
Kryetrajneri i skuadrës Debatik Curri është paraqitur në konferencën për media para duelit të fundjavës ndaj Prishtinës.
Shefi i shtabit teknik ka kërkuar nga futbollistët e tij përqendrim maksimal, pasi që në këtë ndeshje mund të vendosin detajet.
“Ndeshje e rëndësishme që na obligon të japim maksimumin, sidomos që luajmë para publikut tonë. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të përkushtuar për çdo top, pasi që është ndeshje që e vendosin detajet”.
Duke folur për duelin e xhiros së shkuar ndaj Dukagjinit, i pari i stolit të gjilanasve u shpreh i lumtur me atë se çfarë treguan futbollistët.
“Sinqerisht më erdhi keq për futbollistët, pasi që lanë shpyrtin në fushë dhe bënë gjithçka për ta fituar ndeshjen, në një terren të vështirë dhe kundër vendimeve të njëanshme të gjyqtarit të ndeshjes. Megjithatë, ky është futbolli dhe ndonjëherë nuk merr atë që e meriton, mirëpo futbollistët duhet përgëzuar për mundin dhe angazhimin.”

Kryetrajneri i skuadrës foli gjithashtu edhe për objektivat e klubit, ndërkohë që theksoi se futbollistët e tij do të luftojnë deri në fund për dy frontet.
“Ndeshja e kupës ndaj Ballkanit normalisht që është e rëndësishme, mirëpo ne jemi duke menduar vetëm për duelin e radhës ndaj Prishtinës. Kemi dy ndeshje në shtëpi dhe duhet të marrim maksimumin. Ne do të luftojmë në dy frontet, do jemi të përkushtuar edhe në ndeshjet kampionale, por edhe në atë të kupës, pasi që e kërkojmë objektivin që na shtynë drejt Evropës”.
Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës zhvillohet të dielën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.





