Futboll

Drita shkëlqeu në pjesën e dytë

Drita ka shënuar fitoren e radhës, kësaj here ndaj Dukagjinit me rezultat 2:0 në ndeshjen që është zhvilluar në Klinë,

Pa ndonjë rast të mirë shënimi nga Dukagjini apo edhe Drita, është mbyllur pjesëloja e parë e kësaj ndeshje.

Dukagjini që është në krizë të rezultateve, ngase tash e sa kohë nuk di për fitore, derisa Drita, që pas disa ndeshjeve të pazhvilluara shkaku i angazhimeve në Evropë, tashti është fuqishëm duke u ngjitur drejt kreut.

Ndonëse nuk pati ndonjë rast që duhet veçuar, në pjesëlojën e parë më e rrezikshme është treguar skuadra e Dritës, e cila rëndom ka shpërthyer nga ana e majtë, por që harkimet e Ajzerajt dhe të Zylfiut nuk kanë arritur deri te sulmuesit e Dritës, andaj pas përfundimit të pjesës së parë, rrjetat kanë ngelur të paprekura.

Në minutën 55, Besnik Krasniqi dha një gjuajtje dënimi nga largësia rreth 20 metra, por topi shkoi drejt në portierin Muhaxhiri. Dukagjini rastin më të mirë e ka patur në minutën 65, kur nga largësia rreth 20 metra qendërsulmuesi i tyre Jatta ka gjuajtur furishëm, por portieri Faton Maloku u hodh dhe kapi topin. Dhjetë minuta më pas Merlaku qëlloi nga një pozitë shumë e mirë, por topi për pak shkoi mbi portë.

Drita ka ardhur në epërsi në minutën 77, kur pas një shpërthimi nga e majta, Ouvuka ka harkuar në brendi kurse topin që e mori Besnik Krasniqi e dërgoi deri te Manaj, e ky e shërbeu Kastriot Selmanin, që me urti qëlloi këndin e poshtëm të djathtë të portës së Dukagjinit për rezultatin 1:0. Nuk ka shkuar shumë kohë dhe Drita ka shënuar edhe golin e dytë. Kësaj radhe nga e majta ka harkuar Ajzeraj, e Blerim Krasniqi në qendër ka zgjatur këmbën dhe ka futur topin në mesin e portës për 2:0.

Në ndeshjen e radhës Drita do të ketë përballë rivalin lokal SC Gjilanin. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like