Mehmetali REXHEPI
tambli i shteret
por burime të ëmbla i rrjedhin
*
si ta lësh pa e prekur me dorë të lirë
lëkurën petë tambloreje e shtrirë
*
në çdo zonë të prekjes
jargët e ujkut dhe avujt e zemrës
*
hyre në orbitën e saj magnetike
thuresh prej ibërshimesh të fshehura të asaj grishje
*
harrove se edhe ti je një yll
porse rrezet tua t`i kishte përpirë
*
shpinë për shpine dhe
t`i lexonte të lajthiturat ëndërrime
*
në kaltërsinë e mesditës
seç ta derdhte breshërimën e vranësirës
*
ngjiteshe relievit epshor bjeshkës për bri
vrik t`i ndillte vetëtimat rrufetë e rrebeshet me stuhi
*
shih të mbjellat e tua si t`i shkretuan
breshërimë dhe epshi i saj që s`frenuan
*
duar nektari pemë e gjallë
syrrushe e zezë syrrushe e bardhë
*
gji i qetë i detit të jetës
liman anijesh të molisura për spirancat e prehjes
*
thellësinë e gruas prej deti
asnjë pushtues zemrash nuk e preku
*
ajo ngërthen enigmën jo për sot
zbërthen ngjyrat për stinë e mot
*
Petrarka Serembe e se cili tjetër
prore mbetën të etur fund-ëndjen e gruas për ta gjetur
*
pas secilës veshje solemne
prirje t`i takonte edhe një zemre
*
sheshit e përmes zemrës shigjeta e shikimit më përshkoi
rrënjës katrore të marrëzisë një kllapë të vardisjes i ofroi
*
sajon brymë për pemën e zilisë
mburojë për të helmatisurën shtizë
*
ruaju mllefit të saj të parë
pendesën e tretë fare lehtë mund të ta falë
*
e ke fyer sedrën dhe heshtjes i vure pikë
karikaturën ta varë pikërisht në orën tënde të ligë
*
në lozën e saj ngjizet fara e rrezeve të gjenisë
e tokës avullore e dashnorit diellor apo e Hyjnisë
Nga libri: VETULLAT E MAJËBORËS; Lena, Prishtinë, 2021
Gjilan, 31 gusht 2019