelljen e kopjes së tretë.
Çmimet për më të mirët i ndanë pjesëtarë të familjes Mala, Berisha e Zeka, udhëheqës shtetërorë e komunalë dhe krijuese e artistë të njohur.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2023” është mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës, Alban Hyseni, me përkrahjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte, që udhëhiqet nga drejtori Kushtrim Zeqiri.