Futboll

Si u kthyen livadhet e Malishevës në Kështjellë të Qëndresës dhe futbollit në Vitet e ’90-ta

Nga errësira e okupimit, te drita e fushës së blertë. Historia e burrave të Malishevës që sfiduan regjimin serb duke dhuruar tokat e tyre për ta mbajtur gjallë sportin dhe shpirtin shqiptar.

Fillimi i viteve të ’90-ta e gjeti Kosovën nën një terr të thellë e të hekurt. Pushteti okupator serb po bënte kërdinë mbi popullin tonë, duke zbatuar spastrime masive nga vendet e punës, fabrikat, zyrat dhe shkollat. Në këtë valë të egër të represionit, goditje të rëndë mori edhe sporti. Sportistët tanë u dëbuan brutalisht nga fushat e futbollit dhe palestrat, duke u lënë në mëshirën e fatit në një kohë kur gjithçka ishte e uzurpuar. Shumë punëtorë sportivë, mësues e sportistë u burgosën dhe përjetuan torturat më shtazarake që mund të aplikonte regjimi pushtues.

Por, aty ku regjimi mbolli frikën, populli shqiptar mbolli shpresën. Dashamirët e sportit nuk u dorëzuan. Ashtu siç u ngrit i gjithë populli, sistemi paralel i arsimit dhe institucioneve, ashtu u mobilizua edhe bota e sportit, për t’i treguar armikut se jeta dhe pasioni në Kosovë nuk mund të ndaleshin.

Me dëbimin e dhunshëm të futbollistëve nga stadiumi i qytetit të Gjilanit,e nga Palestrat Sportive , topi i futbollit duhej të vazhdonte të rrokullisej si simbol i rezistencës. Fillimisht, u tentua që garat e sistemit paralel të zhvilloheshin në fshatrat Përlepnicë dhe Dobërqan, ku u luajtën rreth 3-4 ndeshje. Megjithatë, këto “fusha” nuk i plotësonin as kushtet më minimale për një lojë të mirëfilltë futbollistike. Kërkohej një strehë e re, një tempull i ri për rininë.

Pas shumë përpjekjeve, shpresa u gjet në fshatin Malishevë. Buzë rrugës gjendeshin disa livadhe, të cilat sot me krenari mbajnë emrin domethënës “Livadhet e Lirisë“. Por, për të formuar përmasat e një fushe standarde futbolli, duhej që shumë fshatarë të bashkonin parcelat e tyre private.

Në këtë moment historik, në skenë dalin heronjtë e vërtetë, burrat e Malishevës. Me një patriotizëm të pashoq, ata dhuruan pa asnjë hezitim livadhet e tyre për t’i shndërruar në fushë futbolli. Ata i treguan pushtetit serb se nuk ekziston asnjë represion apo dhunë që mund të ndalë aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe dëshirën e rinisë për të zhvilluar aktivitet sportiv.

Ata që ndanë tokat e tyre dhe zemrat e tyre për këtë stadium të rezistencës ishin: Sylejman Faik Syla, Jonuz Faik Syla, Mustafë Zenel Mustafa, Avdi Sahit Murtezi, Bajram Avdyl Sahiti, Shaban Emin Isufi.
Me nderime dhe dhembje të thellë, kujtojmë se fatkeqësisht asnjëri nga këta atdhetarë sot nuk është më në jetë. Por vepra e tyre jeton përgjithmonë.

Këto livadhe u bënë sinonimi absolut i sportit dhe qëndresës. Çdo ditë e diel kthehej në një festë kombëtare të futbollit; të gjitha rrugët të çonin drejt fshatit Malishevë. Mbi 7,000 deri në 10,000 shikues mblidheshin për të ndjekur derbit epikë mes FC Dritës dhe FC Gjilanit e shumw ndeshje tjera futbollistike . Ishte një demonstrim force, bashkimi dhe mosnënshtrimi.

Familjarët e këtyre burrave të mëdhenj sot flasin me kokën lart. Të bashkuar e njëzëri, ata shprehen: “Jemi thellësisht krenarë me prindërit tanë që në ato kohëra të rënda u dolën në ndihmë futbollistëve. Edhe pse patëm kërcënime të vazhdueshme nga pushteti serb, ata asnjëherë nuk u trembën për veprimin që bënë. Ne sot jemi të nderuar që fshati ynë arriti, sado pak, të zbusë gjendjen e rëndë të rinisë dhe futbollistëve nën kthetrat e okupimit.”

Identifikimi i këtyre emrave të lavdishëm ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë hulumtues, i bërë në bashkëpunim me shumë banorë të Malishevës. Përmes këtij shkrimi, bëjmë një ‘apel të hapur’: Nëse pa qëllim kemi harruar ndonjë fshatar tjetër që ka kontribuar me tokën e tij në këtë nismë, ju lutemi të na lajmëroheni. Do të jetë kënaqësia jonë më e madhe ta publikojmë dhe nderojmë emrin e tij bashkë me të tjerët.

Për këtë kontribut monumental, këta persona shumë shpejt do të nderohen në një ceremoni solemne, ku do t’u dhurohen mirënjohje të veçanta nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit dhe nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Populli i Kosovës, nëpër shekuj, ka lindur trima e dëshmorë që i kanë shërbyer atdheut në format më të ndryshme. Në vitet e stuhishme të ’90-ta, këta burra të Malishevës zgjodhën që atdheun ta mbrojnë duke mbrojtur rininë e tij. Ata ishin dhe do të mbeten përgjithmonë, Trimat e Futbollit Kosovar.

 

You Might Also Like