Futboll

UEFA me shkrim të veçantë për FC Drita: Kosovarët në prag të historisë

Shtëpia e futbollit evropian (UEFA) i ka kushtuar një shkrim Dritës në prag të ndeshjes së parë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës.
Sipas UEFA-s, Drita bart barrën e një vendi të tërë, e jo vetëm të një klubi.
Drita të enjten nga ora 21:00 e pret Celjen e Sllovenisë në ndeshjen e parë të Play-Off të fazës nokaut. Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
“Për të qenë plotësisht i sinqertë, ne asnjëherë nuk kemi menduar se do të marrim tetë pikë pas katër ndeshjeve të para. Unë nuk e kam menduar këtë, e as lojtarët”, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani.
Drita është vetëm ekipi i dytë nga Kosova që është paraqitur në fazën grupore, përkatësisht në fazën e ligës, në garat e UEFA-s.
Dhe Drita e kaloi me sukses fazën e ligës, duke arritur në Play-Off. Ka shkruar histori, por synon të vazhdojë ta shkruajë atë.
“Mund të flas edhe për pronarët e klubit, as ata nuk e kanë pritur këtë. Por kemi punuar pa u lodhur”. Jam i bindur se suksesi nuk vjen vetëm ashtu. Duhet të meritohet dhe jam i bindur se ne e kemi merituar këtë sukses”, ka shtuar Ramadani.
UEFA ka shkruar se, nëse skuadra e Ramadanit është më e suksesshme se Celje e Sllovenisë pas dy ndeshjeve, do të jetë e para nga Kosova në histori që luan në fazën eliminimit direkt të garave evropiane të futbollit.
“Kemi kualitet dhe dëshirë për ta kaluar Play-Off”, ka thënë kapiteni Rron Broja, i cili është frymëzuar nga shansi për të garuar në skenën evropiane.
“Të jemi pjesë e Ligës së Konferencës do të thotë shumë për ekipin dhe tifozët e Dritës. Për futbollistët e lindur dhe të rritur në Kosovë, ishte gjithnjë ëndërr që të jemi pjesë e garave evropiane dhe mendoj se kjo është njëra prej arritjeve të mia më të mëdha”, ka shtuar Broja.
Ai ka shtuar se tashmë e kanë bërë gjithë Kosovën krenare dhe kjo ka sjellë përgjegjësi shtesë për ta bartur fanellën e Dritës.
Portieri Faton Maloku ka thënë se kualifikimi në Evropë është shumë i rëndësishëm për Kosovën si vend.
“Ne kemi histori të gjatë që përfshin disa kohë të vështira. E gjithë kjo është si shpërblim për sakrificën e njerëzve që kanë kaluar këto gjëra”, ka thënë Maloku.

You Might Also Like