Muhamet HALILI
ZHYTJE E THELLË
Që në momentin kur zbrita nga autobusi dhe shijova përkëdheljen e rrezeve bregdetare të diellit, sikur shtypa pullën e fillimit të aventurës së paplanifikuar. Isha nisur në pushim vikendi me një qëllim të caktuar, por pa planifikuar asgjë. Është vërtetuar se planifikimet t’i prishin pushimet. Krejt energjia të humb duke u përpjekur ta realizosh të planifikuar. Madje, mund edhe të zhgënjehesh nëse nuk shkon ashti siç e ke planifikuar, qoftë ajo edhe një pjesë sado e vogël e planit!…
– Do banesë çuni, është fare afër plazhit, – më ofertoi një mesoburrë duke mi sjellë, me gishtin e tij tregues, ca çelësa para syve të mi.
As që mora mundin t’i ktheja përgjigje.
Ose e “dëgjoi” të menduarin tim bosh, ose iu duka i çuditshëm, pasi fytyrëhabitur mu shmang, sigurisht me idenë që të jetë sa më larg çunave si unë!
Asfaltet e prishura të qytetit tim dhe mungesa e gjelbërimit ma kishin akumuluar tej mase zabullimën përbrenda, andaj zëri i brendshëm, ka kohë që prodhonte të vetmen fjalë “zhytu!”.
Mezi prisja të zhytesha thellë në atë det të pambarim që për pak prisja ta kisha para syve dhe të qëndroja aty derisa hëna të lahej në të dhe të më pëshpëriste ngadalë: “Djalosh, ik tani shko e pusho dhe eja nesër me lindjen e diellit!”.
Banesa më duhej pikërisht për një shtrat, andaj nxora mendjen nga uji, ku veçse kisha filluar të notoja dhe isha unë tani ai që fillova t’i kërkoja me sy ata që sillnin çelësat në duar dhe përsëritnin refrenin: “Doni banesë?!”.
Doja sa më parë të lirohesha nga ajo çantë e vogël krahu dhe ta dija saktësisht se ku do ta kisha shtratin, që pastaj të shkoja e t’i përshëndesja vrushkujt e valëve të shfrenuara që do ta ma përshkonin trupin kudo, në kërkim të shpirtit, që kishte kohë që donte puhi deti.
Flladi i parë që ndjeva mi preku sytë! Vendosa dorën në ballë si strehë sysh pasi doja të shihja më mirë.
Po qëndronte matanë rrugës me çelësa në dorë, një trup sirene që më detyroi ta matja nga maja e kokës deri poshtë te këmbët, për të parë a mos kishte bisht peshku në vend të shputave.
Sandalet verore të saja më gëzuan pamasë!
Zhytjen e parë timen e bëra mes gjoksit të saj të bujshëm. Telepatike ndoshta, por sikur e ndjeu zhytjen time, pasi teksa po më shikonte, me dorën tjetër të lirë nga çelësat, luante me dekorin e varëses, një figurë që nga larg nuk dallohej se çfarë ishte.
Në atë zonë si kanion mes dy kodrave binjake, ajo gjëja, ngjyrë hiri me të bardhë, ishte mendjemarrëse!
Një buzëqeshje të çiltër të saj e përktheva në ftesë ta kaloja rrugën e t’i afrohesha.
Shikova në të dyja anët për një vendkalim. Mu duk larg ai që kisha afër pesëmbëdhjetë metrash në të majtë.
S’ka dert, i thash vetës edhe po të rrezikoja ta trupoja rrugën nga këtu ku isha. Tekefundit, mund t’i thosha kujtdo se nuk pash, pasi sytë veçse ishin andaj rrugës.
Mes veturash, sirenash, e ndonjë sharje sysh në ballë, kalova disi matanë.
E përshëndeta i pari.
Ma ktheu me buzëqeshje, por se me një timbër zëri melodik dhe magjepsës sa që, edhe pse nga goja e saj i doli vetëm një: “Përshëndetje. Ç’kemi!”, mua mu duk se sapo dëgjova në tërësi këngën fituese të Eurovisionit!
– Quhem Arielë.
Më tepër mu prezantua për të ma tërhequr vëmendjen që ta ndalja vrapin kodrave binjake, e për të më treguar se kishte një trup të tërë, e jo veç gjinj!
– Emër i bukur, sigurisht e motivuar nga filmi “Sirena e detit”, – ia ktheva, sa për ta zhbërë situatën e sikletosur.
Buzëqeshja e saj pohuese u shoqërua edhe me ngritje vetullash për të kërkuar emrin tim
– Jam Glauku, – iu prezantova.
– Zot i deteve nga e ardhmja, – foli ndër vete, por mjaftueshëm për t’u dëgjuar, e për të ma bërë me dije se edhe ajo di për mitologjinë.
– Do qëndrosh gjatë, – më pyeti, edhe për të vazhduar bisedë, edhe për të ma ndalur prapë vrapimin tim me sy, dy kodrave të saja.
– Dy net, – iu përgjigja për ta drejtuar shikimin gjetiu.
– Pushim i shkurtë. Me siguri të pret puna.
– Jo, jam student.
– Po ju, punoni? – e pyeta.
Mi solli çelësat edhe njëherë, për ta nënkuptuar përgjigjen.
