Pas disavantazhit 0:1, Drita ia ka dalë që t’a rikthejë rezultatin në dobi të vetin dhe ka ruajtur statusin e të qenit anëtar i Superligës së Kosovës në Futboll edhe për sezonin 2017/2018. Zëvendësimet e bëra nga kryetrajneri Milaim Zuzaku, dolën të jenë të qëlluara dhe ato dhanë rezultat.
Në minutën 64 pas një shpërthimi nga e majta, Livoreka me një veprim mashtrues ka shmangur dy futbollistë të Dukagjinit dhe ka harkuar në anën e kundërt, ku Semir Zeneli me kokë ka gjuajtur në këndin e poshtëm të majtë të portës së klinasve dhe ka barazuar rezultatin në 1 me 1.
Në minutën 74 Dukagjini mbeti me një lojtar më pak, ngase portieri Haxhijaj ndërhyri jashtë zonës në Alban Shkillovën dhe gjyqtari ia tregoi kartonin e kuq.
Në minutën 92, Drita ia ka dalë që të shënojë golin e fitores, ngase pas një harkimi nga e majta, në zonë më së larti kërceu zëvëndësuesi Alban Shillova, i cili gjuajti me kokë dhe e futi topin në rrjetë.
Drita për të tretën herë radhazi ngadhënjen në një ndeshje barazhi dhe me këtë fitore ruajti statusin e anëtarit të Superligës së Kosovës në futboll.