Gjilan

Në mungesë kuorumi, dështon të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit

 
Gjilan, 8 nëntor 2024 – Në mungesë kuorumi, ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi partitë opozitare LDK dhe PDK nuk kanë qenë prezentë në sallë. 
 
Kryesuesi Kushtrim Kadriu bëri të ditur se me 14 asamblistë të pranishëm nuk ka kuorum për të filluar seancën.
 
Përndryshe, në seancën e jashtëzakonshme e cila është ftuar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ishte paraparë të diskutohej për bartjen e buxhetit dhe miratimin e buxhetit për vitin 2025.
 
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se kjo bllokadë e shkaktuar në Kuvend, qytetarëve u kushtron me rreth 5 milionë euro humbje për qytetarët. 
 
“Po vërtetohet për muaj me radhë se mungon vullneti nga opozita për të aprovuar buxhetin për vitin 2025, dhe përpos kësaj, ka munguar vullneti edhe për aprovimin e tejkalimit të buxhetit, që nënkupton mos humbjen e mjeteve në fund të vitit. Kjo bllokadë e shkaktuar në Kuvend, qytetarëve u kushtron me rreth 5 milionë euro, mjete të cilat do të humbin në vitin 2025”, ka thënë Hyseni, duke shtuar se kjo nuk është seanca e fundit e jashtëzakonshme që e ftojnë.
 
Pas dështimit të mbledhjes kanë folur edhe asambleisti i VV-së, Ismajl Kurteshi dhe shefja e grupit të këshilltarëve të VV-së, Krenare Latifi Kqiku, të cilët kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e asambleistëve të opozitës (LDK-PDK), duke thënë se në këtë mënyrë po dëmtohen qytetarët e Gjilanit.

You Might Also Like