Gjilan, 26 Janar 2024 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarit F.A. dhe B.A., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të dyshuarin L.M., për shkak të veprës penale ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, të KPRK-së.
Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën.
Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., , nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.