Futboll

Lidhja Rajonale e Futbollit në Gjilan përmbyll me sukses vitin 2024

Lidhja Rajonale e Futbollit në Gjilan (LRFGJ) ka përmbyllur një vit të suksesshëm, duke realizuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në rajonin e Anamoravës. Ky vit ka qenë i mbushur me aktivitete dhe arritje, duke përfshirë mbështetjen për klubet, zhvillimin e futbollit të rinjve, dhe përgatitjen e gjyqtarëve të rinj.

Një nga arritjet kryesore ka qenë mbulimi i shpenzimeve për personat zyrtarë në ndeshjet e fëmijëve, duke lehtësuar prindërit dhe klubet.

Projekti “Kinderliga U11” ka qenë një sukses i madh, ndërsa nisma “Futbolli në Shkolla” ka përfshirë shkolla në Gjilan, Viti dhe rrethina, duke ndërtuar fusha me bar sintetik për nxënësit.

Për këto të arritura, kryetari i LRFGJ, Armend Misini, deklaroi:

“Angazhimi ynë ka qenë që çdo fëmijë i përfshirë në futboll të ketë kushte optimale për zhvillim. Ne kemi punuar për t’u siguruar që fëmijët të ndihen të përfshirë dhe të frymëzuar nga mundësitë që ofron futbolli. Projekti ‘Futbolli në Shkolla’ ka për qëllim jo vetëm zbulimin e talenteve të reja, por edhe edukimin e brezave të rinj në frymën e respektit, disiplinës dhe bashkëpunimit. Besojmë se sporti është një mjet i fuqishëm për formimin e karakterit të fëmijëve tanë, dhe përmes këtij projekti kemi ndërtuar ura bashkëpunimi mes shkollave dhe klubeve.”

LRFGJ ka organizuar një sërë garash, duke ruajtur parimin e Fair Play-it dhe duke siguruar drejtësi në çdo ndeshje. Klubet pjesëmarrëse kanë treguar rezultate të mira dhe sjellje sportive shembullore.

Misini theksoi rëndësinë e këtij aspekti, duke shtuar: “Fair Play-i është themeli i garave tona. Ne jemi të përkushtuar që çdo ndeshje të jetë një shfaqje e drejtësisë dhe ndershmërisë sportive. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që lojtarët, trajnerët dhe tifozët të kuptojnë vlerën e Fair Play-it, jo vetëm në fushë, por edhe në jetën e përditshme. Nëpërmjet këtij standardi, ne po ndërtojmë një kulturë të re sportive, ku respekti ndaj kundërshtarit dhe rregullave është mbi gjithçka. Kjo kulturë do të na ndihmojë të kemi një sport më të pastër dhe më të drejtë për të gjithë.

” LRFGJ ka organizuar konkurse për aftësimin e gjyqtarëve dy herë në vit, duke rritur cilësinë dhe profesionalizmin në arbitrazh. Aktualisht, 50 gjyqtarë janë aktivë në LRFGJ, prej të cilëve 44 janë të angazhuar në ligat kombëtare.

Kryetari Misini, ka theksuar se avancimi i gjyqtarëve do të jetë një nga prioritetet e tij. “Rritja e numrit dhe cilësisë së gjyqtarëve është një prioritet i yni. Gjyqtarët janë një komponent thelbësor i futbollit dhe përmes trajnimeve të vazhdueshme, ne synojmë të formojmë profesionistë të aftë për t’u përballur me sfidat e futbollit modern. Po punojmë që gjyqtarët tanë të jenë të pajisur jo vetëm me njohuri teknike, por edhe me etikën e nevojshme për të përfaqësuar denjësisht Gjilanin dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Kjo është një investim për të ardhmen e sportit dhe për standardet e larta që duam të arrijmë.” Në LRFGJ janë të regjistruar 1,277 futbollistë nga 10 klube dhe shkolla të ndryshme futbolli, përfshirë FC Dritën dhe SC Gjilanin. Klubet kanë pasur një angazhim të jashtëzakonshëm gjatë vitit, duke kontribuar në zhvillimin e sportit dhe komunitetit.

Për vitin e ardhshëm, LRFGJ ka planifikuar disa projekte ambicioze, si: – Ndërtimi i një fushe të re me bar sintetik për grupmoshat e reja.

– Zhvillimi i garave ndërkombëtare dhe përfshirja në programe të reja të UEFA-s dhe FIFA-s. Kryetari Misini, per planet e vitit 2025, njoftoi: “Viti 2025 do të jetë edhe më i suksesshëm. Jemi të angazhuar për të realizuar projekte të cilat jo vetëm që përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e futbollit, por gjithashtu nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar.

Planet tona përfshijnë krijimin e mundësive për lojtarët tanë të rinj që të ekspozohen në nivele më të larta konkurruese dhe të përfitojnë nga eksperienca ndërkombëtare. Ne do të punojmë ngushtë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe partnerë të tjerë për t’i kthyer këto ide në realitet.

” Misini shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në suksesin e LRFGJ gjatë vitit: “Dua të falënderoj klubet, futbollistët dhe bordin tonë për angazhimin e tyre të palodhur. Secila arritje që kemi pasur gjatë këtij viti është rezultat i një pune të përbashkët dhe dedikimi. Jam krenar për mënyrën se si kemi ndërtuar një komunitet të fortë sportiv që vazhdon të rritet dhe të kontribuojë për futbollin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.”

Në përfundim të vitit, më 24 dhjetor, do të organizohet një mbrëmje festive në restorantin “Eltoni” në ora 18:30, ku do të shpallen dhe mirënjohjet për kontributet më të veçanta.

You Might Also Like