Futboll

Gjilani ia nxori hakun Fushë Kosovës

Gjilani kishte seri të tri ndeshjeve pa fitore, ku kishte humbur dy ndeshje e kishte barazuar në një tjetër. Humbjen e fundit e kishte pësuar më 11 tetor nga Fushë Kosova në udhëtim, në ndeshjen e mbetur të xhiros së parë.

Por pikërisht ndaj Fushë Kosovës, Gjilani ka fituar të shtunën në ndeshjen e xhiros së 10-të të elitës së futbollit kosovar.

Ndeshja e zhvilluar të shtunën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, përfundoi me rezultatin 1:0.

Ishte goli i Kushtrim Shabanit që ia siguroi pikët e plota skuadrës që drejtohet nga trajneri Gentjan Mezani.

Shabani shënoi nga afërsia në minutën e 67-të të ndeshjes. Ishte goli i tij i tretë në edicionin aktual. Për Gjilanin ishte fitorja e tretë e edicionit.

Ndërkohë, Fushë Kosova që fitoren e parë të këtij sezoni e kishte shënuar ndaj gjilanasve, e pësoi disfatën e shtatë, ndërsa ka edhe dy barazime.

Me këtë fitore, Gjilani tani ka 11 pikë në 10-të ndeshje të luajtura.

You Might Also Like