Futboll

Erlis Xhemajli, mesfushori që po shkëlqen në futbollin kosovar

Mesfushori defensiv i Dukagjinit, Erlis Xhemajli, po tregon çdo ditë e më shumë cilësi të larta, duke u konsideruar nga njohësit e futbollit si një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij në futbollin kosovar për momentin.

Xhemajli, me fanellën gjelbër e bardhë të Dukagjinit, është vlerësuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në këtë kampionat. Ai shpreh kënaqësinë dhe krenarinë që mbron ngjyrat e klubit nga Klina.

“Jam shumë i kënaqur dhe i nderuar që mbroj ngjyrat e Dukagjinit. Jemi një skuadër e re, me plot ambicie dhe me futbollistë të talentuar. Këtë po e dëshmojmë në fushën e blertë dhe shpresoj që së bashku me shokët të arrijmë objektivin tonë – të sigurojmë mbijetesën në Superligë,” – është shprehur 21-vjeçari.

Xhemajli gjithashtu ka vlerësuar punën e trajnerit Ismet Munishi, i cili, sipas tij, po tregon aftësi të larta profesionale dhe po u jep hapësirë futbollistëve të rinj.

“Jam i lumtur që punoj nën urdhrat e trajnerit Ismet Munishi, i cili çdo ditë e më shumë tregon besim te lojtarët e rinj. Ai po bën një punë shumë profesionale në klub, dhe shpresojmë që së bashku të arrijmë objektivat tona me Dukagjinin.”

Përveç paraqitjeve të shkëlqyera në klub, Xhemajli ka marrë më herët ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për të marrë pjesë në një kamp stërvitor me futbollistë të talentuar të cilët konsiderohen si e ardhmja e futbollit kosovar.

“Ishte një ndjenjë shumë e mirë të ftohesha në grumbullimin e Kombëtares së Kosovës. Është ëndrra e çdo futbollisti të mbrojë ngjyrat e shtetit të tij. Do të punoj edhe më shumë për të bindur përzgjedhësin Foda dhe për të dhënë kontributin tim për futbollin e Kosovës,” – ka thënë Xhemajli.

Më herët, Xhemajli ka qenë pjesë e SC Gjilanit, ku ka zhvilluar paraqitjet e tij si lojtar i ri para se të kalonte te Dukagjini.

You Might Also Like