Në kuadër të mbështetjes dhe promovimit të bizneseve vendore, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Haki Huruglica, ka vizituar kompaninë Nikiterm.
Pronari, Besnik Kajtazi, e informoi drejtorin lidhur me rrugëtimin e tyre inspirues që prej vitit 2003, kur u kthyen nga Zvicra për të investuar në vendlindje, duke qenë ndër të parët në Kosovë që instaluan sistemin e ngrohjes qendrorë në dysheme.
Drejtori u njoftua me kalimin e viteve, kompania ka zgjeruar aktivitetin duke prodhuar kaldaja elektrike, e më pas kaldaja me dru dhe tashmë është një emër i njohur në tregun vendës.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik, tregoi se veçanërisht mbresëlënëse është qasja inovative dhe orientimi drejt eksportit. Që nga viti 2022,
Nikiterm prodhon produkte nga hekuri dhe alumini për tregun zviceran. Në vitin 2025, kompania zhvilloi produkte të specializuara për filtrimin e ajrit dhe pastrimin e punëtorëve në ambiente me asbest, duke prodhuar mbi 350 makina dhe 60 bojlerë.
“Ky rrugëtim dëshmon dukshëm se bizneset tona, me punë dhe ide të qarta, po rriten dhe po japin kontribut real për ekonominë e Kosovës”, tha drejtori Haki Huruglica.




