Futboll

Arbnor Muja edhe zyrtarisht është futbollist i FC Antwerp

Arbnor Muja ka bërë hapin e madh në karrierë, duke bërë njërën nga lëvizjet më të mëdha nga futbolli kosovar.

Sulmuesi mitrovicas ka nënshkruar kontratë me gjigantin belg Royal Antwerp, pas vetëm një viti qëndrim te Drita.

Skuadra gjilanase i dha mundësinë Mujës që brenda një viti të paraqitet dy herë në Evropë dhe ai shkëlqeu duke siguruar kontratën e ëndrrave për të kaluar në Evropë.

23-vjeçari tanimë është prezantuar nga Royal Antwerp, të cilët kanë vendosur edhe flamurin e Kosovës, derisa sulmuesi ka nënshkruar kontratë tre vjeçare.

“Arbnor Muja është i kuq”, ka shkruar faqja zyrtare e Antwerpit në rrjetet sociale.

“Kosovari Arbnor Muja ka nënshkruar kontratë me RAFC. Muja (23) vjen nga FC Drita. Tashmë e njohim mirë atë klub pas përballjes së dyfishtë në raundin e dytë kualifikues të UEFA Europa Conference League”.

“Arbnor Muja është një sulmues/anësor i gjithanshëm. Kontrata është 3-vjeçare, me opsion për një sezon shtesë. Muja do të luajë me numrin 11”, ka shkruar Antwerpi në prezantimin e Mujës.

Gazeta Olle ishte mediumi i parë që kishte raportuar për marrëveshjen e arritur mes dy klubeve.

Se sa beson Antwerpi te ylli mitrovicas tregon fakti që Mujës i është besuar fanella me numrin 11.

I pranishëm në prezantimin e Arbnor Mujës është edhe presidenti i Dritës, Valon Murseli të cilit i është dhënë një fanellë dhuratë nga homologët e tij belg.

Detajet e marrëveshjes ende nuk janë zbuluar nga klubet, por ato do t’i sjell më vonë ekskluzivisht Gazeta Olle. /Gazeta Olle/

You Might Also Like