RIKTHIM SENZACIONAL – FERIZAJ NË FINALE PAS DRAMËS NË 5 SETE
Raiffeisen Superliga A – Femrat
Play-Off | Gjysmëfinalja 2
Ferizaj 3-2 Drita
22/25, 22/25, 25/23, 29/27, 15/13
Ferizaj ka realizuar një rikthim senzacional për të siguruar kualifikimin në finalen e play-off-it, pas një tjetër drame të madhe ndaj Dritës që u vendos në setin e pestë.
Skuadra gjilanase nisi më mirë takimin duke fituar dy setet e para dhe duke u afruar shumë pranë finales.
Megjithatë, Ferizaj nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm, duke fituar setin e tretë dhe duke barazuar gjithçka pas një seti të katërt dramatik të mbyllur me rezultat 29-27.
Në setin vendimtar, Ferizaj ruajti qetësinë në momentet kyçe dhe e mbylli takimin 15-13, duke siguruar një kualifikim të madh për në finale.
Ky ishte takimi i dytë radhazi mes këtyre skuadrave që shkoi në pesë sete, duke dëshmuar rivalitetin dhe emocionet e mëdha të kësaj gjysmëfinaleje.
Me këtë fitore, Ferizaj siguron finalen dhe tashmë titulli i kampionit do të vendoset në një duel tërësisht ferizajas, mes Fer Volley dhe Ferizajt.




