U mbajt mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal, kryetari Haliti merr mandatin e katërt
Kuvendi Komunal i Vitisë, ka hapur zyrtarisht mandatin e ri me një seancë inauguruese solemne, e cila nisi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në shtet formim përgjatë periudhave të ndryshme.
Në këtë seancë dhanë betimin 27 këshilltarët e rinj të Kuvendit Komunal, duke shënuar fillimin e legjislaturës së re. Betimin e dha edhe kryetari i rizgjedhur, Sokol Haliti, i cili në fjalën e tij u shpreh se ky akt nuk ishte thjesht një procedurë formale.
“Sot po e bëj betimin jo vetëm si formalitet, por sepse besoj në përgjegjësinë që marr përsipër. Betohem se do t’i ngre institucionet në nivelin më të lartë dhe do të punoj me ndershmëri për interesin qytetar. Do të punoj për një të ardhme më të mirë për komunën e Vitisë dhe për çdo familje të saj,” tha Haliti. Ai shtoi se mandati i ri do të fokusohet në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin ekonomik lokal, investimet në arsim e infrastrukturë, si dhe forcimin e transparencës e bashkëpunimit me komunitetin.
Seancën e udhëhoqi këshilltari më i vjetër në moshë, Basri Aliu, ndërsa përkrah tij qëndroi këshilltarja më e re, Elsa Nuhiu, duke shënuar kështu hapjen zyrtare të punimeve të Kuvendit.
Përbërja e re e Kuvendit Komunal të Vitisë do të jetë:
LDK me 10 këshilltarë: Basri Aliu, Sokol Shaqiri, Milihate Ajeti, Ilir Zuka, Ekrem Ymeri, Zejnepe Osmani, Ramadan Deliu, Bekim Rama, Djellza Fejzullahu, Faruk Shabani.
PDK me 8: Bekim Azizi, Hajdin Ademi, Nuhi Ramadani, Visar Demiri, Selim Sejdiu, Elsa Jahija dhe Ardita Hajdari, Mirjeta Hamiti.
LVV me 7: Majlinda Shabani, Ekrem Abazi, remzi Salihu, Jakup Demiri, Lindita Demelezi, Liridona Bislimi dhe Lulzim Haxhiu.
AAK me 1: Labinot Bislimi
Nisma Socialdemokrate me 1: Elham Emërllahu
Me përfundimin e betimeve dhe konstituimin e legjislaturës së re, Kuvendi Komunal i Vitisë ka nisur zyrtarisht punën për katër vitet e ardhshme, duke hapur rrugën për një cikël të ri institucional në shërbim të qytetarëve të komunës.
Aziz Zuka





