Nesër (e enjte) do të mbahet mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe sportit në Gjilan, Jakup Berishën.
Mbledhja komemorative mbahet në orën 09:00 në Teatrin e Gjilanit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se
me dhimbje mori lajmin për ndarjen nga jeta të Jakup Berishës, një prej figurave më të nderuara të Gjilanit, i cili i dha shumë arsimit dhe sportit në qytetin tonë dhe më gjerë.
I pari i Gjilanit, theksoi se Jakup Berisha, ishte shembull i përkushtimit qytetar, i integritetit dhe i punës së palodhur. Kontributi i tij në zhvillimin e futbollit kosovar, veçanërisht në vitet e vështira të organizimit, mbetet pjesë e rëndësishme e historisë tonë sportive. Si trajner, drejtues dhe veprimtar, ai ndikoi në formimin e brezave të tërë sportistësh.
“Në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin tim personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Berisha, miqve dhe bashkëpunëtorëve. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, tha kryetari Alban Hyseni.





