Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për projektin e Banimit Social Adekuat, nga kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.
Ky projekt ka si qëllim përmirësimin e kushteve të banimit për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përfshirë edhe grupet më të cenueshme të shoqërisë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se memorandumi për Banimin Social është nënshkruar.
“Komuna e Gjilanit është një nga përfitueset e këtij projekti, që ka një vlerë prej 37 milionë eurosh”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit, shtoi se në bashkëpunim me ministrin Aliu, kanë arritur të nënshkruajnë memorandumin për zhvillimin e projektit të banimit social.
“Qëllimi i tij është përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, tha Hyseni.
Kryetari i komunës, tregoi disa nga pikat kryesore të këtij projekti janë: Ndërtimi i projekteve të reja për banim social. Rinovimi i njësive ekzistuese të banimit social. Rindërtimi apo rinovimi i shtëpive private për familjet e cenueshme.
“Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit, vazhdojnë të tregojnë përkushtim në krijimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të qëndrueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryetari Alban Hyseni.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, tha se përkushtimi për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës vazhdon, dhe jam i bindur se ky projekt do të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme për ata që kanë më shumë nevojë.