– Verës, ndërkohë që studioj edhe unë.
Rrugës për te pallati, ku kishte banesën për të ma treguar, e kaluam si një qift në njohën e parë, që flet për një temë, ndërkohë që me mendje bisedohet krejt për diçka tjetër.
– Ja kjo është dhoma e fundit e lirë. Qenke me fat, e si duket edhe unë, pasi mbarova për sot dhe mund të nisem për Tiranë, – më tha.
– Mëkat të ikësh kur ke detin këtu, – ia ktheva.
– Kam punë atje, – mu sqarua, duke kombinuar mimikën e fytyrës me rrudhjen e krahëve.
– Së paku një kafe mundemi ta pimë, sa për të më dhënë edhe ndonjë informatë për rrethin, që të gjendem sa më mirë në këtë blic pushim.
Pohoi me kokë fjalën “Mundem!”
– Pse do ikësh në Tiranë? – e pyeta.
– Një shoqe e imja ka ditëlindjen dhe do të këndojë me bendin tim.
– Ua, je këngëtare?!
Tundi kokën, duke u treguar modeste.
– Unë jam tekstshkrues, e nga pak i bie edhe kitarës, – ia bëra me dije.
– Vërtetë?! – u befasua dhe ashtu siç reagoi me tërë trupin, iu bë qejfi!
– Një fushë e përbashkët bashkëbisede, bëri që sakaq kafja të shndërrohej në një drekë, ku çdo gjë sillej rreth muzikës.
Ata që besojnë në magji shpeshherë kërcasin me gishtërinjtë, me të madhin dhe të mesmin, sepse besojnë se pas tri kërcitjeve të tilla ndodh diçka e mirë. E praktikova edhe unë!
Dreka e Durrësit tani mu shoqërua me birrë të ftohtë në një tavernë mu në mes të Tiranës, ku po lëkundja trupin nën ritmin e këngës që po këndohej në skenë nga Ariela.
Nuk ma ndante shikimin. E këndonte këngën për mua, anise shoqja e saj kishte ditëlindjen dhe ndeja e ahengu bëhej për të.
Si të ishte lexuese e mendjes, ndjeu sërish shikimin tim në gjoksin e saj, pasi me dorën tjetër të lirë nga mikrofoni preku delfinin ngjyrë hiri me të bardhë dhe luante me të.
Për ironi edhe kënga që e këndonte përfshinte fjalën “Vrapo” . Më saktë, refreni ishte ky:
Vrapo, pushto gjithçka, se të ka hije
shijoje të tërën, si për të fundit herë ta kesh
se e nesërmja gjithsesi do të vije
por vrapuesi, ti mund të mos jesh!
Nën refrenin e kësaj kënge që më përsëritej shpesh edhe kur nuk e këndonte më ajo, hapa sytë! Llamba e njëjtë në tavolinën pran shtratit, ma kujtoi se isha po në të njëjtën dhomë të një natë më parë. Shtrati sërish ishte plotë e zabullima për mua kishte mbetur veçse një term fjalorthi.
Sërish ia shikova këmbët për të parë se a kishte bisht peshku në vend të shputave.
Gëzimin tani e ndava me delfinin e varëses, pasi mi kishte ngulur sytë, por shikimin e kishte mëndafsh të butë. E butësinë e kisha shijuar përmes buzëve.
U ngrita, vesha një bluzë të hollë të saj, pasi e kisha më afër dhe hapa dritaren për ta ftuar diellin brenda!
Bashkë me të, hyrën edhe tingujt e një muzike, që vinin nga lokali poshtë pallatit.
Kënga “Ditë e re, nafakë e re!” më bëri t’i ngriti krahët përpjetë, një veprim që e bëjë shpesh për t’u shpirë, kur jam i disponuar.
Kënga që vazhdonte të fliste për ditën e re, me vete barte dhe ftesën për kafenë e mëngjesit.
Një “Mirëmëngjesi!” nga shtrati, dha përgjigjen e qartë në atë ftesë, me atë se: “Askush nuk vdes po se piu kafen e mëngjesit!”
Hoqa sërish bluzën, për të mbetur pa e pirë kafenë!…
Ditët e pushimi thonë ikin shpejtë. Iku edhe ky vikend.
Nga dritarja e autobusit Tiranë – Durrës, që po i afrohej destinimit. po mundohesha ta shihja detin, pasi kisha nevojë t’u kërkoja të falur valëve të trazuara, që nuk u zhyta dot në to!
Si satifaksion kisha rahatinë e unit, zërit të brendshëm, që ishte i stërkënaqur dhe e kisha bërë të pushonte si një bebe e ushqyer mirë dhe e rehatuar në të terur.
Arrita fiks në kohë për të kapur autobusin tjetër që do të më kthente në shtëpi.
Një këngë e paartikuluar në radion e shoferit dhe bisedat zhurmuese të bashkudhëtarëve, që poashtu i kishin përfunduar pushimet, më udhëzuan t’i mbyllja sytë, për të pushuar ca, ose për t’u tretur në imagjinatën e mendjes që mund të ma prodhonte aventurën e sapo përjetuar, që tani më, me ndihmën e unit, i kisha vënë emrin “Zhytje e thellë!”, që pafundësisht ma kishte freskuar shpirtin, si asnjë valë deti!…