MONACO
Meti REXHEPI
Deti ta kishte grabitur oborrin me armën që nuk kapet
mbi kaltërsi valësh thyhen konturuat e zilive
fryma e mushkërive të zgjeruara të erës shqepet dendurisë së pallateve
të hedh shallin e freskisë së hollë e të përdredhur dhe t’i mbështjell
ngrehinat e Tua i fërkon dhe lëmon rrëmbyeshëm e fashitur
përplasen kontrasteve të pjerrtësive të frymëmarrjeve ritmet
ndërvarje djersësh me kozmetikën
Deti Zot i tokës kaherë preras ta kishte shqiptuar fatin:
ngjitu më lart në daç bëhu bukuroshe
do më lësh se (z)bën t’i shtrijë prekjet e mia në këmbët Tua
e shtrënguar ndërtove prirjen e urdhërdhënësit të pathyer
s’të mbeti dy mendje si ajo shtytje mëshikëze nga urina
t’ia mbështesje shpinën shkëmbit t’i falesh valëve
që vijnë e diç marrin dhe gërryejnë shkëmbin e lënë kripëra
çdo t’i bëje konturove prej hinkës Tënde si do ta përpije vapën
nëse s’do t’i puthte prore këmbë e duar sy e faqe
menyja e flladit të lëngshëm dhe shija e peshkut të kripur erëzash e barishte
kupola Jote bardh e kaltër ta ngjyen ajrin
atë dënim ngushtice mbi shkëmbinj e gdhive në njërin ngadhënjim
shkallëve përmbushe mandate ngjitjeje lart, por jo zbritje poshtë
Zonjës Sate luks-matëse mbase ia gdhende fytyrën
si një fisnikeje me emrin Monaco
për mua paske buzë e duar të ftohta Zonjë e shtrirë në gurë zemër plastike
buzët t’i ngjyeka krejt praruar paraja kësaj Mbretërie të Miniaturës
fati çast i lumturuar apo i zi ai basti i Monte Karlos
nëse jo mua vetëm kodit Tënd Zonja Monako i çilen dyert prej lulesh
Zonjë nuk pash koshere bletësh e faqet mjaltore i mbarke
nuk e ditke se bëke mëkate m’i shpaluake gjinjtë pjalmore
që t’i përkëdhelin pandarë pos lëmim diamantesh
apo ari shumë karatësh
farfuritjet Tua të natës nuk ma ndriçojnë terrin
modeli Yt udhë rrëfim që do të më linte vishkull bredharak
një rebel gurë rrotullues tatëpjetash ngadalë me të pështyra përpjetash
mëtoja të rindërtoja vetveten porse Ty nuk të ndjek dot
me qenin në shtrat gjithnjë vjen e shkon mos ta prishkam egon
skamja dhe kamja ndjekin njëra-tjetrën
athua u zgjuaka mëshira Jote e ftohtë
kur e kur e fortifikuar në Kështjellën Tënde
po hykan pa biletë Krishtlindjet
ndjesia e gozhduar e gjakut, ajo simbolikë për lashtësi dhimbjesh
Monaco
paqen ta qëndiskan farfuria e ngjyrave të Krishtlindjeve
mbase lutesh t’i kesh bekimet e shirave
për të mbjellat e të vjelat e Tua në arat e artarëve
ruana, Zot: zemrat mos të na kaplohen me duna rëre në vena
Nili të mos shterojë lulja e parasë nuk çel në rërë
ndonëse mbi Ty vegjetojnë lule – ëndjet e saksive
shqisat e Tua shijojnë mjaltin e kallinjve të mendjes
sot, veçse të këqyra, sot thellësisht të këqyra jashtë lëkurës sime të rrjepur
ziente shqisa e kthimit në pikën e zezë ku ardhjen te Ti nisa
gjarpërinj e hiena dykëmbëshe të uritura kishin zënë prita
dhe lëvrinin në dogana lloje ngjyrash me çdo farë zërash të mykur e mynxyra
Frejus – Francë, dhjetor 2025





